Site icon PLAVA E GUCIA SOT

U INAGURUA KOMPLEKSI I TERRENEVE SPORTIVE TË SHKOLLES SË GUCISË

Për faqet e gazetës KOHA JAVORE

Solemnisht në Guci, Shaban Hasangjekaj

Guci – Terrenet sportive shkollore, të Shkollës fillore “Xhafer Nikoçeviq” në Guci, të cilat në mënyrë solemne janë hapur të martën, më 29 tetor, janë me vlerë prej 350 mijë euro, kurse në infrastrukturën e arsimit në Komunën e Gucisë, vetëm në dy vitet paraprake, janë destinuar afro 400 mijë euro, ka konfirmuar në ceremoninë solemne të hapjes së objekteve ministri i Arsimit, dr. Damir Shehoviq. Terrenet sportive, të cilat në praninë e një numri të konsiderueshëm qytetarësh nga Plava dhe Gucia me rrethinë, por edhe veprimtarë të institucioneve nga sfera e profileve të ndryshme nga Gucia dhe më gjerë, të cilat me prerjen e shiritit të kuq i hapën ministri i Arsimit, dr. Damir Shehoviq, kryetarja e Komunës së Gucisë, Anella Çekiq, përfaqësuesi i Fondacionit “Gusinje” me seli në Nju Jork, Sylejman – Sylë Gjonbalaj dhe drejtori i Shkollës fillore të Gucisë, Sherif Feratoviq, janë ndërtuar me investimin e përbashkët të Ministrisë së Arsimit dhe Fondacionit “Gusinje”, për të cilin Ministria e Arsimit ka ndarë rreth 280 mijë euro, kurse pjesën tjetër e ka siguruar fondacioni në fjalë.

                Në fjalën e rastit, ministri Shehoviq ka theksuar se ky kompleks sportiv përmban dy terrene multifunksionale për futboll, hendboll, basketboll dhe volejboll, me tribuna montazhi në të dy terrenet me rreth 420 vende ulëse, me rrjetë mbrojtëse përreth terrenit, me ndriçim adekuat, me themele speciale për këtë lloj terreni, të përshtatura ndryshimeve të temperaturave dhe kushteve të ndryshme kohore, si dhe me kangjellën (rrethojën) rreth tërë kompleksit sportiv.

                “Dëshiroj t’i shprehi falënderim të posaçëm Fondacionit ‘Gusinje’ nga Nju Jorku, i cili është edhe iniciator (nismëtar) i këtij projekti dhe i cili në një pjesë financiarisht e ka mbështetur dhe përkrahur, me çka edhe ka dëshmuar se e ka njohur rëndësinë e destinimit investues në vendlindje, andaj besoj se do të pajtoheni se investimi në arsim dhe në të rinj është investimi më i paguar i një shoqërie”, ka theksuar ministri Shehoviq.

                Duke folur për projektet e ardhshme, ministri ka paralajmëruar se Qeveria e Malit të Zi, në vitet e ardhshme përmes buxhetit kapital, do të investojë në ndërtimin e sallës sportive të Shkollës fillore të Gucisë me vlerë projektuese 2,7 milion euro.

                “Kur jam duke folur për projektet e planifikuara në Komunën e Gucisë, kam kënaqësinë të bëj me dije se për periudhën e ardhshme është planifikuar edhe rikonstruksioni i objektit të Kopshtit parashkollor në Guci, i cili është njësi edukative e Kopshtit të fëmijëve në Plavë. Po ashtu, Shkolla fillore ‘Xhafer Nikoçeviq’, është e kandiduar për projektin e efikasitetit energjetik në ndërtesat publike. Në procedim është hartimi i projektit për përmirësimin e objektit të Shkollës fillore katërklasëshe në fshatin Vishnjevë, e cila punon në përbërje të shkollës fillore të Gucisë”, ka konfirmuar ministri Shehoviq.

                Ministri, elaborimin e vet e ka përmbyllur me konstatimin se ndien kënaqësinë që të dëshmojë për qëndrimin e këtillë të Qeverisë së Malit të Zi në krye me kryetarin Dushko Markoviq dhe për investimet kur më të mëdha në infrastrukturën arsimore në nivelin e tërë Malit të Zi, e në veçanti të Veriut.

