Site icon PLAVA E GUCIA SOT

TAKIMI I TRETË TRADICIONAL I NJË GJENERATE

Shkolla e Mesme Teknike, dega Kimi-Teknologji, në Obiliq, atëherë komuna e Prishtinës. (Viti shkollor, 1978/’79)

Restoranti “CALIFORNIA”, Milloshevë, komuna e Kastriotit.
E shtunë, 03 gusht 2024. Temperatura 25°C. 

PJESA E PARË:

1. 

Takimet e kësaj Gjenerate janë bërë traditë për këtë brez. Sivjet për të tretën herë radhazi janë bashkuar shoqet dhe shokët e klasës, gjeneratë kjo që mësimet i kanë ndjekur në Shkollën e Mesme Teknike, dega Kimi-Teknologji, në Obiliq, (gjatë viteve shkollore, 1975/’76 – 1978/’79).Përkatësisht në Qendrën Shkollore Teknike “Nikolla Teslla”, tash me emrin e Heroit të Kosovës “Ismail Dumoshi”.

Këto takime të çdo vitshme, mbahën të shtunën e parë në muajin gusht. Sivjet nën një mot të mirë dhe me temperaturë 25°C. Aty kishin ardhur nga komuna dhe vende të ndryshme, e shumë sish nga shtetet e Evropës Perëndimore. E këta mërgimtarë për çdo vit vijnë për pushime në vendlindjet e tyre, dhe për t’i takuar edhe shoqet dhe shokët që nuk e kanë braktisur kurrë Kosovën. 

Sot, Restoranti ‘California’ ka festë, këtu po ndjehet atmosferë hareje dhe gëzimi, respekt e dashuri për njëri-tjetrin, kujtime që ngjallin nostalgji dhe emocione të shumta. Vërtetë atmosferë e mirë sa nuk bëhet ma bukur! Gjeneratë kjo, tashmë e moshës rreth të 65-tave, por prapa shpatullave të tyre kanë lënë një histori të tërë, bëma e ngjarje që nuk përsëriten sepse ndryshimet e mëdha shoqërore e politike që kanë ndodhur gjatë këtyre dekadave në Kosovë, lidhen edhe me këtë brez, të cilët janë edhe me fat sepse gëzojnë lirinë e ëndërruar, prandaj kanë të drejt pse ndihen GJENERATË E ARTË! Ky slogan nuk është utopi, por është real i një realiteti të përjetuar në lëkurën e tyre. Pikërisht kjo gjeneratë, për më shumë se gjysmë shekulli nën pushtimin sërb, kanë bërë gjallëri, pavarësisht se shpeshherë janë sfiduar e torturuar, për ta triumfi dhe fitorja është e tyre, në këtë vend e mbi këtë tokë, fushë – pllajë e bëmave, e betejave, e heroizmave dhe e rezistencës historike. 

Gjatë këtij gjysmë shekulli, Kosova ka kaluar nëpër disa etapa tejet të rëndësishme në zhvillimet shoqërore e politike, që dashtë e pa dashur ato ngjarje lidhen me jetën dhe përjetimet e këtij brezi. Kur ky brez, në vitin e largët 1968 ishte vetëm 7-8 vjeç, në Kosovë patën plasur protestat e para shoqërore e politike të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt edhe në vetëdijen e tyre, sepse ishin në lulën e fëmijërisë, atëherë kur niste bulëzimi i tyre, e ngjarjet e tilla zakonisht lënë gjurmë në formimin e personalitetit qytetar, intelektual dhe patriotik. Pastaj janë ndryshimet kushtetuese të vitit 1974, një moment tjetër shumë entuziast që lidhej me kohën e rinisë së hershëm. Pa mëdyshje, koha dhe rrethanat janë ndikuese dhe dedikuese në formimin e personalitetit individual. Pra ajo kohë, ato rrethana, këtë brez edhe pa u pjekur dhe pa u rritur sa duhet, i përgatiste dhe vetëdijesonte për sfida të reja, qofshin ato sfida të natyrës sociale e arsimore për të mbijetuar ose duke ndikuar drejtpërdrejt në formimin e intelektit për rezistencë dhe veprimtari politike, lëvizje këto që nismën e kanë në ato kohë, nëpër ato vite. 

