Policia Kufitare e Shqipërisë ka proceduar penalisht një shtetas nga Kosova pasi i ka gjetur 28,400 euro të padeklaruara në pikën kufitare të Muriqanit midis Shqipërisë dhe Malit të Zi.
Gjatë kontrollit në automjet dhe në çantën e dorës të shtetasit P. P., shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 28,400 euro që i posedonte shtetasi P. P., por nuk i kishte deklaruar në kufi, sipas përcaktimeve ligjore, njofton policia.
Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin kosovar P. P., 50 vjeç, banues në Gjermani, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.