Lukaj Foundation (Viosa dhe Richard Lukaj), Hajdari Family Foundation (Margaret dhe Xhevdet Hajdari), Dina & Ahmet Kurmemaj dhe Fondi Humanitar Shqiptaro-Amerikan Trojet Tona me datat 6 dhe 13 maj kanë bërë ndarjen e bursave studentore.
Përfitues të kësaj burse ishin 59 studenta të cilët kryesisht studiojnë në universitetet publike në Shqipëri, Kosovë dhe në Mal të Zi. Shuma e përgjithshme e bursave të shpërndara është 38500€, kështu mësohet nga njëri prej koordinatorëve të Fondacionit Trojet tona në vendlindje z. Valdet Kurti.
Siç bëhet e ditur, kriter për përfitimin e kësaj burse ishte nota mesatare mbi 7 si dhe vijimi i studimeve në universitetet publike. Duhet shtuar se kriter shtesë ka qenë edhe studimi në drejtime deficitare dhe të nevojshme në Komunën e Ulqinit.
Vediha Gjoni, studentja përfituese e kësaj burse, në të njëjtën kohë edhe njëra ndër studentet më të mira të Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, shpreh falenderimet më të përzemërta për donatorët dhe sidomos për Fondacionin “Trojet Tona”. Vediha është përfituese e kësaj burse për të tretin vit me radhë.
‘’Fondacioni “Trojet Tona” dhe të gjithë donatorët janë duke bërë një punë të mrekullueshme në ndihmë të studentëve. Ndihma e tyre për ne ka vlerë të shumëfishtë, sepse në njërën anë është një ndihmë e konsiderueshme financiare por në anën tjetër, dashuria e mërgimtarëve tonë për njerëzit e vendlindjes, na gëzon dhe na motivon më tepër që edhe ne një ditë të japim kontributin tonë për vendin tonë njëjtë sikur ata. Falenderime dhe respekt të pakufi për njerëzit tonë përtej oqeanit”, shprehet studentja Vediha Gjoni.
Ky është viti i tretë që Fomndacioni ‘’Trojet tona’’ bënë grumbullimin e mjetëve dhe shpërndarjen e bursave për studentët.