Vitet e shtatëdhjeta e ndryshuan edhe pozitën juridike të Kosovës, veçmas në raport me kohën e kaluar, gjendja kulturore dhe ajo sociale përmirësohej dukshëm, pikërish ato ngjarje që lidhen me zhvillimet shoqërore e politike kanë ushtruar ndikimin e tyre duke u bërë shkollë e akademi për tu zhvilluar më mirë pikpamjet nacionale dhe për tu ngulitur në personalitetin e tyre individual patriotizmi dhe vetëdija e rezistimit dhe qëndrueshmërisë tek secili. Kjo gjeneratë e mban mend mirë hapjen e Universitetit të Kosovës, (1970), po ashtu mban mend kur Radio Televizioni i Prishtinës i nis programet e rregullta dhe shumorëshe. Pa dyshim në kujtesën e tyre janë fiksuar edhe vitet e Rilindjes Kulturor që i sillte gazeta “RILINDJA” dhe strukturat drejtuese të saj. Në vitet e shtatëdhjeta nisin të funksionojnë si duhet të gjitha institucionet e Kosovës që reflektonin perspektivë kulturor e arsimor, dhe bashkërisht të gjithë bënë të pamundurën për tu mëkëmbur ekonomia e vendit dhe për tu përmirësuar mirëqenia e shoqërisë, e me këtë u bë një lloj transformimi e vetëdijësimi i strukturave udhëheqëse institucionale të atyre viteve. 

Pavarësisht sfidave dhe pengasave, sukseset ngjizen me rritën dhe zhvillimin e kësaj gjenerate. Pra ishin vitet e tyre, të cilat lidhen me progresin e zhvillimeve shoqërore e politike që ndryshonin Kosovën. Ky brez që po shtatonte, kjo gjeneratë që po formësohej, fare mirë e mban mend burgosjen dhe dënimet e rënda politike kundër Simbolit të Rezistencës Kombëtare Adem Demaçi dhe grupit të tij, dhe jo vetëm kundër tij, ngjarje që kanë ndodhur pikërisht kur ky brez kishte mësyrë shkollat e mesme. Dhe kur mësynë dyert e Universitetit të Prishtinës, në vitin 1981, ndodhin Demonstratat masive të njohura si Pranvera Kosovare, ngjarje këto që iu dhanë dimension tjetër të gjitha zhvillimeve politike në vend dhe tejvendit tonë. Pastaj po ky brezë, herë herë kishte edhe fat, sepse janë të parët që i kanë pritur dhe përcjellur me dashuri dhe entuziazëm Grupet Artistike e Muzikore që filluan të vinin nga Shqipëria, prandaj kjo gjeneratë ka arsye me u krenuar me vitet e tyre, të cilat tashmë siç e theksuam më lartë, i kanë lënë mbrapa. 

Gjithsesi ato vite lidhen edhe me kundërshtimet e para kundër vëllazërim-bashkimit, po sidomos formësohej një rezistencë patriotike kundër tendencës së unitarizmit serb për ta dominuar a ripushtuar Kosovën. Historia tashmë e ka kryer misionin e vet duke i vulosur ato bëma e ato ngjarje që kanë shënuar epokën, i ka vulosur edhe përpjekjet e këtij brezi, të kësaj gjenerate, andaj gjithçka që ky brez ka bërë dhe vepruar janë shndërruar në fakte historike, gjurmë të shënuara si në Libër Historik, veprime këto largpamëse në shërbim të të tjerëve, të gjeneratava që do të vijnë. Dhe kur ndodhi Lufta e Kosovës në vitet 1998/1999, ky brez ishte në kohën e pjekurinë, qoftë për të luftuar në radhët e UÇK-së, për të rezistuar me forma të ndryshme, dhe pas mbarimit të luftës për ta gëzuar fitorën e lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës.

Në kuptimin ma të mirë të këtij nocioni, sa etik po aq patriotik, epiteti “Gjeneratë e Artë”, më së miri i shkonë këtij brezi si mirënjohje për kauzën e tyre jetësore, natyrisht në shërbim jo vetëm të fëmijve dhe familjeve të tyre, por të shoqërisë dhe kombit në përgjithësi!… 

2.

