Site icon PLAVA E GUCIA SOT

ZYRTARE: KUSHTETUESJA HEDH POSHTË VOTËN E ARIFIT, KOSOVA SHKON NË ZGJEDHJE

Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë votën e deputetit Etem Arifi dhe ka urdhëruar u.d presidenten Vjosa Osmani, që të shpallë zgjedhjet e parakohshme në afat prej 40 ditësh.

Vendimi është publikuar të hënë mbrëma në faqen e Kushtetueses.

Vendimi i plotë

Në seancën shqyrtuese të mbajtur më 21 dhjetor 2020, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi kërkesën: 1. KO 95/20. Më poshtë mund të lexoni përmbledhjen e shkurtër të vendimit (teksti i plotë i vendimit do t’u dorëzohet palëve, do të publikohet në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare gjatë ditëve në vijim):

  1. Lënda: KO 95/20

            Parashtrues: Liburn Aliu dhe 16 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së

            Kosovës

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së Vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nr. 07/V-014, të 3 qershorit 2020, për Zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për të cilin pala parashtruese pretendonte se nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë], në lidhje me nënparagrafin 6 të paragrafit 3, të nenit 70 [Mandati i Deputetëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Kërkesa bazohej në paragrafin 5 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 42 [Saktësimi i kërkesës] dhe 43 [Afatet] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 74 [Kërkesa në pajtim me nenin 113.5 të Kushtetutës dhe me nenet 42 dhe 43 të Ligjit] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.

