Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Tema e dilema:Jo Samiti i Diasporës por Takimi i Mërgimtarëve Shqiptarë

Përdorimi i shprehjeve dhe termave të huaja ne jetën e përditshme dhe në media te shqiptarët është bërë shprehi e cila ka marrë përmasa  shqetësuese, që është për çdo kritikë,  ku  emërtimi  “Samiti i Diasporës”  që u mbajt me 23 nëntor në Tiranë, është  dëshmi e një konstatimi të tillë. Ndërsa ftesën për të marrë pjesë në këtë Samit të Diasporës, edhe shqiptarët nga trojet e tyre (Maqedoni të Veriut, Luginë të Preshevës, Kosovës e Mal të Zi) duhet vlerësuar si gabim teknik nga ana e organizatorëve, e jo se ata janë pjesë e diasporës. që duhet të jetë  mësim për të ardhmën.   

Nga Nail  Draga

Organizimi i veprimtarisë me emërtimin  “Samiti i Diasporës”, që u mbajt në Tiranë me 22-23 nëntor 2023, paraqet ngjarje të veçantë në nivel mbarëkombëtar. Ishte ky takimi i tretë i kësaj veprimtarie ku kanë marrë pjesë shqiptarët nga e tërë bota, duke  dëshmuar se takimi i tillë ka vlerë shumëdimensionale kombëtare.

Me këtë rast dua të ceki çështjen e emërtimit “Samiti i diasporës”, e cila ka marrë përmasa të mëdha në hapësirën shqiptare. Termi  diasporë nuk është i panjohur, sepse ajo nuk është e kohës së re.Ajo është me prejardhje greke qe do të thotë “shpërndarje”, ku popullsia duke lëvizur  nga vendi është vendosur në një vend tjetër.

Ne këtë aspekt te shqiptarët njihet diaspora historike, e cila është e hershme por me shumë njihet nga mesjeta(shek.XIV) e tutje. Pikërisht nga kjo kohë  e më pas kemi vendosjen e arbëreshve(shqiptareve) në Itali e po ashtu edhe  në Greqi, Bullgari, Rumani, Kroaci, Turqi, Egjipt etj.

Por, pas pavarësisë së Shqipërisë(1912) e më pas në sajë të luftërave dhe politikës asimiluese e pushtuese të fqinjëve tanë nga njëra anë dhe motiveve ekonomike nga ana tjetër shqiptarët kanë vazhduar të emigrojnë duke marrë epitetin e emigrantëve. Në këtë kategori bëjnë pjesë shqiptarët në hapësirën e tyre etnogjepgrafike në ish-Jugosllavi të cilët pas Luftës së Dytë Botërore kanë emigruar në vendet e ndryshme europiane si dhe në SHBA e Australi.

Ndërsa me rastin e dështimit të sistemit të diktaturës komuniste  në   Shqipëri nga viti 1991, emigrimi i popullsisë mori përmasa shqetësuese, dukuri e cila vazhdon edhe sot. Dhe e tëra kjo lëvizje migruese ka një emërtim të përbashkët, që është Mërgata shqiptare! Duke marrë parasysh se kemi një shpërndarje të shqiptarëve nepër vende të ndryshme të botës, është detyrë emërgjente e Qeverisë së Shqipërisë, të bëjë evidentimin përkatësisht regjistrimin e shqiptarëve në botë, për të pasur një numër optimal sikurse e bëjnë vendet demokratike që janë të përkushtuar për çëstjen kombetare. Në këtë drejtim mund të angazhohen përfaqësitë diplomatike si ambasadat apo konsullatat në vendet përkatëse, sepse me përjashtim të rastit, pothuaj i tërë personeli  tyre është pasiv, që nuk është në favor të misionit të tyre diplomatik.

Gabimisht të ftuar                                                                                

Nga organizatori i “Samitit të diasporës” përveç shqiptarëve në botë, janë ftuar edhe shqiptarët në trojet e tyre në hapësirën etnogjeografike shqiptare. Nuk ka dilemë se ftesa për të marrë pjesë ne  një takim mbarëkombëtarë është e qëlluar, por çështja qendron të përmbajtja e emërtimit, sepse shqiptarët jashtë  Shqipërisë  londineze  nuk janë diasporë, sepse janë në token e tyre dhe nuk i përkasin kësaj kategorie.

Andaj ftesën për të marrë pjesë në këtë Samit të Diasporës, edhe shqiptarët nga trojet e tyre (Maqedoni të Veriut, Luginë të Preshevës, Kosovës e Mal të Zi) duhet vlerësuar si gabim teknik nga ana e organizatorëve, e jo se ata janë pjesë e diasporës. që duhet të jetë  mësim për të ardhmën.