Tubimin e hapi Avni Musliu, ekonomist i diplomuar dhe biznismen mjaftë i realizuar, i cili për shumë vite ishte Kryetar i Klasës. Në fjalën e tij ai tha: Ky është takimi i tretë i radhës, jemi shumë të kënaqur që patëm rast me u takuar përsëri, andaj iu përshëndes të gjithëve që jeni të pranishëm. Veçanërisht dy profesorët tanë që janë këtu me ne. Dy nga kolegët (Fatmiri dhe Agimi) janë rrugës duke ardhur, ndërsa Zymeri paska anuluar fluturimin për një rast familjar. Tash, edhe unë u informova dhe s’kam fjalë për tu shprehur, por ai ndërkohë do t’na paraqitet drejtpërdrejt nga New Yorku, përmes rrjeteve sociale, edhe në “Grupin tonë në Vibër”, do të nis një video-mesazh të cilin keni rast të gjithë ta dëgjoni. Gjthsesi ne e përshëndesim nga këtu kurse mosprezenca e tij për ne nuk është e lehtë, mirëpo ne ndajm dhembje me të. Përshëndes edhe ata që për arsyenat e veta nuk kanë pasur mundësi me ardhur, me shpresë se herave të tjera do të kenë mundësi për të ardhur dhe të takohemi të gjithë së bashku. Juve që jeni shëndosh dhe me familje mirë ju përgëzoj. Pra edhe një herë Zymerin e përshëndesim nga kjo distancë me urimin për t’i tejkalur sfidat dhe anëtari i familjes së tij sa më shpekjt t’i shërohet. 

Me këtë e rast dëshiroj të theksoj se takimi është i hapur dhe pavarësisht vendit ku jemi ulur të gjithë jemi njësoj dhe të barabart, andaj shpresoj se do ta merrni edhe ju të tjetrët fjalën, tha pos të tjerash Kryetari Ynë i klasës Avni Musliu, ekonomist i diplomuar.

Prof. Shaip Fazliu në përshendetjen e tij: Ju përshëndes të gjithëve dhe më vjen mirë që ky është viti i tretë i takimeve tuaja, por është mirë me ardhë edhe të tjerët, sepse shoh disa nga nxënësit e mi që po mungojnë. Por juve që jeni këtu dhe atyre që nuk kanë ardhur iu sugjeroj me vazhduar kështu së bashku. Nuk e di nëse ju kam treguar edhe më parë se ne kolegët e Shkollës Normale të vitit 1956, kur jemi regjistruar në shkollë, që atëherë e deri tash jemi bashkë. Kemi qenë 120 nxënës, jemi gjallë 27-28 veta. Prej tyre disa janë me sëmundje më të rënda e nuk mund të dalin prandaj apeloj ju me vazhduar se një ditë edhe ju nuk do të mbeteni kaq shumë. Ju dëshirojë të kaloni mirë! Edhe profesor Rizah Noka, i cili jeton në Amerikë, pos disa barcoletave, i përshëndeti të pranishmit duke e vlerësuar këtë takim të radhës. 

Profesoret e nderuar ishin të ulur në krye të tryezës, ndërsa nxënëset dhe nxënësit e tyre bisedonin me ta me respekt e admirim, duke i falënderuar profesorët, (edhe ata të tjerët që nuk ishin fare aty), për kontributin e madh që kanë dhënë në edukimin dhe emancipimin e gjeneratave të tëra.

Nga shoqet e klasës, fjalën e mori Selvije Ibrahimi – Çitaku, e cila tha sa isha në Itali e pastaj në Gjermani, kur e kam pasur ëndërr një takim, kështu si ky i sotit tha ajo, dhe këtë ia kam shprehur që moti edhe Sanijes. Andaj, lus Zotin të na jep shëndet dhe të na falë jetën dhe përseri e përseri të takohemi edhe herave të tjera. 

