Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Trieshjani që u flijua për lirinë e Kosovës dhe bashkimin kombëtar: Martinë Lucë Prenkoçaj ( 1887- 1944)

Nga Gjekë Gjonaj

Në mesin e   burrave trima të shquar malësorë në periudhën e pas Lidhjes së Prizrenit (1878)  është cilësuar edhe trieshjani,  Martin Lucë  Prenkoçaj nga fshati Budzë. Ai ka pasur virtyte të larta  njerëzore   dhe  vetëdije kombëtare, të cilat i mori  nga  babai  Lucë Ujka , i cili u shqua në betejat çlirimtare  të Trieshit   në Cem-Lemajë , Shesh e Grabom ( 1907) dhe në betejat  e Kryengritjes së Malësisë , në Pikalë e Selisht ( Qafë të Bokrrinës),  në Deçiq,  Qafë të Uglës, ku ra heroikisht , më 25 qershor 1911.

Martini  u lind në vitin 1887. Ai ishte  djali i Lucë Ujk Gilës, të cilit Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha  ia dha  Urdhrin për Veprimtari Patriotike të Klasit II në vitin 1993, kurse Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë  i ndau Certifikatën  e Dëshmorit të Atdheut, dhe familjes së tij  i dha simbolin “ Familje e Dëshmorit të Atdheut”   në vitin 2020.    Gjyshi i tij ,  Ujk Gila  u vra  në luftën e Qafë Nagrivës, në vitin  1862. Nëna e tij   Tringë  Çugaj, ishte  nga fisi i njohur i  fshatit Stjepoh( Triesh).  Martini   ka pasur  dy vëllezër, Tomën e Kolën  dhe pesë motra,  Hakën, Dilën, Mrikën, Prëtën dhe Maren. Të dy vëllezërit e tij vdiqën në moshë të re. Toma vdiq  në moshën 8 vjeçare, kurse  Kola  vdiq në moshën 24-vjeçare si pasojë e  vuajtjeve që përjetoi   në  burgun  famëkeq  Jusovaça,  në afërsi të stacionit të trenit dhe të autobusëve  në Podgoricë, njërin  nga monumentet më të errëta të kryeqytetit të Malit të Zi. 

Martin Lucë Prenkoçaj nuk ishte i arsimuar, por mbante gradën ushtarake Toger i Këmbësorisë dhe dinte të shkruajë e të lexojë  dhe po ashtu fliste rrjedhshëm gjuhën sllave, italiane dhe gjermane  të cilat i kishte  mësuar gjatë internimit  në Austri (1916-1918)  nga  Austro-Hungaria dhe më pas gjatë qëndrimit të tij të shkurtër në Itali.  Periudha kohore në të cilën jetoi dhe veproi ishte periudha e përpjekjeve e sakrificave sublime të popullit  shqiptar. 

Veprimtaria atdhetare e Martin Lucë Prenkoçajt  kishte filluar që në moshë të re të tij.  Si i ri u inkuadrua në jetën politike, të cilën ia imponuan rrethanat dhe padrejtësitë e regjimeve pushtuese. Mori pjesë në ngjarje të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. U inkuadrua në luftë kundër pushtuesve turq, në luftën e Deçiqit,  e më pas për më se tri dekada kundër pushtuesit serb,duke luftuar me pushkë në dorë  në luftëra e beteja për mbrojtjen e territoreve  etnike gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore  nga pushtuesit.  Ishte aktiv  në  luftën e Koplikut, së bashku me vëllain Kolën, në konfliktin e armatosur kundër ndërhyrjes ushtarake jugosllave në krahinën e Shkodrës zhvilluar në muajt korrik e gusht të vitit 1920. Pas luftës së Koplikut inkuadrohet në ushtrinë të sapoformuar shqiptare të themeluar nga Ahmet Zogu. Atje shërben pak kohë për t’u rikthyer më pas ilegalisht në Mal të Zi, ku luftoi dhe rezistoi fortë okupuesit e këtyre trevave deri në amnisti që kishte ndodhur në Jugosllavi rreth viteve 1925.

