74 Vjet nga Pushkatimi i Dy Martirëve të Vuthajve – Çung Tahiri dhe Isuf Zymeri Dedushaj

Sot mbushen 74 vite nga dita e zezë kur dora barbare e regjimit kriminal titist pushkatoi Çung Tahirin Dedushaj dhe nipin e tij Isuf Zymer Dedushaj.

18 korriku i vitit 1951 do të mbetet përgjithmonë një plagë e hapur për Vuthajn, për mbarë Plavën e Gucinë dhe për gjithë atdhetarët shqiptarë.

Në atë ditë të mallkuar, njësitet ushtarako-policore të pushtetit serbo-malazez rrethuan shtëpinë e kësaj familjeje fisnike, i morën me dhunë dhe i torturuan në mënyrën më çnjerëzore, vetëm për t’ua thyer dinjitetin dhe krenarinë. Pa gjyq e pa aktgjykim, Çungu dhe Isufi u pushkatuan mizorisht në vendin e quajtur Shtrejt, në dalje të Vuthajve.

Por barbaria nuk ndali aty. Po atë ditë, u arrestuan edhe dy kushërinjtë e tyre, Ibër Huti Dedushaj dhe Brahim Çaloku Dedushaj, të cilët u dënuan me nga katër vite burg të rëndë dhe u dërguan për të vuajtur dënimin në ferrin e Goli Otokut.

Edhe pse pushtuesit menduan se me këto krime do ta shuajnë zjarrin e atdhedashurisë, ata nuk ia arritën. Nga trungu i Çung Tahirit dhe Isuf Zymerit, lindi një brez i tërë i fuqishëm, i diturisë dhe i suksesit. Sot, pasardhësit e tyre janë doktorë shkencash, magjistra e intelektualë në fusha të ndryshme – nga Prishtina e Tirana, deri në New York e Japoninë e largët – të cilët me krenari vazhdojnë misionin e paraardhësve të tyre.

Në vendin e ekzekutimit, është ngritur një lapidar përkujtimor, që bart një mesazh të qartë: veprat e armiqve që deshën ta shkelin dinjitetin shqiptar nuk do të harrohen kurrë.

Po ashtu, në shenjë respekti, Komuna e Pejës ka emërtuar dy rrugë me emrat e këtyre martirëve, Çung Tahirit dhe Isuf Zymerit Dedushaj, për çka jemi thellësisht mirënjohës.

Ky përvjetor është veçanërisht i dhimbshëm për familjen Dedushaj, sepse sivjet mungon Dr. Isuf Dedushaj – djali i martirit Isuf Zymerit – i cili me krenari kishte trashëguar emrin dhe idealin e babait të tij.

Vendi i pushkatimit, që quhet “Shtrejt” i Vuthajve, duket sikur e mban mesazhin e Alpeve tona: gjaku i Çungut dhe Isufit është i shtrenjtë dhe do të mbetet i paharruar.

I përjetshëm qoftë kujtimi për Çung Tahirin Dedushaj dhe Isuf Zymer Dedushaj!

LAVDI VEPRËS DHE JETËS SË TYRE!

Esad Gjonbalaj