Hyrije Grajçevci, është juriste e diplomuar, por me familjen e vet ajo jeton në Gjermani. Ajo rrëfeu një dëshirë të kamotshme: Para katër a pesë viteve kur e kam pasur bisedë me bashkëshortin, a është e mundur edhe ne me u takuar, por nuk dija. E dija se disa jetonin jashtë, Shefqetin si gazetar, e njihte edhe ai. Pastaj e konsideroja se ishte më vështirë për ne shoqet të cilat pas martesës i kanë ndërruar mbiemrat. Si të them, këtë dëshirë ia lash kohës. Për fat të mirë, pas një apo dy vitesh, u nis inciativa dhe kështu ajo dëshirë e imja u bë realitet. Unë jam shumë e lumtur më këto tre takime, për të kaluar verës një pasdite së bashku, është një ndjenjë e mirë, një kujtim i mirë që ne që jetojm jashtë do ta bartim me vete, tha pos të tjera Hyrije Grajçevci – Krasniqi. Po këtë ndjenjë e patën edhe Hylkije Kica, Shpresë Gjonbalaj – Hashani, dhe Sanije Dakaj – Ejupi. 

Pastaj diskutuan edhe Ramadan Hasani, Gani Krasniqi, Hamdi Morina, Agim Dakaj, e shumë shumë të tjerë. Vlenë të thuhet se në mes këtyre diskutimeve, edhe Zymer Gjonbalaj nga New Yorku i përshëndeti të pranishmit duke kërkuar falje për mosprezencën e tij, dhe pas pak edhe në Grup e nisi një Video-Mesazh në të cilin thuhej: 

Të dashura shoqe dhe shokë, si dhe profesor të nderuar,
fillimisht po ju uroj për Takimin e Tretë që tani është bërë Tradicional i gjeneratës sonë, dhe njëherit ju uroj një pasdite të bukur, të këndshme dhe vëllazërore, ashtu siç ju dini dhe e meritoni Gjenerata ime!
Ju kërkoj falje për këtë mungesë timen, ju e dini se une në shkollë kam qenë i rregullt dhe me pak mungesa, për të mos thënë fare! Po ashtu ju kërkoj falje pse po detyrohem t’iu përshëndes me këtë Video-mesazh dhe jo të jem fizikisht prezent në mesin tuaj.
Jeta ka sfidat e veta gjithashtu, por kur ndodhin të pa priturat jemi të detyruar ta sfidojmë vetveten edhe me vështirësi. Në këto rrethana të rënda, u detyrova ta anuloj biletin e aeroplanit që e kisha rezervuar për 20 korrik 2024, dhe po ashtu edhe të gjitha aranzhimet tjera.
Jam tronditur pa masë, kur kam marrë një vendim të tillë për të mos udhëtuar, dhe kështu po përpiqem ta përmbush edhe premtimin e dhënë para jush. Kam një rast familjar dhe në këto rrethana nuk mund të mos jem pran saj.
Ju përqafoj të gjithëve, një nga një, dhe më besoni me shpirt e zemër jam me juve. Unë pres me padurim publikimin e fotografive dhe Reportazhin të cilin do ta bëjë shoku ynë i klasës Shefqet Dibrani, të cilit shfrytëzoj rastin t’ia uroj ditëlindjen të cilën po e feston me Juve!


Ju përqafoj edhe një herë të gjithëve!
New York, 03.08.2024.
Zymer Gjonbalaj

***

Kësaj radhe në Takimin e Tretë, kishin ardhur: Agim Dakaj, GjermaniAgim Grajqevci, KosovëAgim Muhaxheri, KosovëAvni Musliu, KosovëDestan Hashani, KosovëEjup Kurshumliu, KosovëFatmir Sogojeva, SuediGani Krasniqi, FrancëHalil Gashi, ZvicërHamdi Morina, GjermaniHylkije Kicaj, KosovëHyrije Grajqevci, GjermaniRamadan Hasani, KosovëSabit Ademi, GjermaniSabit Kostanica, Kosovë; Sami Leci, KosovëSanije Dakaj, GjermaniSelvije Ibrahimi, GjermaniShefqet Dibrani, ZvicërShpresa Gjonbalaj, KosovëXhemdush Mjeku (Xhemajl Mjekiqi), Kosovë

3.

