Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Të bllokuar në Theth, dy turistët anglezë rrëfejnë momentet e ankthit: Tre orë mes dëborës dhe… (Foto)

NGA SENAD NIKSHIQI

THETH- Kanë ardhur nga Manchesteri për të kaluar pak ditë në Theth të Dukagjinit në Shkodër, por janë bllokuar nga bora. Për tre orë me radhë dy turistët anglezë kanë qëndruar të frikësuar mes maleve dhe mes të ftohtit. Dy turistët kanë ardhur nga Anglia në Malin e Zi dhe nga aty drejt Shkodrës për të eksploruar Thethin.

Çifti anglez ka mundur që të shkojë deri në Okol të Bogës, pjesë e Malësisë së Madhe, dhe aty makina e tyre është bllokuar për shkak të trashësisë së borës që shkon deri mbi 50 centimetër.

Të ndodhur në këtë situatë kanë njoftuar faqen e “Booking” ku kishin pronotuar në Amerikë. Faqja e “Booking” ka lajmëruar një grua në Theth në shtëpinë e të cilës do shkonin dy turistët.

Të vetmit që i kanë ardhur në ndihmë janë Agim Dardha, drejtor i Zonave të Mbrojtura në Shkodër, dhe Edmond Tërthorja, kryeinspektor i Mjedisit. Dy zyrtarët janë nisur nga Shkodra dhe pas një orë rrugë kanë parë turistët e bllokuar. Përmes mjeteve rrethanore dhe duke shtyrë makinën e dy turistëve është arritur që të zhbllokohen.

Deny Pief tregon momentet e vështira.

 

“Ne provuan që të shkonim drejt Thethit për të gjetur ndonjë shtëpi pushimi, por u bllokuam këtu nga bora. Atëherë lajmëruam në Amerikë në booking aty nga ku kishim kërkuar më përpara për për të shkuar drejt Thethit. Ne nuk e dinim se rruga këtu ishte e bllokuar nga bora sepse nuk do të kishim ardhur. Kemi pritur gjatë dhe s’po na vinte askush në ndihmë. Për tre orë kemi qëndruar shumë të frikësuar sepse këtu jemi mes maleve dhe po ashtu kemi patur shumë ftohtë. Është e vështirë sepse s’mund ta lëmë makinën ndezur gjithë natën për të bërë ngrohtë sepse do na mbaronte karburanti dhe do kishim qëndruar shumë orë në të ftohtë. U gjendëm në rrezik. Tani që pamë njerëz dhe na ndihmuan dhe makina doli nga bora jemi shumë të lumtur. Sot është hera e parë në Shqipëri dhe na u desh të përballemi me këtë situatë 

 

 

Alis Pief thotë se tashmë janë të lumtur, pasi frika mori fund…

“Pasi u bllokuam provuam që të shkojmë pak metra më poshtë në këmbë për të gjetur ndonjë njeri por nuk pamë askënd. Po kërkonim ndonjë kontakt me njërëz këtu por deri që erdhët ju për tre orë me radhë ishte e pamundur. Nuk na besohet se tani kemi njerëz përballë. Megjithatë frika mbaroi tani dhe jemi të lumtur”.

Dy turistët anglezë duke mos patur mundësinë që të përfundojnë udhëtimin e tyre drejt fshatit turistik të Thethit, janë kthyer mbrapsht drejt Shkodrës për të kaluar natën, ndërsa të zhgënjyer do rikthehen sërish në shtetin e tyre në Angli.

Nuk është hera e parë që turistët bllokohen nga bora duke tentuar që të shkojnë në Theth. Para pak viteve, turistët çekë rrezikuan jetën në Qafë Thore duke mbetur të bllokuar për disa orë. Kjo histori vijon të përsëritet për shkak se akset nga Shkodra drejt Thethit, në pjesën më të madhe të vitit, janë të bllokuara nga bora. Disa herë është thënë se do mbahen hapur, por asnjëherë nuk ka ndodhur.

 

Ballkanweb

Exit mobile version