Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i cili mori pjesë në ministerialin e ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit, në Pallatin e Brigadave ka komentuar situatën mes Kosovës dhe Serbisë.
Në fjalën e tij ai theksoi se ndërkombëtarët duhet të ndërhyjnë në këtë tension duke shtuar Kosova kishte paralajmëruar se në veri ka kriminelë.
Më tej ai nënvizoi se ndërkombëtarët duhet të marrin përgjegjësinë e vet.
“Unë pres nga autoritetet e Kosovës dhe nga autoritetet e Serbisë, por dhe nga ndërkombëtarët. Ndërkombëtarët nuk munden me larë duart prej kësaj pune. Ka pasur shumë paralajmërime se atje ka njerëz që janë kriminelë dhe ka krim të organizuar. Ndërkombëtarët duhet të marrin përgjegjësinë e vet. Duhet të themi gjërat ashtu siç janë nëse duam të kemi ardhmëri”, tha ai, raporton Euronews.al.
Në lidhje me deklaratën e Ramës për praninë e KFOR-it në veri të Kosovës, Abazoviq u shpreh se çdo përpjekje e kryeministrit shkon për të patur një rajon në paqe.
“Veprimet e tij dhe çdo aktivitet i madh, i tij ndërkombëtar për Ballkanin Perëndimor shkojnë në drejtim që ne si rajon të kemi paqe dhe të shkojmë drejt progresit. Nuk i takoj atyre politikanëve, i cili do të nisë veprime kritike ndaj Ramës pasi jam i bindur se cdo veprim i tij shkon në një drejtim, që të kemi një rajon në paqe”, u shpreh Abazoviq