Në këtë takim, nga “Gjenerata e Artë”, kishin ardhë mjaftueshëm, dhe mjaftueshëm të rinjohur nga dy takimet paraprake, të gjithë të gëzuar dhe të hareshëm, që përsëri e përsëri po takoheshin për të shkëmbyer biseda, rrëfime e tregime të jetës, parë e përjetuar nga këndvështrime të ndryshme dhe gjithëfarshe. As kalimi i kohës nuk i kishte zbehur kujtimet e bukura, kujtime këto që po rinonin edhe moshën e tyre. Është e vërtetë se koha bënë ndryshime, por nga pamja, sidomos nga përjetimet emocionale dhe ato shpirtërore, të gjithë dukeshin të mbajtur, të hareshëm dhe tejet gazmor. 

Natyrisht, edhe kësaj radhe disa nga shoqët dhe shokët nuk morën pjesë, shumica për arsyet e tyre personale, janë edhe disa që nuk janë lajmëruar fare?! Edhe ata i kanë arsyet e veta, i kanë hallët e tyre, andaj këta që ishin këtu thoshin, nuk duhet ta marrim për hidhërim, sepse janë plot katër dekada të futura si pykë ndërmjet jetës sonë, pastaj janë familjet, sfidat e jetës dhe ndoshta edhe gjendja ekonomik, që do të kenë ndikuar për ta “harruar premtimin” e lënë peng para katër dekadash, për t’mos u harruar, kurse ajo vazhdimësi që ka rinisë para tre vitesh, për t’mos u shkëputur më kurrë. 

As ky takim, (njëjt si ata dy të tjerët më parë), nuk kaloi pa i kujtuar disa nga shoqet dhe shokët e klasës të cilët që moti i kanë dhënë lamtumirën kësaj bote, siç janë: Sabrije Gjoshi – Namani dhe shoku tjetër Isa Sh. Istogu, nga Polluzha e Drenicës, inxhinier dhe profesor i teknologjisë, vrarë në Luftën e Kosovës. U përkujtua edhe Zymer Bekteshi i cili ka vdekur pas takimit të parë të kësaj gjenerate. Ata u nderuan dhe u kujtuan me pietet! 

Me mallë të pashuar, u kujtuan edhe shoqet dhe shokët e tjerë që janë gjallë, por nuk kanë ardhur, shpaloseshin kujtime për ta, ndonjë barcoletë tregohej, dhe dikush tregonte se kënd, ku e paskan takuar?!… Në këtë klasë të mrekullueshme ka qenë shoqja Xhevahire Ujkani, e martuar në Prishtinë, dhe shoqja tjetër Minire Maxhuni, e cila jeton në Gjermani, ndërsa Sanije Mujolli, prej shumë vitesh ka emigruar bashkë me familjen e saj në Amerikë. E, Sanija si atëherë e dashur dhe respektuese që ishte, është bërë pjesë e Grupit të Klasës në rrjetin social “Viber”, aty ajo komunikon dhe mban kontakte gati me gjithë të pranishmit. 

Nga shokët e kësaj gjenerate, që nuk kanë ardhur, janë edhe Isak Qolli, që jeton në kosovë, si dhe Sabit Konstanica. Kurse Ramadan Ujkani, mr. Shefqet Emini dhe Ymer Brestovci e Sabit Ademi, jetojnë në Gjermani, kurse në Finlandë, bibliotekisti Hysni Krasniqi, ndërsa në Britani të Madhe, ekonomisti Kadri Fazliu, kurse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës jetojnë profesorët e kimisë: Fazli Qosja dhe Zymer Gjonbalaj, ky i fundit promotori kryesor i këtyre takimeve, që sivjet për arsy familjare nuk arriti të vinte, të pranishmëve iu drejtua me një Video-Mesazh. 

4.