PËRFUNDIME

  1. Me datat 28 mars dhe 20 gusht 2019, Etem Arifi ishte dënuar me Aktgjykim të formës së prerë të Gjykatës së Apelit, me një vit e tre muaj burgim. Më 6 tetor 2019, u mbajtën zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Etem Arifi kandidoi dhe u zgjodh deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Më 27 nëntor 2019, KQZ certifikoi rezultatin e zgjedhjeve dhe në listën e deputetëve të certifikuar ishte edhe Etem Arifi. Më 26 dhjetor 2o19, u mbajt mbledhja konstituive e Kuvendit ku u konfirmua mandati i Etem Arifit. Që nga ajo kohë, Etem Arifi vazhdoi të ushtronte funksionin e deputetit, edhe pse ndaj tij rëndonte një dënim gjyqësor i formës së prerë, për një vepër penale, me një vit e tre muaj burgim.
  1. Më tutje, Gjykata thekson se fakti që neni 70.3 (6) i Kushtetutës, neni 8.1.6 i Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit dhe neni 112.1 (a) i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme i referohen dënimit të deputetit (pra dënimit pasi ai ta ketë fituar mandatin), është reflektim i prezumimit se neni 29.1 (q) i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili mbështetet në nenin 71.1 të Kushtetutës, nuk lejon që një person i dënuar me burgim gjatë tri viteve të fundit para zgjedhjeve të kandidoj për deputet dhe të fitoj mandatin e deputetit.
  1. Rrjedhimisht, duke u bazuar në gjuhën e qartë të nenit 71.1 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, si dhe nënparagrafit 6 të paragrafit 3 të nenit 70 të Kushtetutës, Gjykata konsideron se asnjë person nuk mund të fitoj dhe mbaj mandat të vlefshëm të deputetit nëse është i dënuar për vepër penale sikurse parashihet me këto dispozita, me vendim gjyqësor të formës së prerë, nëse kundër tij/saj ka një vendim dënues që është në fuqi në Republikën e Kosovës.
  1. Gjykata vëren sqarimin e KQZ-së se sipas Aktgjykimit AA.-Uzh.nr.16/2017, të 19 shtatorit 2017 të Gjykatës Supreme, “askujt nuk mund t’i mohohet e drejta për të garuar në zgjedhje, nëse një e drejtë e tillë nuk i është hequr me vendim gjyqësor, e që don të thotë, se kandidati duhet me vendim të formës së prerë, të shpallet fajtor dhe gjykata, t’i ketë shqiptuar dënimin plotësues “heqjen e të drejtës për tu zgjedhur”.
  1. Megjithatë, Gjykata konsideron se Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme nuk kërkon që personave të dënuar për vepra penale t’iu shqiptohet medoemos si dënim plotësues “heqja e të drejtës për t’u zgjedhur”, në mënyrë që ata të mos lejohen të kandidojnë në zgjedhje parlamentare. Kjo meqë, sipas nenit 29.1 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, ndër të tjera, parashihen edhe këto dy baza: (i) heqja e të drejtës për të qenë kandidat në zgjedhje me vendim të PZAP-it dhe gjykatës; si dhe (ii) pamundësia për të qenë kandidat për shkak të shpalljes fajtor për një vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit. Këto janë baza të ndryshme/të ndara që shkaktojnë pamundësinë/papërshtatshmërinë për të qenë kandidat. Gjykata është e mendimit se ky interpretim përputhet edhe me leximin e ndërlidhur të neneve 45, 55 dhe 71 të Kushtetutës.
  1. Gjykata konsideron të rëndësishme të vë në dukje se kandidimi në zgjedhje parlamentare i Etem Arifit, zgjedhja e tij si deputet dhe ushtrimi i mandatit të deputetit – të gjitha këto pasi që ai ishte dënuar me një vit e tre muaj burgim, me vendim gjyqësor të formës së prerë – shpërfaqë ekzistimin e paqartësisë normative dhe të metave serioze në mekanizmat institucional të Republikës së Kosovës, që janë kompetent për të garantuar ligjshmërinë dhe integritetin kushtetues të proceseve zgjedhore dhe veprimtarisë parlamentare.  Kjo paqartësi është e dukshme edhe në përgjigjet që janë dhënë nga trupat përkatës të Kuvendit dhe nga KQZ-ja.  
  1. Në lidhje me këtë, Gjykata potencon nevojën që Kuvendi i Republikës së Kosovës me komisionet e tij, në bashkëveprim me institucionet gjegjëse, duke përfshirë edhe KGJK-në dhe KQZ-në, të qartësojnë dhe konsolidojnë bashkëpunimin ndër-institucional dhe aspektet normative që kanë të bëjnë me kandidimin në zgjedhje parlamentare dhe ushtrimin e mandatit të deputetit, nga ana e personave të dënuar për vepra penale.
  1. Kjo është e domosdoshme për të shmangur situatat paradoksale, nga këndvështrimi kushtetues, ku një person, pasi është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë sikurse parashihet me nenet përkatëse të Kushtetutës dhe ligjeve, i lejohet të kandidojë në zgjedhje parlamentare, të zgjedhet deputet, t’i verifikohet mandati, si dhe të vazhdojë të ushtrojë funksion e deputetit në Kuvendin e Republikës së Kosovës, madje edhe gjatë vuajtjes së dënimit me burgim. Ndërkohë që Kushtetuta dhe ligjet përkatëse vënë barriera të qarta normative për të mos lejuar personat e dënuar me burgim për kryerjen e veprave penale, që të zgjedhën deputet dhe të ushtrojnë mandatin e deputetit.
  1. Për sa i përket zgjedhjes së Qeverisë, Gjykata thekson se në mënyrë që Qeveria të zgjedhet, konform paragrafit 3 të nenit 95 të Kushtetutës, “për” Qeverinë duhet të votojnë të paktën gjashtëdhjetë e një (61) deputetë të Kuvendit. Në rastin konkret, sipas dokumenteve zyrtare të Kuvendit, Gjykata vëren se më 3 qershor 2020,  gjashtëdhjetë e një (61) deputetë kishin votuar “për” Qeverinë, gjegjësisht për vendimin e kontestuar. Për miratimin e Vendimit të kontestuar kishte votuar edhe Etem Arifi. Pasi Gjykata gjeti se mandati i Etem Arifit kishte qenë i pavlefshëm para votimit të Vendimit të kontestuar, ai Vendim kishte marrë vetëm gjashtëdhjetë (60) vota të vlefshme. Për pasojë, procedura për të zgjedhur Qeverinë nuk është zhvilluar në përputhje me paragrafin 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, sepse Qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
  1. Gjykata vë në pah se neni 95 i Kushtetutës, siç është interpretuar përmes praktikës së saj gjyqësore,parasheh dy tentativa për zgjedhur Qeverinë nga Kuvendi. Në të dyja rastet, Qeveria për t’u konsideruar e zgjedhur duhet të këtë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, përkatësisht gjashtëdhjetë e një (61) vota. Nëse as pas tentimit të dytë nuk zgjedhet Qeveria, neni 95.4 i Kushtetutës parasheh shpalljen e zgjedhjeve nga ana e Presidentit të Republikës së Kosovës.

PËR KËTO ARSYE

Gjykata Kushtetuese, në mbështetje të nenit 113, paragrafi 5, të Kushtetutës, neneve 42 dhe 43 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe në mbështetje të rregullave 59 (1) dhe 72 të Rregullores së punës, njëzëri

VENDOS

  1. TË SHPALLË kërkesën të pranueshme;
  1. TË KONSTATOJË se, në bazë të nenit 71.1 të Kushtetutës të Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me nenin 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, personi i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tri (3) vitet e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitoj mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës;
  1. TË KONSTATOJË se, Vendimi nr. 07/V-014 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për Zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, i 3 qershorit 2020, nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, sepse Qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës;
  1. TË KONSTATOJË se, marrë parasysh se Qeveria nuk është zgjedhur sipas paragrafit 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, atëherë mbështetur në paragrafin 4 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, Presidenti i Republikës së Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre;
Exit mobile version