Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Xhelal Muja – Ublat – trashëgimi kulturore dhe jetike në Krajë

NJË UDHËRRËFYES PËR UBLAT NË KRAJË

Autori Xhelal Muja është paraqitur para lexuesit ditë më parë me monografinë “Ublat – trashëgimi kulturore dhe jetike në Krajë”, e cila është një udhërrëfyes për ublat në Krajë.

Libri është rezultat i punës hulumtuese disavjeçare të autorit në terren. Ai ka arritur të evidentojë 397 ubla në tërë territorin e Krajës, të cilat janë paraqitur në libër, por është i vetëdijshëm se mund të ketë edhe ubla të tjera që për arsye objektive nuk ka arritur t’i vizitojë apo të sigurojë të dhëna për to.

Sipas autorit, “Ublat e Krajës paraqesin një trashëgimi të rrallë kulturore për kranjanët por edhe për hapësirën mbarëshqiptare. Janë monumente dhe dëshmi shumë e lashtë e jetës dhe e mbijetesës në këto troje”. Megjithëse “pranë ujit, por pa ujë”, banorët e Krajës ishin të detyruar të shpikin burime alternative të ujit – ublat, këto ndërtime arkitektonike të veçanta, mbase unike në tërë hapësirën etnogjeografike shqiptare dhe më gjerë, si një mënyrë të ekzistencës jetësore.

Në pjesën e parë të librit autori ofron të dhëna historike e gjeografike për Krajën dhe vendbanimet e saj, mbi legjendat, gojëdhënat dhe bestytnitë për ublat dhe raportet e njeriut me to, llojet e ublave, mënyrën e ndërtimit të tyre etj. Autori polemizon ndaj përpjekjeve për shtrembërimin e të dhënave lidhur me disa ubla në Krajë.

Në pjesën e dytë të librit jepet vendndodhja e ublave në Krajë. Renditja e tyre është bërë duke marrë parasysh rendin alfabetik të vendbanimit ku ato ndodhen. Për çdo ubël autori jep një përshkrim të shkurtër, koordinatat ku ato gjenden, duke i ilustruar edhe me fotografi. 

Libri “Ublat – trashëgimi kulturore dhe jetike në Krajë” përbën një kontribut të rëndësishëm në evidentimin e kësaj trashëgimie dhe tradite, e cila dita-ditës po shkatërrohet. Ai është botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, ndërsa është shtypur në shtypshkronjën IVPE – Cetinë. Redaktor i librit është Ali Gjeçbritaj, recensues Dr. Nail Draga, redaktor teknik Qazim Muja, kurse fotografitë janë realizuar nga Ndriçim Muja.

Me profesion mësimdhënës i matematikës, autori Xhelal Muja e ka pasion natyrën, bjeshkatarinë dhe bletarinë. Është anëtar i Shoqatës së Bjeshkatarëve “Rumia” dhe kryetar i Organizatës Joqeveritare “Bletarët e Ulqinit”. Ky është libri i tij i parë.

        Ulqin, më 21. 04. 2022                                                                SHAI “Art Club”

Exit mobile version