Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Tivar: Simpozium ndërkombëtar për “Masakrën e Tivarit 1945”, thirrje për ndriçimin e së vërtetës historike

Në organizim të Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi dhe Këshilli Boshnjak në Malin e Zi, në bashkëpunim me Instituti për Studime Historike “Lumo Skendo” në Tiranë, Instituti për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore i Maqedonisë së Veriut dhe Këshilli Koordinues i shoqatave të familjeve të personave të zhdukur nga Kosova, do të mbahet një simpozium ndërkombëtar shkencor kushtuar një prej ngjarjeve më të dhimbshme të historisë së rajonit, shkruan Ulqini Online.

Simpoziumi me temë “Masakra e Tivarit 1945 – E vërteta e fshehur” do të zhvillohet më 31 mars 2026, nga ora 10:00 deri në 15:00, në ambientet e Hotel Princess, në Tivar. Hapja zyrtare e punimeve është paraparë të bëhet në orën 10:00.

Ky aktivitet organizohet në përkujtim të Masakra e Tivarit 1945, ku në pranverën e vitit 1945 u vranë pa gjyq qindra të rinj të paarmatosur, kryesisht shqiptarë, si dhe një numër i konsiderueshëm boshnjakësh. Ngjarja vazhdon të mbetet një nga episodet më të errëta dhe më pak të trajtuara në mënyrë të plotë në historiografinë rajonale.

Organizatorët bëjnë të ditur se simpoziumi do të mbledhë studiues, historianë dhe ekspertë nga vende të ndryshme të rajonit, me qëllim trajtimin shkencor të kësaj ngjarjeje dhe ndriçimin e së vërtetës historike përmes dokumenteve, dëshmive dhe analizave akademike.

Ky takim pritet të kontribuojë në rritjen e ndërgjegjësimit publik dhe në thellimin e debatit shkencor mbi pasojat historike dhe shoqërore të kësaj masakre, si dhe në nderimin e viktimave.

Organizatorët u kanë bërë thirrje mediave që të ndjekin dhe të përcjellin këtë aktivitet, duke theksuar rëndësinë e tij të veçantë si në aspektin shkencor, ashtu edhe në atë shoqëror.

Exit mobile version