Tomë Nikë Lulgjuraj,  bashkëluftëtar ( shok i luftës) i Martinit ka treguar  një episod të tij trimërie. “Gjatë një beteje në luftën e Koplikut na u prishë mitralozi dhe Martini pa kurrfarë frike rrezikoi jetën,   kaloi  nëpër  breshëri plumbash, e ndreqi mitralozin me të cilin arritëm  të  ndalim sulmet e ushtrisë armike, të cilat kishin goxha mirë.  Pas këtij akti trimërie  Ushtria Shqiptare  e mbajtën Martinin lartë  me duar”, kishte thënë Lulgjuraj. Ky burrë i pushkës e atdhetar për arsye të rrethanave e kushteve të pavolitshme vendos që në vitin 1936 së bashku me familjen e tij të largohet nga Trieshi  dhe vendoset në fshatin Dallashaj afër Gjakovës. Megjithatë,  ai  kurrë nuk e harroi vendlindjen dhe  nuk e shiti  shtëpinë as pronat e tij të shumta. Me të vendosur  në  Kosovë, bie në kontakt me burrat e ndritur dhe personalitete të shquara   atje. Në fillim qëndron te Shaban Polluzha,  njërin ndër komandantët më të njohur të zonës së Drenicës gjatë Luftës së Dytë Botërore, të cilin e kishte kumbarë, bashkëluftëtarë e mik. Më pas njoftohet  me Ndue Përlleshin me të cilin  vëllazërohet ( bëhet  probatin) dhe inkuadrohet në  grupin e tij luftarak si njëri ndër bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë dhe më besnik të tij.  

Ai menjëherë u inkuadrua në Ballin Kombëtar dhe  pati fatin të njihej, të luftojë e të  veprojë përkrah këtyre figurave më të ndritura të kombit të asaj periudhe, e dhjetëra atdhetarë të tjerë të cilët bënë emër e lanë nam me qëndresën dhe luftën e zhvilluar për lirinë e Kosovës. Ka qenë pjesëmarrës i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, e cila i zhvilloi punimet  më 16-22 shtator 1943.  

Martinë Lucë Prenkoçaj bashkë me  Ali Binakun e  Becit, Xhemë Sadrinë e Cërmjanit (udhëheqës), Rrustem Delinë e Becit e pjesëtarë të tjerë të  Ballit Kombëtar, të gjithë të armatosur, në tetor të vitit 1944, ranë në pritë të çetniko-partizanëve në fshatin Gërçinë (Has). Komunistët shqiptarë me yllin pesë rrëmbesh dhe uniformën  jugosllave pasi e rrethuan fshatin kërkuan nga  shqiptarët për t’i dorëzuar armët gjoja se tani vendi ishte i çliruar dhe armët nuk kanë pse të mbahen nga populli. Por, trieshjani (malësor) me mustak të zezë dhe plis të bardhë   nuk pranoi në asnjë mënyrë  që t’ua  dorëzojnë armët komunistëve jugosllavë dhe u tha:  “Na  hala nuk jemi çliruar. Brigadat e çetnikëve po bëjnë  kasaphane  në Drenicë, Shale e Bajgore. Ju mund të ktheheni nga keni ardhur sa nuk ua kam  këput me duart e mia, se për të gjallë nuk i dorëzojmë armët deri në çlirim dhe bashkim kombëtar”. 

Burri nga Trieshi  i mbeti  besnik fjalës së tij dhe besës së dhënë Shqipërisë, se deri në çlirim dhe në bashkim kombëtar, nuk do ta lëshojë pushkën nga dora.  Pas pak ditësh  nga 19 luftëtarë  që kishin qenë, 16 ishin vrarë në vend. Martin Lucë Prenkoçaj , duke luftuar heroikisht për Shqipërinë Etnike , kishte vdekur rrugës nga plagët e marra. La gruan e re, Drane Gjushën Pecaj me të cilën ishte martuar në vitin 1926   dhe 4 fëmijë jetimë, dy djem,  Zefin dhe Kolën si  dhe dy vajza,  Mrinë  dhe Lenën.

Në vitin 2012 u vendos Memoriali – Lapidari me 33 dëshmorë  në  fshatin Zhdrellë të Becit të Dushkajës,  në mesin e tyre është  edhe Martin Luca. Komuna e Gjakovës e nderoi këtë dëshmor të popullit në vitin 2018. Rruga në Qërim  mbanë emrin e tij.

Ky vlerësim  është nder dhe krenari jo vetëm për familjen e tij, por edhe për Trieshin, Malësinë dhe krejt shqiptarinë. Lufta  heroike e Martin  Prenkoçajt për liri dhe mëvetësi   duhet t’u shërbejë brezave të ardhshëm si shembull   sesi duhet t’i duam dhe t’i mbrojmë tokat shqiptare   nga zaptimet e pushtuesit të huaj. Përpjekja, kontributi dhe  sakrifica e tij sublime  do të  mbeten të përjetshme në  historinë e popullit shqiptar.

Exit mobile version