                Ai posaçërisht ka treguar të dhënën se vlera e tërësishme e projekteve të planifikuara të cilat pak kohë më parë janë kryer në fushën e infrastrukturës arsimore në territorin e komunave Plavë e Guci, është në nivelin e rreth 2,5 milion euro.

                Në fjalën e rastit, me rastin e hapjes solemne të kompleksit të terreneve sportive, kryetarja e Komunës së Gucisë, Anella Çekiq, ka theksuar: “Ndërtimi i këtyre terreneve sportive, paraqet edhe një në vargun e projekteve të cilat realizohen në territorin e Komunës së Gucisë, me çka edhe rrumbullakojmë infrastrukturën themelore. Pos shfrytëzimit të tyre nga nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollës së Gucisë, ajo do të jetë në funksion edhe të shumë manifestimeve sportive, ndër të cilat veçoj turneun memorial në futboll të vogël ‘Elmaz – Mazo Çekiq’, i cili do të mbahet në verën e vitit të ardhshëm dhe do të jetë njëri ndër turniret me të njohura në Mal të Zi”.

                Përfaqësuesi i Fondacionit “Gusinje”, Sylejman – Sylë Gjonbalaj, në elaborimin e vet konciz e kronologjik, është përqendruar në rëndësinë e kyçjes së tërë bashkësisë në projekte të tilla.

                Në këtë drejtim, ai ka theksuar: “Dua t’i falënderoj të gjithë ata të cilët kanë dhënë kontributin e vet që ky projekt madhor të realizohet. Me këtë rast, dua të falënderoj Qeverinë, e në veçanti Ministrinë e arsimit dhe ministrin Damir Shehoviq, i cili më së shumti ka kontribuar në realizimin e këtij projekti. Fondacioni ynë që nga fillimi kujdesin e posaçëm e ka drejtuar në ndihmë shkollës fillore të Gucisë, si përmes donacioneve për pajisje me kompjuterë, po ashtu edhe përmes blerjes së inventarit të shkollës. Fondacioni ca vite me radhë ka shpërblyer laureatët e diplomës Lluça (Pishtari) por edhe ka siguruar donacione në formë të librave dhe mjeteve mësimore për të gjithë nxënësit e shkollës, në veçanti pako – dhuratat për nxënësit fillestarë”, ka theksuar ai.

                Në elaborimin e vet të mëtejmë, Gjonbalaj ka paralajmëruar pjesëmarrjen e Fondacionit edhe në projektet e reja në rikonstruksionet e objekteve të infrastrukturës arsimore në Guci, me theks të veçantë në rikonstruksionin e tërësishëm të objektit të vjetër të Shkollës fillore në Guci. Ai në fund ka bërë me dije se deri më tani në infrastrukturën e arsimit, por edhe në të tjera në territorin e komunave Plavë e Guci, ka investuar rreth 800 mijë dollarë.

                Drejtori i Shkollës fillore të Gucisë, Sherif Feratoviq, ka falënderuar Ministrinë e arsimit në krye me ministrin dr. Damir Shehoviq, Fondacionin “Gusinje” dhe të gjithë ata të cilët kanë kontribuar në realizimin e këtij investimi.

                Qëllimi i ndërtimit të kompleksit të terreneve sportive të shkollës sonë është bukur i qartë, e këtë mund ta konkretizojmë me shprehjen latine “Në trupin e shëndoshë, shpirti i shëndoshë”.

                Me terrenet e ndërtuara në poligonin tonë sportiv, kemi gëzuar me të rinjtë, prindërit e tyre, por edhe të rinjtë dhe shfrytëzuesit tjerë të tyre. Natyrisht, edhe ne punëtorët e arsimit me kënaqësi do t’i shfrytëzojmë ato. Jam i sigurt se përmes marrjes me aktivitete sportive, rininë tonë do ta sprapsim nga veset dhe shprehitë e këqija, ka theksuar ai.

Exit mobile version