12 Vite nga Largimi i Dhunshëm i Lapidarit të Dëshmorëve të UÇPMB-së në Preshevë

Sot shënohen 12 vite nga largimi i dhunshëm i Lapidarit të UÇPMB-së, i cili ishte ngritur në nderim të dëshmorëve të kombit që ranë në luftën për liri. Ky lapidar, i vendosur para objektit të Komunës në Preshevë, u hoq me forcë nga autoritetet serbe më 20 janar 2013.

Përkundër kalimit të 12 viteve, Lapidari nuk është kthyer në vendin e tij, por qëndron i gjallë në mendjet e të gjithë ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, si dhe të gjithë popullit të kësaj krahine, që padrejtësisht vazhdon të jetë nën administrimin e Serbisë.

Heqja e dhunshme e këtij simboli përkujtimor kushtuar dëshmorëve mbetet një plagë e hapur për shqiptarët, duke kujtuar gjithashtu se kanë kaluar mbi tri dekada nga organizimi dhe mbajtja e Referendumit historik më 1 dhe 2 mars të vitit 1992.

Në një ditë si kjo, simbolika e 20 janarit do të duhej të nderohej përmes një vizite nga krerët më të lartë të Prishtinës dhe Tiranës zyrtare. Një gjest i tillë do të kishte një ndikim të madh: do të motivonte dhe përforconte mbështetjen morale për strukturat institucionale, si dhe për popullatën shqiptare të kësaj krahine.

Një vizitë e tillë do të kontribuonte në ndërgjegjësimin e opinionit publik shqiptar dhe atij ndërkombëtar për diskriminimin e vazhdueshëm që përjeton kjo krahinë. Largimi i dhunshëm i Lapidarit është vetëm një shembull i trajtimit të padrejtë që vazhdon në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë.

Kjo krahinë shqiptare mbetet ndër rajonet më të pazhvilluara dhe të diskriminuara në Evropë, ku pasivizimi, diskriminimi dhe pastrimi etnik po ndodhin vazhdimisht. Të drejtat themelore të njeriut dhe ato kolektive po shkelen në mënyrë sistematike.

Fryma shqiptare nuk mbrohet vetëm në Tiranë, Shkup apo Prishtinë, por edhe në çdo cep të Komunës së Medvegjës, Bujanocit, Preshevës dhe hapësirave të tjera etnike shqiptare.

 Refik Hasani