Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Sot rifilluan punimet në rrugën Deçan-Plavë, përfundojnë më 2020

Deçan 24 Prill 2018

Sot, u inaugurua fillimi i punimeve të rrugës Deçan-Plavë, rrugë kjo që e lidhë rajonin e Dukagjinit me atë të Plavës dhe Gucisë.

 

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, me rastin e nisjes së punimeve ka thënë se kjo është ditë e veçantë për lidhjen e Kosovës me pjesën e banuar me shqiptarë në Mal të Zi.

 

“Për mua është ditë e veçantë sepse na është dhënë rasti që të fillojmë një rrugë që lidhë Deçanin dhe Kosovën me Malin e Zi, sidomos me atë pjesë ku banojnë shqiptarë. Nuk ka ndjenjë më të mirë se kur jemi në shërbim të qytetarëve, të lëvizjes së lirë, të investimeve dhe zhvillimit të turizmit, sepse kjo rrugë ka ndikim pozitiv shumëdimensional. E them këtë sepse këto bjeshkë janë atraktive për zhvillimin e turizmit e sidomos edhe për transport të mallrave si lidhje me Malin e Zi. Nuk ka më mirë se kur përgatisim infrastrukturën për të zhvilluar vendin dhe me këto ndjenja jemi sot këtu që t’ia nisim kësaj rruge duke mos e atakuar askënd por unë jam i vendosur që ky projekt të zhvillohet deri në fund, andaj faleminderit Deçan, e gëzofshi këtë rrugë dhe na priftë e mbara!”, ka deklaruar Lekaj.

 

Ai ka bërë të ditur se për këtë vit janë ndarë katër milionë euro për këtë rrugë, kurse më 2019 do të ndahen edhe tetë të tjera. Projekti në tërësi pritet të përfundojë në vitin 2020.

 

Përveç ministrit Lekaj, të pranishmëve me një fjalë rasti iu është adresuar edhe kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, i cili vuri në pah rëndësinë dhe simbolikën që ka kjo rrugë për banorët e Dukagjinit dhe ata të Plavës e Gucisë.

 

Exit mobile version