Pa vlerësim e  vëmendjen e duhur

Të gjithë jemi dëshmitarë ndonëse jemi në kohën e pluralizmit politik  diaspora shqiptare  nuk e ka vemendjen dhe vlerësimin e duhur nga qeveritë e shtetëve përkatëse. Ne këtë aspekt kritika kryesore bie mbi shtetin amë-Shqipërinë e cila duhet të angazhohet me të gjitha kapacitetet shtetërore për ta mbeshtetur diasporen. Por, jemi dëshmitarë se diaspora po përdoret nga politika vetëm për qellimet e veta nga ana e pushtetarëve e jo duke i trajtuar ata si pjesë e pandarë e shqiptarëve në atdhe.

Pikërisht këtu është dështimi i qeverive të Shqipërisë në pluralizëm, sepse atyre iu është mohuar e drejta legjitime për të marrë pjesë në votime sikurse qytetarët tjerë në Shqipëri. Një veprim i tillë absurd vazhdon gjithnjë se partitë politike e sidomos shumica parlamentare në Shqipëri, nuk e trajton këtë çështje me seriozitet, sepse ata i frigohen diasporës, sepse me votat e tyre mund të prishin objektivat e tyre për pushtet. Ne këtë aspekt shëmbull pozitiv shërben Kosova e cila ia ka mundësuar të marrë pjesë në votime edhe mërgata shqiptare, çështje e cila është definuar si normë ligjore.

Nga ana tjetër diasporës i është mohuar përfaqësimi i saj  në dikasteret shtetërore dhe në strukturat vendimmarrëse. Ne këtë aspekt mendoj se do të ishte shumë pozitive prania e përfaqësuesve të ndryshëm të diasporës në diplomacinë shqiptare, sepse ata kanë kuadra të përgatitur qe do të nderonin diplomacinë shqiptare, e jo si deri tash që lënë për të dëshiruar. Andaj, pjesëmarrja e kuadrave shqiptare nga diaspora në diplomaci do të ishte risi dhe freski për të qenë model të përfaqësimit të shtetit Shqiptar, duke vendosur aty kuadra profesionale e jo partiake  si kudo në botën demokratike.

Po ashtu duhet cekur  se si me parë edhe tash kapitali financiar i diasporës ka qenë vendimtar për  të ardhurat e shumë  të familjeve shqiptare, që janë ballafaquar me vështirësi ekonomike, por nuk ka pasur vemendjen e duhur të qeverisë për të trajtuar këtë kategori me përparësi në investime në vendlindje.

Takim  jo sa për fotografi

Takimin e  Tiranës nuk duhet trajtuar si takim sa për fotografi, por me prezantimin e ideve dhe propozimeve konkrete për zhvillimin ekonomik dhe mbrojtjës së identitetit kombëtarë. Por, duhet thënë se në takimin e Tiranës kësaj here pjesëmarrësit e diasporës nga shumë shtete të botës kësaj here ishin me të paktë në numër. Pse ka ndodhur diçka e tillë i mbetet organizatorëve të japin shpjegimin e duhur, por duhet thënë haptazi se nuk na duhen fjalë por veprime konkrete, sepse diaspora meriton vemendjen e duhur në mënyrë të vazhdueshme. Qendrimi ndaj diasporës nuk duhet të varet nga partitë politike të cilat janë në pushtet sepse ajo është e të gjithë shqiptarëve si nga pozita e opozita, ndërsa politizimi i saj nuk është në favor të saj dhe çështjes kombëtare.

Ndërgjegjja e kombit

Duke marrë parasysh se kemi të bëjmë me takim  mbarëkombëtarë  do të ishte e udhës  qe “Samiti i Diasporës” të quhet  “Takimi i mërgimtarëve  shqiptarë”, duke përfshirë edhe pjesëtarët nga diaspora historike dhe mërgimtarët  shqiptarë  nga shek.XX e këndej.

Pasi nuk kemi të bëjmë për çështje personale  çështja e tillë  duhet të jetë preokupuese për të gjithë   e ne veçanti për institucionet shtetërore  të cilat janë të obliguar  për të mbrojtur gjuhën nga vërshimi i fjalëve dhe shprehjeve të huaja.

Ndërsa,  duke vlerësuar  lartë kontributin e saj në favor të çështjes kombetare, ku si shëmbull tipik është lufta e fundit në Kosovë, diaspora shqiptare ishte dhe ka mbetur  ndërgjegja e kombit të cilën duhet mbeshtetur maksimalisht nga të gjithë institucionet shtetërore si kudo në vendet demokratike.

(Dhjetor   2023)

Exit mobile version