Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Të angazhohemi në riaktivizimin e Këshillit Koordinues të Shoqatave ! (dokument-foto)

shkruan: Xheladin Zeneli

 

Me 1 Nëntor të këtij viti bëhen 4 vite që kur u nënshkrua Marrëveshja për Bashkëpunim në mes 9 organizatave shqiptare me prejardhje nga trojet etnike nën Mal të Zi, që veprojnë në SHBA. Marrëveshja u nënshkrua në Detroit me datën 1 Nëntor 2014 nga këto organizata:

  1. Shoqata “ Ana e Malit “ – New York ,

2.Shoqata Atdhetare “ Malësia e madhe “ – Detroit;

3.Fondi Humanitar “ Malësia “ – New York* ;

4.Shoqata “Dedë Gjon Luli”-NewYork*;

5.Fondacioni “ Plavë-Guci “ – New York;

6.Fondi Humanitar “Rapsha”;

  1. Fondacioni “ Dom Simon Filipaj “ – New York;

8.Shoqata Atdhetare “ Kraja “ – New York dhe

  1. Shoqata “ Ulqini “ – Chikago.

 

Disa nga organizatat, përfaqësuesit e të cilëve, për shkaqe objektive nuk ishin prezent në Detroit, e dhanë paraprakisht aprovimin e tyre për Marrëveshjen, në mënyrë verbale.

Duhet të theksohet se nënshkrimi i Marrëveshjes për Bashkëpunim, në Detroit ishte pjesa formale dhe solemne e kësaj Marrëveshjeje, pasi që organizatat në fjalë kishin filluar bashkëpunimin dhe koordinimin e veprimtarisë së tyre të përbashkët që në fillim të vitit 2014.

Me nënshrimin e kësaj marrëveshjeje ( e para e këtij lloji) u ngjallen shpresat e unifikimit aq të dëshiruar të organizatave shqiptare me prejardhje nga trojet e tyre etnike nën Mal të Zi. Me këtë rast u zgjodh edhe Këshilli Koordinues i organizatave ku si koordinator u emërua z. Esad Gjonbalaj , kryetar i atëhershëm i Fondacionit “ Plavë Guci”.

Themelimi i Këshillit Koordinues dhe bashkëpunimi i organizatave të kësaj pjese të diasporës u dëshmua si shumë i suksesshëm meqenëse për një kohë relativisht të shkurtë u organizuan disa aktivitete të përbashkta ku mund të veçohen : protesta e përbashkët para Shtëpisë së Bardhë në Washington DC ( me 10 prill 2014) e cila u mbajt në shenjë pakënaqësie me pozitën e shqiptarëve në Mal të Zi, pikniku i përbashkët madhështor në pranverë të vitit 2015 ku muarën pjesë mijëra bashkatdhetarë në parkun FDR në New York, deklaratat dhe reagimet në emër të të gjitha organizatave, me rastin e situatës politike në vendlindje, përkatësisht ngritja e zërit të përbashkët për të drejtat kombëtare të shqiptarëve në Mal të Zi dhe plotësimin e të drejtave të tyre legjitime si popull autokton që këtë republikë, si dhe aktivitete të tjera.

Mirëpo, pas rreth një viti e gjysëm aktivitete , sikurse çdo gjë u ndërpre dhe kjo ndoshta mund të shpjegohet me faktin se disa organizata mbajtën kuvendet e tyre zgjedhore, me ç’rast ata zgjodhën kryesitë e tyre të reja apo edhe për arsye të tjera . Koordinuesi i tanishëm i Këshillit të organizatave është kryetari i Shoqatës “ Malësia e Madhe” në NY, z. Ejllo Berisha i cili disa herë ka bërë tentime për ripërtrirjen e këtij bashkëpunimi në mes këtyre organizatave, por fatkeqësisht pa sukses.

 

Si njëri ndër autorët e përpilimit të Rregullorës së Marrëveshjes për Bashkëpunim ( unë bashkë me z. Gjon Ivezaj), me këtë rast dëshiroj t’ju bëj thirje shoqatave nënshkruese që t’i qendrojnë besnik dhe të respektohet Marrëveshja e nënshkruar nga ish kryetarët e organizatave të tyre në vitin 2014.

Andaj, nëse dëshirojmë unifikim, nëse besojmë në moton: bashkimi bën fuqinë, është i domosdoshëm vazhdimi i Marrëveshjes për Bashkëpunim dhe riaktivizimi i Këshillit Koordinues të Shoqatave të lartpërmendura.

 

New York

18 Shtator 2018

 

(*Numri i tanishëm i organizatave nënshkruese të Marrëveshjes është 8 ,pasi që Fondi Humanitar “ Malësia “ dhe Shoqata “ Ded Gjon Luli” , që nga janari i vitit 2015 janë të bashkuar në një organizatë, me emrin Shoqata “ Malësia e Madhe-NY”)

Faqja e par e Marrveshjes per Bashkepunim te Shoqatave
Kopja e dokumentit të nënshkruar nga Shoqatat
Llogot e Shoqatave Shqiptare me veprimtari ne SHBA, me origjinë nga trojet shqiptare nen Mal te Zi
Foto gjat nenshkrimit te Marveshjes
Exit mobile version