Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Zbulohet një sekret 300-vjeçar: Si u bënë Malësorët shqiptarë serbë ortodoksë në zemër të Sanxhakut

Autori: Suad K. Zoranić

Termi Malisorë (alb. Malësorë, që do të thotë “banorë të maleve”) i referohet fiseve tradicionale shqiptare të vendosura në zonën malore të veriut të Shqipërisë dhe Malit të Zi, të njohur historikisht si Malësia. Ndër fiset më të mëdha në këtë trevë ishin Kelmendi (Klimenti) dhe Shkreli, degë të të cilëve, gjatë periudhës osmane, migruan edhe në rajonin e Sanxhakut.

Në fund të shekullit XVII dhe fillim të shekullit XVIII, për shkak të luftërave dhe politikave demografike osmane, u regjistruan migrime të mëdha të Malësorëve drejt Sanxhakut. Në vitin 1700, autoritetet osmane, në përpjekje për të kontrolluar fiset kryengritëse, shpërngulën rreth 251 familje të fisit Kelmendi (afro 2.000 njerëz) në Pllajën e Peshterit. Sipas burimeve të kohës, madje edhe bajraktari i Kelmendëve pranoi islamin nën presion dhe u zotua t’ua impononte fenë e re edhe bashkëfisnorëve.

Shumica e këtyre Kelmendëve të dëbuar u përpoqën të ktheheshin në trojet e tyre: në vitin 1705 arritën të thyenin bllokadën osmane, ndërsa në 1711 organizuan një ekspeditë të madhe të armatosur në Peshter për të rimarrë edhe pjesën tjetër të fisit të shpërngulur.

Asimilimi gradual i Kelmendëve dhe Shkrelajve në Sanxhak

Kelmendët që mbetën në Peshter gradualisht pranuan islamin, dhe deri në fillim të shekullit XIX ishin plotësisht të islamizuar. Po ashtu, ata ende me kalimin e kohës lanë gjuhën amtare shqipe dhe adoptuan të folmen sllave të rajonit, duke u bërë sllavofonë në brezat që pasuan.

Proces i ngjashëm ndodhi edhe me degë të fisid Shkreli, një pjesë e të cilëve u vendos në Sanxhak pas vitit 1700 (përmes Rugovës së Kosovës) dhe pranuan islamin në shekullin XVIII, duke u asimiluar përfundimisht në kulturën dhe gjuhën sllave. Si rrjedhojë, shumica e pasardhësve të Shkrela dhe Kelmendëve në Sanxhak sot identifikohen si boshnjakë (me fe islame dhe gjuhë sllave).

Megjithatë, një pjesë e Malësorëve të ardhur mbeti e krishterë dhe me kalimin e kohës u shkrinë brenda popullsisë serbe ortodokse. Regjistrimet etnologjike përmendin, për shembull, familjen Ćilerdžić, pasardhës të fisit Shkreli që ruajtën fenë e krishterë. Malësorë të tillë të “serbizuar” gjenden edhe sot në disa fshatra të Tutinit dhe Novi Pazarit.

Prekiqët dhe Ćope (fshati Dolovo, komuna Tutin)

Në fshatin Dolovo në Peshter jetojnë ende pasardhës të fisit Shkreli. Sipas antropografit Milisav Lutovac (1957), në Dolovo ka pesë shtëpi të familjes Prekić, me origjinë nga Shkreli. Paraardhësit e tyre ishin ndër vendësit e parë të zonës, fillimisht në lagjen Debeljak, dhe më vonë u zhvendosën në pjesë të tjera të fshatit.

Mbiemri Prekić mendohet se rrjedh nga emri shqiptar Preka (shkurtim i Prenk, pra Frang), çka tregon një lidhje të dikurshme me traditën katolike. Gjatë shekujve, familja ndryshoi identitetin fetar dhe etnik: sot shumica e tyre janë myslimanë dhe identifikohen si boshnjakë, megjithëse ruajnë kujtime për prejardhjen e tyre shqiptare.

Një degë e kësaj familjeje u shpërngul në fund të shekullit XIX në Toplicë (Serbi): familja Ćulafić (më pas Milić) nga fshati Zdravinje pranë Prokupljes vjen nga Prekiqët e Dolovës. Ajo degë pranoi krishterimin ortodoks dhe sot feston Shën Nikollën, ndërsa pjesa e mbetur në Peshter u islamizua plotësisht dhe nuk praktikon më traditat e krishtera.

Familja Ćope, një degëzim i Prekiqëve, gjendet në Dolovo dhe fshatrat përreth. Edhe ata e kanë origjinën nga Shkreli, janë sot myslimanë dhe identifikohen si boshnjakë, por tradita e vjetër shqiptare ruhet në gojëdhëna familjare.

