Nga Nexha Gjema
Krejt çka mundem me thanë, është se na mahniti Malësia e Hotit.
Nuk ishte veç nji vizitë, por nji përjetim i thellë që t’len pa fjalë:
Bukuri natyrore, mikpritje prej zemre, rranjë të lashta që flasin me gurë, me kangë, me emna fisnikë e me histori që s’ka mbarim.
Hoti i Kujit, ose siç i thonë ndryshe Hoti i Plavës, ndodhet në juglindje të liqenit të Plavës. Qysh më 1330, ky vend i fisit të lashtë përmendet si “Mali i Hotënve” – për gjakun, besën e burrninë që e ka dhanë brez pas brezi.
Hoti asht nji fis historik, pjesë e Malësisë së Madhe – krahina që sot asht e ndamë mes Malit të Zi e Shqipnisë.
Po kufijtë s’mujnë me nda shpirtin – shqiptaria jeton e rreh fort n’këto troje.
💜 Kaltrina Hoti – bija që e ktheu dritën n’fshat
Kaltrina Hoti – bijë e kësaj toke, krijuese me shpirt t’madh – na la pa fjalë me fjalën, poezinë, penën, pikturën e dashninë e saj t’pakufishme për Malësinë.
Ajo, bashkë me Cenë Haxhajn (vëllau i saj), me Ilirin, Ibron e të tjerë, na e shpalosën Hotin me nji përkushtim që s’blehet me kurgja.
Kaltrina e ka lanë Amerikën, jo për me u kthye veç me mall, por me mision: me e gëzue Malësin e me i tregue se kurr nuk do harrohet kjo tokë.
Gjithashtu, misioni tjetër i saj ishte me e hapë Galerinë e Hotit, me e kthy artin në frymë, me e lidhë Malësinë me kulturën, me dashninë, me vetveten. Me ngritë zanin e Malësorit…
Ajo tha vetë:
“Kur komuna nuk na ndihmon, na e ndihmojmë vetën – me shpirt, me ngulm e me dritë.”
Arriti me u përballue me shumë sfida, deri sa e solli elektrikën, asfaltin e tani edhe internetin në Malësi.
E njëjtë si Kaltrina, edhe Ibër Hoti, e ka kthye shtëpinë e vet në shtëpi të kulturës.
Atje mblidhen të rij, artistë, shkrimtarë, dashamirë – me e majtë gjallë frymën e Malësisë, gjuhën, historinë e krenarinë.
Në mungesë të institucioneve, ata po e mbajnë gjallë Hotin me shpirt.
Cenë Haxhaj nuk është veç dëshmi e burrnisë – po zani i atyne mërgimtarëve që nuk i la as toka, as gjaku, as e vërteta me ndejt duarkryq. Ai la Amerikën për me marrë pushkën për Kosovën
Ai ishte pjesë e Batalionit Atlantiku, bashkë me shumë të tjerë nga Plava, Gucia e diaspora shqiptare në SHBA – që lanë jetën e qetë, mundësitë, e rehatinë, për me u kthye me armë në dorë, në tokën që i thirri gjaku.
Jo për dekorata.
Jo për tituj.
Por për me dhanë krejt çka kishin – edhe jetën, nëse duhej – për Kosovën.
…
Hotjanët…Një tokë që flet – e nji popull që s’dorëzohet
Në çdo cep të Hotit ndihen gjurmët e brezave: bajraktarë, martirë, vëllazni që lindën fise, gojëdhana që s’harrohen kurrë.
Këtu jeta ka ecë krahas pushkës, penës e lahutës.
Kisha e Shën Mëhillit dëshmon për lashtësinë, e legjendat e Martirëve të Flamurit tuj e mbajtë të gjallë ndërgjegjen.
Malësorët kurr nuk dorëzohen
As Perandoria Osmane s’i theu kurr.
As mbretënit serb.
As shteti i sotëm që i sheh si pakicë në tokën që e kanë mbrojtë me jetë.
Ata nuk e harrojnë flamurin që u ngrit mbi Bratilë.
Nuk e harrojnë këngën, lahutën, pushkën e penën.
Kaltrina, Ibri, Cena dhe Iliri, si dhe gjithë bijtë e bijat e Malësisë – janë zani që nuk hesht.
💚 Zani i Hotit – thirrje për krejt neve
Ata nuk lypin mëshirë.
Veç kujtesë. Dëgjim. Vetëdije dhe respekt.
Presin me e ndje Shqipnia që n’at cep të harruem – ende ka shqiptarë që nuk janë të lirë.
🔴 A e ndien Hotin Shqipni & Kosovë?
Ai të thërret n’heshtje…
Në Plavë dhe Guci, shqiptarët përbëjnë mbi 10% të popullsisë.
Por sot e kësaj dite, në shtetin e Malit të Zi, malsorët shqiptarë përballen me padrejtësi:
As nuk i përmend kush.
As nuk i respekton kush.
As gjuhën nuk ua njeh shteti.
Asnjë polic kufitar shqiptar.
Asnjë kryetar komune që i përfaqëson.
Asnjë institucion me emër shqip.
Asnjë tabelë, asnjë program, asnjë konkurs publik në gjuhën e tyne. Shqiptarët përjashtohen në heshtje nga gjithçka. Përderisa përgjatë rrugës Kosovë -Plavë, shpalosen flamuj të Rusisë e Serbisë…
Një dhimbje. Një turp.
Koha me thanë MJAFT
Shqiptarët e Malësisë nuk janë të ardhun. Janë zot të tokës së vet.
Nuk lypin as mëshirë, as lëmoshë – po të drejtë, barazi, dinjitet.
E nëse shteti nuk ua jep – atëherë duhet me kërku bashkë.
Sepse padrejtësia që u bahet atyne – godet krejt kombin.
…….
Kur e len Hotin, të mbetet nji dhimbje:
Malsori t’pret me bukë e kripë, po n’sy i sheh mallin – mallin për lirinë që s’e ka pasë kurrë të plotë.
Mallin për shqipëtarët që po e lëshojnë çdo ditë e më shumë këtë tokë…
Mallin për vizitën e çdo shqiptari, që i bie ndërmend se egzistojnë…
Na u duk sikur koha ndali pak…
E Hoti s’të len veç me foto – të len me mall, me dhimbje të bukur në zemër. Nëse s’je rritë aty, e don prej gjaku. E nëse ke prejardhje andej – s’ka kush që t’ndan prej saj.
—————-
Ne link mund te gjeni posrimin e znj Gjema dhe foto nga vizita e saj ne Hot te Plaves: KLIKO NË LINK