(E përditësuar, 16:40) Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin do të mbahen më 7 qershor.
Vendimi u bë i ditur pas një takimi konsultativ me përfaqësues të partive politike, ku, sipas saj, ishin ftuar 17 subjekte, ndërsa 15 prej tyre morën pjesë.
Partitë pajtohen, Haxhiu: Zgjedhjet mbahen më 7 qershor
(E përditësuar, 16:10) Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu ka deklaruar se pas konsultimeve me partitë politike ka vendosur që data e zgjedhjeve të jetë 7 qershori.
“Pas vlerësimit të afateve kushtetuese, nevojave organizative të KQZ-së, dhe rëndësisë së pjesëmarrjes sa më të gjerë të qytetarëve në këtë proces kam vendosur që zgjedhjet e parakohshme për Kuvendit e Republikës së Kosovës të mbahen me 7 qershor”, deklaroi Haxhiu.
Ushtruesja e detyrës së presidentes tha se kjo nuk është çfarë ajo qytetarët kanë dashur, sepse, sipas saj, qytetarët kanë pritur bashkim kur bëhet fjalë për interesat e vendit e institucione stabile.
“Po vonohemi në shumë reforma pa asnjë nevojë. Shumë punë kemi para vetës dhe nuk e kemi komoditetin që të humbim kohë. Për muaj me radhë janë bërë përpjekje që vendi të ketë institucione funksionale e proceset kushtetuese të përmbyllen brenda Kuvendit. Megjithatë, në demokraci kur rruga institucionale bllokohet, fjala i kthehet qytetarëve. Tani përgjegjësia është e të gjithëve, e institucioneve që të organizojnë një proces të rregullt e transparent, por edhe të besueshëm, e subjekteve politike që të garojnë me përgjegjësi e respekt për qytetarët, edhe qytetarëve që me votën e tyre të lirë të përcaktojnë drejtimin e ardhshëm të vendit”, tha Haxhiu.
Ajo tha se Kosova ka ditur të organizojë procese zgjedhore të lira, demokratike dhe të besueshme.
Ushtruesja e detyrës së presidentes ka folur rreth emërimit edhe të një anëtari të KQZ-së, për çka tha se fuqia politike, proporcionaliteti, përfaqësimi janë parime që nuk duhet t’i mohojë askush.
“Përbërja e KQZ-së është prej 11 anëtarëve, për momentin janë 10 anëtarë, sepse edhe një nuk është emëruar ende. Unë jam interesuar nëse kjo përbën problem për KQZ-në, dje dëgjova që thanë se do të kontestohet procesi zgjedhor e kështu me radhë. Por, unë u kam njoftuar që i kam dy kërkesa atë të PDK-së e LVV-së, për t’i emëruar anëtarët e tyre. Unë për këtë çështje kam pasur mendim edhe më herët. Fuqia politike, proporcionaliteti, përfaqësimi, janë parime që nuk duhet t’i mohojë askush. Duke qenë se kanë kaluar tashmë të gjitha afatet, sepse një proces kushtetues i nisur nga presidentja Osmani, është dashur të përmbyllej nga vetë ajo, por kjo nuk ka ndodhur, tash gjitha afatet kanë kaluar. Jam në trajtim të kësaj çështje dhe do të veproj në përputhje me përgjegjësitë, por të jeni të sigurt që me 10 anëtarë në KQZ, asgjë nuk rrezikohet, as certifikimi i partive, as i rezultatit të zgjedhjeve. Do të veprojë atëherë kur konsideroj që duhet të veprojë”, tha Haxhiu.
Partitë pajtohen: Zgjedhjet mbahen më 7 qershor
Ka përfunduar takimi i ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu me partitë politike. Përveç PDK e AAK, edhe LDK është pajtuar për 7 qershorin si datë të zgjedhjeve.
Pas takimit me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se për partinë që drejton cilado nga datat brenda afateve kushtetuese është e pranueshme qoftë 31 maj apo 7 qershor.
“Ne jemi të përgatitur, të gatshëm të shkojmë në zgjedhje brenda listës së PDK-së do të ketë risi, emra dhe figura të tjera”, deklaroi Hamza.
Jehona Lushaku-Sadriu nga LDK-ja tha se si parti kanë dhënë opinionin e tyre, prandaj tha se janë dakord për datën 7 qershor meqë si datë e ka kërkuar edhe KQZ-ja.
“Synojmë t’i japim Kosovës një vizion tjetër, bashkim të së djathtës e cila do të ketë program zhvillimor, për një Kosovë që i forcon aleancat ndërkombëtare, që prezanton projekte zhvillimore hapë vende pune e jo ta lërë vendin në sanksione e skema sociale. Besoj shumë që qytetarët e Kosovës do ta shohin këtë risi”, deklaroi Lushaku-Sadriu.
Ndërkaq, Ardian Gjini nga AAK-ja tha se zgjedhjet janë shancë për vendin.
“Ne po bëhemi gati t’i japim Kosovës atë që duhet, stabilitet e rrugë të zhvillimit e populli i Kosovës duhet ta shfrytëzojë këtë”.
Gjini tha se është i propozuari i AAK-së për kryeministër. “Vendimet në AAK i merr Këshilli Drejtues, jam i propozuar për kandidat për kryeministër dhe bartës së listës, por duhet pritur vendimit e Këshillit Drejtues të AAK-së i cili pritet të ndodhë shpejt”, tha ai.
Në ndërkohë ushtruesja e detyrës së presidentes, Haxhiu pritet të deklarohet për media në ora 16:00.
(15:30) PDK dhe AAK pajtohen për 7 qershorin si datë të zgjedhjeve
Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë pajtuar që 7 qershori të caktohet si datë e zgjedhjeve të parakohshme, pas takimit me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiun.
Haxhiu nis takimin me partitë politike për datën e zgjedhjeve
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu ka nisur takimin me përfaqësuesit e partive politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme.
Në takim janë kryetari i PDK-së Bedri Hamza, nënkryetarja e LDK-së Jehona Lushaku – Sadriu, Donika Gërvalla nga partia Guxo, Ardian Gjini nga AAK dhe përfaqësuesit e tjera nga partitë e komuniteteve.
Haxhiu dje zhvilloi takimin me kryesuesin e KQZ-së, Kreshnik Radoniqi për të diskutuar për procedurat e zgjedhjeve. Në mes të 31 majit dhe 8 qershorit, Radoniqi propozoi datën e fundit si më të favorshme.