Gjithsesi, sivjet kaluam një ditë të bukur, e cila të paktën për autorin e këtij reportazhi do të mbetet simbolikë e rrallë, tepër e rrallë dhe emocionues pa dyshim, pasi ky takim rezultoi pikërisht në ditëlindjen e tij. Me këtë rast shoqet dhe shokët e klasës, atij i uruan ditëlindjen duke i dëshiruar shëndet dhe suksese. Madje Ramadan Hasani, shoku ma i mirë, ia solli atij një orë dore, prej atyre nga marakt më të njohura zvicerane. Sigurisht ishte kjo një arsye shtesë për të pranishmit që u grishën me ëmbëlsirën e ditëlindjes së tij. Pastaj Sh. Dibrani, i falënderoi përzemërsisht shoqet dhe shokët e klasës, të cilët Takimin e Tretë të tyre e kishin sinkronizuar pikërisht me ditëlindjen e tij, duke e përjetuar si njërin nga momentet më shembëlluese (dhe nuk mbeti pa i tejkaluar emocionet në raste të tilla, sepse ai i përjetoi si vlerësim për gjithë punën e tij publike në fushën e letërsisë dhe të publicistikës shqiptare. Vërtetë, (të shprehem në vetën e parë), si autor i shumë e shumë librave dhe artikujve publik, sot në këtë përvjetor timin jam ndjerë tepër i vlerësuar dhe shumë i respektuar, për urimet dhe përgëzimet që mora nga shoqet dhe shokët e klasës, prandaj si shumëherë të tjera, u ndjeva krenar me këtë gjeneratë, e cila edhe këtë ditëlindje timen e shndërruan në festë të klasës e të kësaj gjenerate!… prandaj me shumë emocione tërë karrierën e vet letrare e publicistike ua dedikoi si kontribut i tyre, sepse siç tha ai, ju nuk jeni të vetdijshëm sa keni ndikuar ju e familjet e juaja në emancipimin dhe në vetdijen krijuese, prandaj çdo gjë e imja, çdo fjalë e juaja, më besoni se është frymëzim i marrë nga ju, andaj ju dua dhe admiroj pa fund. 

5.

Edhe gjatë këtij takimi, nuk mbeti pa u shprehur dëshira e shoqeve dhe shokëve, që në takimet e radhës, me ardhë edhe ato shoqe dhe ata shokë të cilët janë gjallë, pasi këto takime tashmë janë duke u shndërruar në “Manifestim Tradicional” të kësaj gjenerate.

Si çdo nismë që ka fillimin e vet, edhe takimi i sotëm pati fundin dhe çastin e ndarjes, që nuk kaloi pa emocione mellëngjimi. Natyrisht kjo pasdite e 3 gushtit 2024, kaloi më shpejt se sa që mendohej, andaj të gjithë u ndanë të kënaqur, që arritën edhe sivjet të takoheshin me këtë përbërje, me shpresë se takimi tjetër do të bëhet edhe më i kompletuar. 

Dhe si çdo brez tjetër, edhe kjo gjeneratë, vitet më të bukura të rinisë, i kanë kaluar në Shkollën e Mesme në Obiliq, andaj nga ajo kohë ka kaluar gati gjysmë shekulli, as koha nuk i paska zbehur kujtimet, krysisht të bukura dhe të natyrave të ndryshme. E bashkë me këto vlera është ruajtur me fanatizëm kodi i mirësjelljes i respektit, dhe kodi i falënderimit i cili iu dedikohet organizatorëve kryesor, prof. Zymer Gjonbalajt, kimist dhe Avni Musliut, ekonomisti i diplomuar, i pari në Amerikë dhe i dyti në Atdhe, natyrisht si gjeneratë e kimisë, proceseve iu duhet një katalizator, në këtë rast, një i tillë padyshim ishte ndërmarrësi i suksesshëm që jeton prej shumë vitesh në Gjermani, Agim Dakaj, laboranti i dikurshëm në Fakultetin e Kimisë, i cili bashkë me motrën e tij Sanijen, dhe të tjerët së bashku, bënë që takimi i svjetmë te jetë kaq i bukur dhe në këtë nivel. 

Krejt në fund, duhet të theksohet se gjatë gjithë kohës, të pranishmit kanë bërë edhe fotografi të shumta e të ndryshme, sigurisht për t’i pasur si kujtim në albumet e tyre personale e familjare.

