Dje në ambientet e sallës së Kuvendit të Komunës së Tuzit është mbajtur debati publik mbi buxhetin e vitit 2021. Ky debat u hap nga sekretari i Sekretariatit për Financa dhe Zhvillim Ekonomik, Emin Haxhi, i cili bëri të ditur se buxheti i komunës për vitin 2021 do të jetë 5.8 milion euro që është 45% më i lartë se vitin e kaluar. Të ardhurat burimore priten të jenë 1.460.000,00 euro, taksat 30.000,00 euro, kompensimet 675.000,00 euro, të ardhurat tjera 44.000,00 euro, ndërsa donacionet 3.280.706,00 euro, prej të cilave donacionet e BE-së arrijnë vlerën e 780.706,00 euro dhe nga buxheti i Malit të Zi, 2.500.000,00 euro. Në këtë diskutim ishin prezent kryetarët e bashkësive lokale të cilët diskutuan mbi propozimet e tyre së bashku me Kryetarin e Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj. Pjesa më e madhe e parave nga buxheti i komunës shkon për shpenzimet kapitale 2.834.000,00 euro. Për vitin e ardhshëm subvencionimi për të ndihmuar prodhuesit bujqësor dhe fermerët është i paraparë të jetë 240.000,00 euro. Gjatë ditës së sotme poashtu u diskutua mbi programin e planit hapësinor në bazë të kërkesave të bashkësive lokale që u prezentuan nga drejtuesi i sekretariatit për planifikim, rregullim hapësinor dhe plane komunale, Lek Ivezaj dhe nënkryetari i Komunës së Tuzit, Ivan Ivanaj. Shqyrtimi publik mbi buxhetin e komunës së Tuzit për vitin 2021 është i hapur deri me 21 dhjetor.