Prdonjić, Nikić, Nikolić dhe Milosavljević

(fshati Rajetiće, Novi Pazar)

Fshati malor Rajetiće është vendbanim ku sot jetojnë disa familje serbe ortodokse me prejardhje nga fisi Kelmendi. Sipas hulumtimit të Petar Ž. Petrović (Raška, 2010), në Rajetiće ekzistojnë katër familje me këtë origjinë: Prdonjići, Nikići, Nikolići dhe Milosavljevići. Të gjitha festojnë Shën Stevanin si ditë të shenjtë familjare (krsna slava).

Sipas gojëdhënës popullore, këta janë “Klimente të serbizuar”, pra familje serbe sot, por me origjinë nga fisi shqiptar Kelmendi. Ata janë integruar plotësisht në komunitetin serb: flasin serbisht, janë ortodoksë dhe praktikojnë traditat serbe, ndërkohë që ruajnë vetëm disa elementë të trashëgimisë malësore në kujtesën familjare.

Mbiemrat e tyre, të formuar sipas emrave të paraardhësve (Nikola → Nikić/Nikolić, Milosav → Milosavljević), sugjerojnë se në kohën e vendosjes në Rajetiće ata tashmë ishin të pagëzuar në fenë ortodokse. Është e mundur që paraardhësit e tyre nga Kelmendi të kenë kaluar në ortodoksi më herët, në shekullin XVIII ose në fillim të shek. XIX.

Slava – stigma e asimilimit

Slava, tradita serbe e nderimit të shenjtorit familjar, u bë shenjë identitare e Malësorëve që pranuan krishterimin ortodoks. Për shembull, të gjitha familjet kelmendase të Rajetiqes sot festojnë Shën Stevanin, çka tregon se vijnë nga i njëjti trung.

Ndërkohë, Prekiqët dhe Ćope, duke qenë myslimanë, nuk e festojnë slavën, por degët e tyre të shpërngulura në Serbi (familja Milić) festojnë Shën Nikollën, një prej slavave më të përhapura serbe.

Transformimi etnik: nga katolikë shqiptarë në boshnjakë e serbë

Procesi i transformimit etnik të këtyre familjeve u zhvillua gradualisht. Malësorët fillimisht katolikë (ose bogumilë në disa zona) pranuan islamin nëse vendoseshin në zonë me shumicë myslimane – si në Peshter – duke u bërë më vonë pjesë e identitetit boshnjak.

Ata që u vendosën në mjedise të krishtera, ose u bashkuan me ushtrinë austriake gjatë 1737, ose u vendosën në fshatra serbe përreth, pranuan krishterimin ortodoks dhe u serbizuan me kalimin e shekujve.

Shumë prej tyre ruajtën elemente të kulturës shqiptare në zakone dasmash, në emra të vjetër, në fiziologji apo në gojëdhëna. Sot këto prejardhje studiohen kryesisht përmes burimeve arkivore, kërkimeve gjenetike dhe të dhënave etnologjike.

Përhapja e Malësorëve në mbarë Sanxhakun dhe përtej

Fenomeni i familjeve me origjinë malësore nuk kufizohet vetëm në Tutin e Novi Pazar. Migrimet masive të shekullit XVIII lanë gjurmë në të gjithë rajonin. Etografi Milisav Lutovac thekson se zona e Rozhajës dhe pjesë të Sanxhakut janë të banuara gjerësisht me pasardhës të Kelmendëve. Familja Dacić në Rozhajë, për shembull, vjen nga fisi Kelmendi.

Në Peshter dhe Sjenicë gjenden po ashtu familje që rrjedhin nga fiset Hot, Grudë, madje edhe nga grupime dukagjinase.

Në Bihor (Bijelo Polje dhe Petnjica) shumë familje boshnjake ruajnë emra ose nofka të prejardhura nga fiset shqiptare – mbiemri i përhapur Shkrijelj lidhet drejtpërdrejt me Shkrelin.

Ekzistojnë gjithashtu familje malësore ortodokse në Hercegovinë Lindore, të cilat sot janë plotësisht pjesë e popullsisë serbe.

Përfundim

Malisorët, ndonëse në numër më të vogël krahasuar me popullsinë e përgjithshme, kanë luajtur një rol të rëndësishëm në etnogjenezën dhe mozaikun kulturor të Sanxhakut. Pasardhësit e tyre sot janë kryesisht asimiluar si boshnjakë ose serbë, por në shumë familje, kujtimet për origjinën malësore ende jetojnë – qoftë në ndonjë mbiemër, në një tregim të trashëguar apo në interesin e ri për genealogjinë.

Referenca:

Për përgatitjen e këtij artikulli janë përdorur burime akademike e historike që dëshmojnë për praninë dhe trashëgiminë e Malësorëve në Sanxhak, përfshirë studimet e Jovan Tomiçit për Kelmendët në Peshter, veprën etnografike të Milisav Lutovcit (Rožaje i Štavica, SANU 1957), si dhe monografinë Raška (Petar Ž. Petrović, 2010). Gjithashtu janë konsultuar të dhënat e projektit genealogjik Poreklo.rs dhe tregimet tradicionale të mbledhura nga historiografia lokale.

Exit mobile version