Tre fëmijë shqiptarë kanë humbur jetën tragjikisht, pasi zjarri përfshiu një banesë dy katëshe në Windergate Drive, pranë Old St. Augustine Road, sipas shefit të Departamentit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Jacksonville, Percy Golden.
Ngjarja ka ndodhur të mërkurën në mëngjes, në zonën Mandarin të Jacksonville të Floridës, ku zjarrfikësit u thirrën rreth orës 5:00. Ekipet e shpëtimit gjetën tre fëmijë të pajetë brenda banesës.
Dy të rritur dhe dy fëmijë të tjerë arritën të dalin nga banesa, por u dërguan në spital në gjendje kritike.
Sipas raportimeve të mediave lokale, familja e fëmijëve është nga Shqipëria. Lajmi ka tronditur familjarët dhe komunitetin shqiptar në Jacksonville.
Zjarri ka dëmtuar edhe dy njësi të tjera të banesave, ndërsa disa familje kanë mbetur pa shtëpi.
Shkaku i zjarrit ende nuk është bërë i ditur. Për rastin po hetojnë autoritetet lokale dhe shërbimet e zjarrfikësve.

