Site icon PLAVA E GUCIA SOT

140 Vjetori Luftës së Nokshiqit: Prof Dr Riza SMAKA- Lavdia e përhershme e Luftës së Nokshiqit

Universiteti Haxhi Zeka në Pejë dhe Klubi intelektualëve të Rugovës, Prishtinë, më datën 18 Janar 2020 organizuan një Përkujtim në Universitetin Haxhi Zeka me rastin e shënimit të 140 vjetorit të Luftës   së Nokshiqit dhe mbrojtjen e Plavë Gucisë nga pushtimi malazez.

Gjate ditëve në vijim do i publikojmë disa nga kumtesat e përgatitura për këtë përvjetor:

Prof Dr Riza SMAKA

Lavdia e përhershme e Luftës së Nokshiqit

Në gjysmën e dytë të shek. XIX –të , turbulencat ndërkombëtare vlonin vrullshëm ,tërbueshëm e frikshëm , të cilat , rrjedhimisht shpartalluan tri perandori e ,nder to ,edhe Perandorinë Otomane ,nën sovranitetin e së cilës ndodheshin edhe teritoret shqiptare.

Fuqitë e mëdha të kohës , në kongrese e konferenca ndërkombëtare në Berlin, London e Paris, konform me interesat e veta gjeopolitike e gjeostrategjike , në dëmin e territoreve shqiptare , e patën tejfavorizuar Malin e Zi, Sërbinë e Greqinë . Këto shtete të ndërsyera, të yshtura e të joshura me privilegjime të tilla të padrejta , gjithnjë, kultivonin apetite gllabëruese dhe përgatiteshin intenzivisht për inkursione ushtarake kunder shqiptarëve e trojeve të tyre!

Në reagim të natyrshëm e të arsyeshem , shqiptarët ,në vitin 1878, patën themeluar organizatën politike – ushtarake Lidhjen Shqiptare në Prizren.

Nder masa mbrojtëse tjera, Lidhja Shqiptare, nëpërmjet Shtabit Ushtarak Kryesor, të drejtuar nga Ali Pashë Gucia, pat ngritur Komitetin Ndërrajonal Shqiptar dhe e pat shpallur gjendjen e luftës për Plavë , Guci e gjithandej !

Në anën tjetër, Knjaz Nikolla i Malit të Zi, pas shumë konsultimeve dhe përgatitjeve ushtarake, i pat emruar dy vojvodët – gjeneralët mbase më të shquar të vetë , Mark Milanin e Todor Milanin me urdhëresë të prerë për të pushtuar me shpatë e zjarrë edhe Plavën e Gucinë!

Forcat malazeze, të mbështetura nga Sërbia e Rusia, ishin të rekrutuara dhe të pajisura , të trajnuara dhe të organizuara sipas doktrinës ushtarake të kohës!

Përballë tyre , burra shqiptarë e boshnjakë të Plavës e Gucisë, forca shqiptare të Rugovës, Pejës e rrethinës ,të Malëcisë së Gjakovës e të Shkodrës, kryesisht civilë , të përkushtuar me shpirt e zemër për luftëra mbrojtëse, me guxim të paparë e të padëgjuar ,me ndjenja të krenarisë, burrërisë , fisnikërisë , nderit luftarak të mbështetur në tradita luftarake , në betejat epike të Nokshiqit të viteve 1879 e 1880 ,kryesisht, ballë për ballë e gjoks për gjoks me malazezë, me ironi sarkastike e bizare , të prejardhjes shqiptare, bindshëm dolën fitimtarë dhe me suksese brilante, mbi tridhjetë vjetë i mbrojten tokat shqiptare tej Çakorrit , Plavën e Gucinë me rrethina .

Përderisa ato forca të lavdishme patën mbrojtur kufirin etnik shqiptar ,të cilin, për vajtim , dëshprim e zhgënjim , 80 deputetë e deputete shqiptarë – e të legjislaturës paraprake , nga kolltuqe të buta , të privilegjuar skajshëm ,në vitin 2018 , gabimisht, antikombëtarisht dhe padrejtësisht votuan coptimin e Kosovës dhe rrudhjen e territorit të saj për mbi 8000 hektarë!

Në Nokshiqin legjendar të lavdishëm ,forcat shqiptare ju patën shkaktuar forcave ushtarake malazeze dëme dhe humbje të thella, serioze e tronditëse , armët shqiptare i patën bërë të lavdishme si dhe Çështjen Shqiptare e patën ngritur dhe afirmuar ndërkombëtarisht ( Brillant victory of the Albanian Military Forces) .

KIRUG-u ,i përbërë nga 35 pedagogë universitarë ,i pa asnjë farë mbështetjeje institucionale, pos aktiviteteve intelektuale tjera e të shumëta , duke vlerësuar se, Lufta e Nokshiqit , ishte dhe , përgjithmonë do të mbetët luftë e drejtë , mbrojtëse , fitimtare , e lavdishme, fragment historik impresiv, memento, souvenir, artefakt nostalgjik i krenarisë kombëtare , relik glorioz ,refleksion retrospektiv monumental, me pijetet , tok me UP “Haxhi Zeka” në Pejë, për të njëjtën , ka organizuar këtë Akademi Përkujtimore të 140 vjetorit të saj!!

Përderisa, kombet fqinjë të shqiptarëve , në radhë të parë , sërbët, tërësisht në disfavorin e historiografisë shqiptare ,nga mitet, legjendat, legjendat mitike, mitet legjendare, folk epika parabolike, faktet historike të deformuara e shumë sosh të fabrikuara, krijojnë , shërndajnë e ekspozojnë agresivisht e paturpësisht piktura, skulptura, kompozime muzikore, tregime, novela, romane, monografi e tekste të kamufluara sikundër të ishin shkencore, në një anë, institucionet publike e shkencore tona, qeveria e minsitri përkatëse, ASHAK-u, Instituti i Historisë , Fakulteti i Historisë jo qe nuk kundërveprojnë me fakte , të dhëna të sakta e argumente ,por, virtuelisht , janë indolente, indiferente, inaktive…

Për Luftën e Nokshiqit, legjendare, të lavdishme , të drejtë e fitimtare, në Historinë e Popullit Shqiptar të botuar në Tiranë para disa dekadave , shkruhej kalimthi tërësisht në dy tre rrjeshta!!!

Punët dhe aktivitetet kryesore për organizimin e kësaj Akademie Përkujtimore , pos të tjerëve , kryesisht i ka kryer Prof dr Zymer Neziri , të cilit , unë dhe KIRUG-u, i falënderohemi.

Duke e përshëndetur auditorin e nderuar , nga këtu e kudo qe do të jemi ,neve këtu dhe të tjerët pas nesh , do tu falënderohemi përjetësisht të gjithë luftëtarëve heroikë në Epopenë Madhështore të Nokshiqit , të cilët me sukses brilant , me shpatë e pushkë ,me zjarr në gji, me shpirt luftarak e zemra guximtare,triumfalisht i patën mbrojtur heroikisht trojet shqiptare në Plavë , Guci e gjithandej.

Enkas , mirënjohje e nderime të sinçerta , kurdoherë , do të kenë prijësit e luftëtarëve të Nokshiqit legjendar, pinjollëve të të cilëve , sot dhe këtu , do të ju dorëzojmë dhe përkushtojmë falënderimet meritore të përjetshme.

Prof dr Riza Smaka

Universiteti Publik “ Haxhi Zeka “ në Pejë

18 Janar 2020

Exit mobile version