Milloshevë, 03.08.2024.
Shefqet DIBRANI

PJESA E DYTË: 

PËRSIATJE RRETH NOCIONIT “GJENERATË E ARTË” 

Prologu:

Këtë shpjegim, përkatësisht këtë përsiatje, paraprakisht e kam publikuar brenda Grupit të Klasës në rrjetin e mbyllur social “Viber”, aty ku komunikojmë, urojm e bëjmë gallata të shumta. Duke menduar se si shpjegim ka një rëndësi edhe më të gjerë, kuptohet me disa plotësime, po ia bashkëngjes këtij reportazhi, i cili është i rregullt nga takimet e rregullta të këtij brezi, të kësaj gjenerate, të shoqeve dhe shokëve të klasës, i vetëdijshëm, pa të cilët, si autor, por edhe si njeri, nuk do të isha ky që jam, jo vetëm pse jam falënderuar kur i kam shkruar reportazhet dhe disa skica të publikuara për këtë gjeneratë, aty-këtu nëpër rrjetet sociale, por respekti im ka të bëjë edhe me një falënderim të largët, për gjithë atë afri e dashuri që ma patën krijuar e dhuruar sa ishim s’bëshku me ta në shkollë, prandaj vitet dhe dekadat e ndarjes asnjëherë tek unë nuk e kanë zbehur dashurinë, kujtimin dhe admirimin tim që kam për të gjithë!…

1. “E Arta” si nocion gjuhësor:

Shprehja “E ARTË”, në gramatikë është mbiemër, i cili kryesisht përdoret për një send i bërë prej ari ose që është larë (flakëruar) me ari. Po ashtu thuhet për një mjet, a vegël metali që është e punuar prej ari, siç janë unazat, orët, lugët dhe enët e ndryshme etj. “E artë”, thuhet edhe për diçka e qëndisur me fije ari, si jelekët, xhamadanët, xhubletat etj. Shembuj të tjerë i kemi edhe për monedhat, stolitë dhe medaljet e arta, si “pena e artë” dhe zinxhirët e stolit tjera prej ari ose “Ylli i artë”, që jepej për titullin ”Hero i Popullit” ose “Hero i Punës Socialiste” dikur në sistemin e diktaturës së proletariatit socialist, kurse tash ky “YLL”, po ashtu “Yll i artë”, jepet për “Heronjtë e Demokracisë”, “Luftëtarët e Lirisë“, ndërsa për arritje në fusha të caktuara, jepet: “Medalja e Artë e Pavarësisë”, “Medalja Presidenciale”, etj. 

2. Flakërimi i të Artës:

Shprehja “E artë” ose i “flakëruar”, thuhet edhe për njeriun që ka shkëlqyer, dhe njeriut që ka marrë ngjyrën sikur të ishte prej ari. Pamje që duket i zverdhur por i shkëlqyeshëm. Shembuj: Flokë artë. Grurë i artë. Rreze të arta etj. 

3. Brezi i Artë:

Figurativisht – GJENERATË E ARTË, thuhet për shoqet dhe shokët e një klase a të një gjenerate, shoqet dhe shokët e studimeve, të punës a specializimit, ose gjenerata e parë, e dytë, e tretë e emigracionit dhe shpërnguljeve masive. Thuhet “Gjeneratë e Artë”, për atë gjeneratë që ka vlera të mëdha, që ka veti dhe aftësi të çmueshme. Që kanë rezistuar e kanë mbijetuar. Që kanë vepruar e nuk janë dorëzuar. Që kanë duruar e janë vetmohuar. Që kanë luftuar dhe kanë triumfuar. Që janë shkolluar, kanë zhvilluar e ndryshuar veten, vendin e shoqërinë. Thuhet për atë gjeneratë e cila ka Zemër të artë. Zemër të mirë dhe veti ose sjellje të arta. Për një brez a gjeneratë punëtore e përparimtare që kanë mendime të arta, duar të arta, krijime artizane të arta. Për ata që kanë fjalë a shprehje të arta, që kanë porosi dhe këshilla me përmbajtje përparimtare, progresive e të sakta, dhe kanë një mesazh të caktuar, të saktë e të vërtetë dhe me vlerë humane e progresive. Fjalë e artë, porosi e artë, shprehje e artë letrare, shprehje a fjalë për të zgjidhur çdo gjë si me shkop magjik. 

Po ashtu tek ky nocion ndeshim edhe shprehjen “Mesi i Artë”, që ka të bëjë me ndërmjetësim në mes të flakëruerës dhe të shëmtuerës, së këndejmi kemi edhe atë mesin e artë që duket të jetë: Qëndrim, pozicion i mesëm, që i bie as andej as këtej; qëndrim neutral që nuk zgjidh problem, nuk të kryen punë ose veprim interesi që nuk të çon (të futë) në telashe, në konflikt, a në ngatërresë, në mes dy palëve të kundërta dhe që shpeshherë krijon mundësi për vete për të përfituar nga të dyja palët, anët, etj. etj. 

