Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Zyrtari i lartë ushtarak i huaj në Kosovë informon Gjukanoviqin se po përgatitet një atentat ndaj tij

Ish-presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ka njoftuar autoritetet kompetente malazeze se ka marrë informacion se ndaj tij po përgatitet një atentat.

Policia malaziase të premten vonë ka thënë se nuk ka të dhëna që tregojnë se po rrezikohet siguria e Gjukanoviqit. Agjencia e Sigurisë Kombëtare nuk ka dhënë koment, shkruan vijesti.me.

“Ish-presidenti i ka marrë informacionet e lartpërmendura nga disa zyrtarë ndërkombëtarë nga komuniteti i inteligjencës dhe me ato informacione ka njoftuar autoritetet shtetërore”, thuhet në përgjigjen e zyrës së Gjukanoviqit për “Vijesti”.

Zyra nuk është përgjigjur se kujt dhe kur Gjukanoviqit i janë dhënë këto informacione.

Një burim i afërt me Gjukanoviq tha se një zyrtar i lartë ushtarak i huaj në Kosovë e informoi atë se një grup i organizuar kriminal nga një vend fqinj dyshohet se po planifikonte të kryente një atentat, në bashkëpunim me shërbimet e sigurisë së një vendi tjetër fqinj.

“Sipas nenit 18 të Ligjit për Presidentin e Malit të Zi, me përfundimin e detyrës, presidenti ka të drejtë për sigurim të përhershëm personal në përputhje me vlerësimin e sigurisë të përcaktuar nga organi kompetent, në pajtim me ligjin. Agjencia e Sigurisë Kombëtare është përgjegjëse për përgatitjen e raporteve për vlerësimin e kërcënimeve të sigurisë”, ka thënë Policia.

Duke iu përgjigjur pyetjes se a është rritur siguria e Gjukanoviqit, zyra e tij ka njoftuar se ajo është reduktuar.

“Ndryshimet e sigurisë në atë periudhë kanë ndodhur deri në atë masë sa që siguria në vendbanimin e ish-presidentit është hequr gjatë ndërrimit të ditës”, njoftoi zyrja.

Ata gjithashtu theksuan se shërbimet malazeze të sigurisë nuk e kanë thirrur Gjukanoviqin apo koordinatorin e tij të sigurisë për intervistë, për të vënë në dukje rrezikun e mundshëm.

“Nuk ka pasur asnjë iniciativë për bisedë nga përfaqësuesit e shërbimeve të sigurisë”, kanë thënë nga zyra e Gjukanoviqit. 

Exit mobile version