Abazoviqi shpalos planin për qeveri të pakicës në Mal të Zi

Lëvizja qytetare URA, president i të cilës është politikani shqiptar nga Ulqini, Dritan Abazoviq, ka përsëritur sot kërkesën për formimin e një qeverie të pakicës në Mal të Zi, pa prezencën e partive, si asaj Demokratike të Socialistëve dhe Frontit Demokratik.

Lëvizja Ura përmes një postimi në rrjetet sociale të martën, ka thënë se një qeveri e tillë do të niste me vendosmëri integrimin në BE, do të zhbllokonte institucionet, veçanërisht në gjyqësor, do të vazhdonte luftën kundër krimit e korrupsionit, do të siguronte rimëkëmbjen ekonomike dhe zbatimin e reformave dhe do të vazhdonte rritjen e pagave për qytetarët.

“Po ashtu do të mundësonte thithjen e investimeve të reja të huaja dhe fondeve të BE-së, të cilat tashmë janë ndalur për shkak të situatës së paqëndrueshme politike”, thuhet në njoftimin e URA-s në Facebook.

Ky propozim i URA-s vjen pas përplasjeve dhe mospajtimeve për shumëçka brenda partnerëve të koalicionit.

URA përfaqësohet me katër deputetë në Kuvendin e Malit të Zi, ndërkohë Abazoviq është zv.kryeministër i këtij vendi.

Në fakt, edhe dje koalicioni “Bardh e Zi”, ku subjekti më i madh politik është URA, propozoi një qeveri të pakicës. Pas kësaj, në disa qytete të Malit të Zi pati protesta të qeta me mesazhin “Mos e tjetërsoni vullnetin tonë”.