Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Spajiqi siguron mbështetjen e shqiptarëve, s’ka nevojë për ish-Frontin Demokratik pro-serb


Lëvizja Evropa Tani (PES) ka arritur të sigurojë shumicën e votave të nevojshme për të formuar qeverinë e re të Malit të Zi, ka bërë me dije kreu i PES-it, Milojko Spajiq, derisa ka shtuar se lideri i Demokratëve (DCG), Aleksa Beçiq, do të jetë kryetar i Kuvendit të Malit të Zi.

Spajiç, fitues i zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit dhe rrugës për të marrë drejtimin e qeverisë së 44-të të Malit të Zi, ka thënë se ekzekutivi do të formohet pa koalicionin “Për të Ardhmen e Malit të Zi (ZBCG)”, i cili përbëhet nga ish-përfaqësuesit e Frontit Demokratik (DF) pro-serb e pro-rus.

Më 10 gusht, pas konsultimeve me partitë parlamentare, presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, mandatin për formimin e qeverisë ia kishte dhënë Spajiçit, i cili, sipas Kushtetutës së Malit të Zi, ka 90 ditë kohë për të siguruar mbështetjen e së paku 41 deputetëve malazezë.

Para fillimit të negociatave zyrtare, ai ka përsëritur disa herë se në qeverinë e tij nuk ka vend për Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS) të ish-presidentit malazez Milo Gjukanoviq dhe Lëvizjen Qytetare URA të Dritan Abazoviçqit, aktualisht kryeministër me mandat teknik.

Kryetari i PES-it ka marrë mbështeje nga koalicioni Forumi Shqiptar, Aleanca Shqiptare dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve (UDSH), të cilat së bashku kanë arritur të fitojnë pesë ulëse në Kuvendin e Malit të Zi – Nik Gjeloshaj dhe Nikollë Camaj (Alternativa Shqiptare), Genci Nimanbegu (FORCA), Drita Llolla e Mehmed Zenka (UDSH).

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimi Evropian (BE) presin që ekzekutivi i ri malazez të shpallë të mbyllur çështjen e (ç)njohjes së Kosovës, anëtarësimin e Malit të Zi në bllokun ushtarak të NATO-s dhe sanksionet e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Rusisë për agresionin në Ukrainë.

Mali i Zi është zhvilluar si një demokraci relativisht e qëndrueshme shumë-etnike deri në momentin kur në pushtet erdhën forcat pro-serbe dhe pro-ruse. Mali i Zi është vendi i vetëm nga pesë shtetet post-jugosllave (plus Shqipëria) që i ka hapur dhe mbyllur disa kapituj të negociatave për anëtarësim në BE.

Exit mobile version