Intervistë ekskluzive me prof.Adem Haxhaj për portalin “Plava e Gucia Sot”
I nderuar zt.Adem Haxhaj fillimisht ju falënderoj shumë që ndatë kohen tuaj të çmuar që lexuesit e portalit “Plava e Gucia Sot” të njihen nga afër me një nga bijtë e saj të çmuar, që me zërin e tij radiofonik pushtoj valët e Radio Tiranës për më shumë se 20 vite, Me profesionalizmin dhe zgjuarsinë e ti ai arriti shumë në aspektin medial mu aty në kryeqendrën mbarëshqiptare në Tiranë
Zt Adem: A mund të na tregoni dhe përshkruani shkurtimisht rrugëtimin tuaj jetësor?
Falemnderit Esad, për interesimin që tregon për të mësuar diçka më tepër nga rrugëtimi im 76 vjeçar. Tregimi nuk do të jetë i gjate sa janë vitet. Do të përpiqem të jem konçiz.
Jam lindur me 22 Qershor 1943 në Hot të Kujit dhe pas 21 muajsh kam mbetur pa prindër. Babain, Shaban Asllan Haxhaj, pas disa muajsh qëndrimi në burg, në Mars të vitit 1945,malazeztë e kanë pushkatuar në Beran,
Disa ditë para pushkatimit të Shabanit, brigadat malazeze kane pushkatuar edhe 14 djem te oxhakut te Alush Smajlit, ne Malet e Deçanit.
Mua më ka rritur gruaja e axhës, e mbetur pa katër djem dhe burrin. Djemtë janë pushkatuar bashkë me vllazninë tjetër në malet e Deçanit. Ajo u bë nëna ime e dyte; kompletuam jetimi jetimin.
Pasi kam mbaruar shkollën fillore në gjuhen serbokroate në Hot më rezultate të shkëlqyera, nuk kisha asnjë mundësi të vazhdoja më tej: Në Hot nuk ka pasur dhe akoma nuk ka cikël shkolle pas asaj fillore.
Mbas katër vitesh të pritjes të ndonjë mundësie për të vazhduar shkollën në Plavë zgjodha rrugën e Shqipërisë.
Si e filluat jetën e re në Shqipëri ?
Ne Shqipëri ,nën një kujdes të veçantë i kreva studimet nga klasa e 5-të gjer tek Universiteti. Kam studiuar në Fakultetin Filologjik gjuhen shqipe dhe atë ruse ( madje këtë të dytën jo me dëshirën time).
Pas mbarimit të Fakultetit, kam punuar si mësimdhënës në shkollat e mesme në Tiranë, ku dhe kam krijuar familjen. Kam tre femij, dy vajza dhe një djalë.
Jeta ime në Tiranë ka qenë shumë e ngarkuar. Përveç punës në shkollë, me është dashur të angazhohem me shtypin jugosllav, si përkthyes dhe përpilues I materialeve për përdorim të autoriteteve zyrtarë. Ajo punë kërkonte kohë dhe mund, por edhe e bëja me kënaqësi, pasi e perfeksionova atë gjuhe në nivele shumë të larta.
Rreth viteve 1976 më ka ardhur oferta të punoj, tashmë, si përkthyes në Radaio Tirana të cilën e prita me shumë kënaqësi. Pas trajnimit njëvjeçar kam hyrë në mikrofon.
Çdo plavegucias meqë Ju kemi tonin dhe çdo shqiptar i ish Jugosllavisë mban nostalgji për zërin tënd të fuqishëm në Radio Tiranë, në emisionin në gjuhë të huaja në orët e mëngjesit ku denoncohej politika antishqiptare e qarqeve serbe. Gjatë transmetimeve të këtyre emisioneve zt Adem para mikrofonit sa keni ndier mungesën e vendlindjes dhe Plavë Gucisë si tërësi, kur e dinit se zëri i Juaj po thyente kufijtë ?
Esad I dashur ! Më pyete se si ndjehesha dhe çfarë ndjenja, para mikrofonit. Shpesh herë më shkonte mendja tek Hoti im malor, ku u rrita, e ndjenja vetëm atje dhe nuk më besohej a jam unë ai edhe në Hot, edhe ne studion e përhapjes së zërit të Shqipërisë tone. Habitesha Esad I dashur se si koha, puna dhe sakrificat e transformoheshin njeriun dhe jetën në përgjithësi.
Ndjenja më emocionale dhe më dinjitoze për mua ishte, kur ne materialin, që lexoja përmendej Tito, revizionizmi jugosllav, Kosova…..Në ato vitë u botua edhe vepra “ Titoistët “ ku demaskohej politika djallëzore e Jugosllavisë ndaj Shqipërisë dhe Kosovës. Librin e përkthenim pjesë-pjesë dhe I lexoja ne mikrofon. Koha ishte e kufizuar në 30 minuta, dy here në ditë. Kur I lexoja keto, Esad, me dukej se po ua them direkt në sytë jugosllavëve e jo nëpërmjet mikrofonit. I papërshkrueshëm gëzimi dhe kënaqësia !
Puna ishte e bukur, por e lodhshme deri sa e papërballueshme. Punë në Radio, punë në shkollë, shoqërime dhe përkthime delegacionesh nga ish Jugosllavia, të cilat u shtuan shumë, pas hapjes së Shqipërisë. Keshtuqë në vitin 1991 m’u desh të shkëputem nga mësimdhënia
dhe të përqendrohem vetëm në Radio Tirana dhe në aktivitetet e lartpërmendura.
Në vitin 1997 përfundimisht u shpërngula në New York, ku jetoj edhe sot.
Esad Gjonbalaj
Nëntor 2019
/Plava e Gucia Sot