Abazoviq përkrah Kurtin: Në Kosovë nuk ka komuna serbe apo shqiptare, janë të qytetarëve

Kryeministri në mandatin teknik Dritan Abazoviq ka thënë së fundi se përkrah qëndrimin e kolegut të tij kosovar Albin Kurti në lidhje me “bashkësinë e komunave serbe”, duke thënë se në Kosovë nuk ka komuna serbe apo shqiptare, por se komunat janë civile dhe i përkasin qytetarëve pa dallim.
Abazoviq ka vlerësuar Kurtin.
“Ai e zëvendësoi retorikën që dikur mund të ishte nacionaliste me retorikën qytetare, para së gjithash kur është fjala për problemin në veri të Kosovës. E shoh si një avantazh të rëndësishëm”, tha Abazoviq në një intervistë në Televizionin Shqiptar Top Channel dhe emisionin Top Story të Grida Dumës.
Ai ka shpjeguar se përkrah qëndrimin e Kurtit për komunitetin e komunave serbe, që sipas tij nuk duhet të definohet në baza nacionale.
Ai mbështet qëndrimin se “nuk mund të ketë komuna në Kosovë që janë serbe apo shqiptare”, sepse të gjitha janë të barabarta si komuna që u takojnë qytetarëve pa dallim, pavarësisht nëse popullsia shumicë është serbe apo shqiptare.
Abazoviq tha se ka një mendim pozitiv për Kurtin dhe se e vlerëson luftën e tij kundër korrupsionit.