Pastaj kemi edhe moshën e artë të cilën ne e kemi kaluar. Që ishte koha më e bukur në jetën tonë, e cila bashkë me vitet e rinisë na shkoi nëpër luftën e klasave, fërkime që prodhuan burgosje politike, nëpër gaz lotësjellës, nëpër tym armësh, nëpër furtuna e erëra ideologjike, nëpër orë policore, nëpër rrahje e bastisje, dhunë fizike e psikike, helmime e dhunime poshtruese, prandaj nëpër këto rrethana NE e kemi ndërtuar “Shekullin Tonë të Artë”, dhe kjo gjë s’ka dyshim, sepse NE arritëm ta përjetojmë lirinë dhe të presim Kohën e Artë të Pavarësisë së Kosovës, kohë e cila ka shënuar lulëzimin më të madh, në fushën e zhvillimit ekonomik dhe të përparimit të vendit tonë, dhe në kohën kur shkenca dhe teknologjia kanë mundësi për tu zhvilluar e përparuar më shumë e më shpejt, dhe bashkë me to edhe zhvillimi i sportit, muzikës dhe kulturës, duke bërë zhvillimin e atyre arteve që e kanë bërë “Të Artë” historinë e re të vendit tonë dhe Gjenratën Tonë kaq të Artë dhe kaq krenare!… 

4. Gjeneratë e shndërruar si në Libër të Artë:

Gjenerata jonë, pa dyshim është NJË LIBËR I ARTË, (jo ata që i kam shkruar unë), por Libër në të cilin janë shënuar rezultatet dhe arritjet e mëdha, aty ku janë shënuar emrat e njerëzve, fëmijëve dhe familjarëve tanë me suksese dhe rezultate të shquara, e disa janë Heronjë të Lirisë të cilën ne po e gëzojmë! Prandaj për këtë GJENERATË – Pra për Juve Shoqe dhe Shokë, duhet shkruajtur me shkronja të arta, ju meritoni shumë, andaj shumë prej jush merrni falënderime e përqafime nga pasardhësit tuaj, si mirënjohje për atë që keni bërë për vete dhe brezat pas nesh, andaj kontributi Ynë i përbashkët, do të përjetohet si diçka e bukur dhe e shënuar që është e lavdishme dhe e levërdishme për fëmijët tanë, për shoqërinë dhe vendin tonë. Në cilësinë e shokut të klasës, dhe si autor, lutem që Juve “GJENERATË E ARTË”, Zoti t’iu bekojë!…

Epilogu:

Këto përsiatje teorike janë vetëm disa shprehje të cilat, unë që ua njoha sfidat e kaluara, u përpoqa t’i artikuloj si mendime për nocionin shumë të përfolur këtu në Grupin Tonë se ne jemi “GJENERATË E ARTË”, dhe kemi shërbyer me devotshmëri, në parim për ruajtjen dhe vazhdimësinë etnike, etike e kulturore, mesazh ky për brezat tjerë, se si duhet edhe ato e ata, për t’i ruajtur e kultivuar traditat, dhe si duhet për tu vlerësuar e kaluara e ndritshme!… 

Kjo përpjekje e madhe, e Treta me Radhë u materializua, në saje të punës e përpjekjes dhe të qëndresës së vazhdueshme që keni bërë gjatë tërë jetës suaj për të mbijetuar. Prandaj edhe këtë herë më 03 gusht 2024, “Takimi ynë i Artë”, shëmbëlleu e flakëroi nga fjalët dhe urimet tuaja të bukura. Mbase Ju patët të drejtë kur vjet luteshi që edhe takimi i radhës për të ardhë i bardhë siç erdhi edhe Liria e Kosovës! Zoti ju bekoftë të gjithëve, Juve shoqe dhe shokë të Gjeneratës sime të Artë, e bashkë me Juve, Zoti e bekoftë edhe Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës!… 

Shefqet DIBRANI / shkrimtar

Exit mobile version