Afërdita e Hotit”. Kështu e quanin Dushe Gjonbalaj-Krasniqin, e cila ishte mësuesja e parë e shkollës së parë shqipe të hapur në vitin 1970/71 në Hot të Plavës dhe Gucisë. E lindur më 11.7.1948 në Guci, ajo ishte fëmija më i vogël prindërve Gjylë dhe Ramë Gjonbalaj. Ajo shkollën fillore e ka kryer në Guci, ndërsa të Mesmen-Normalen në Pejë. E sapodiplomuar në vitin 1970, ajo kishte vendosur të konkurronte në shkollën e parë shqipe, e cila po hapej në një shtëpi privatë të fshatit Hot. Meqë askush tjetër nuk kishte konkurruar për pozitën e mësueses në këtë shkollë, mësuesja Dushe ishte pranuar pa problem.
Kujtimet, të cilat i shpalos për gazetën, janë ende të freskëta. Nga e gjithë veprimtaria si mësuese, ajo me më dashuri flet për shkollën e Hotit dhe nxënësit e saj. “Derisa nuk u hap shkolla e parë shqipe në Hot, fëmijët shqiptarë mësonin serbisht. Më kujtohet si sot dita e parë e mësimit në këtë shkollë. Një fëmijë m’u drejtua ‘Uçitelice!’ dhe unë iu përgjigja me fjalën ‘Urdhëro!’. Jo vetëm në fytyrën e atij nxënësi, por edhe te të gjithë nxënësit e tjerë vërehej një habi, e cila më pas u shndërrua në një gëzim të papërshkrueshëm”, e kujton ditën e parë të mësimit mësuesja Dushe Gjonbalaj-Krasniqi, të cilën banorët e Plavës dhe Gucisë e quanin Afërdita e Hotit. Ajo për të udhëtuar nga shtëpia në këtë shkollë i bënte 20 km rrugë në këmbë.
Në shtypin e kohës (viti 1971) ishte shkruar shumë për mësuesen Dushe, por intervista më e veçantë, të cilën ajo e kujton me kënaqësi, ishte ajo që e kishte dhënë për të përdyjavshmen “Shkëndija”. “E mbaj mend, kur veç nisi të merrte jehonë të madhe shkolla e Hotit, mua më mori në intervistë gazetari Jusuf Ferizi i revistës ‘Shkëndija’. Ai ishte shumë i entuziazmuar për punën që po bëhej në Hot, por realisht më e entuziazmuar isha unë, meqë për herë të parë po punoja si mësuese në një shkollë që veç kishte hyrë në histori si shkollë e parë shqipe. Në njërën prej pyetjeve të Ferizit: ‘Më fort të duan nxënësit ty apo ti ata’, unë isha përgjigjur kështu: ‘T’ju them të drejtën sa i dua unë ata. Dashuria ndaj profesionit është moment në vete. Sentimentalizmi ndaj një fshati, që për herë të parë mëson në gjuhën e vet, është faktori i dytë i rëndësishëm. E fakti se unë jam mësuesja e parë e kësaj shkolle të re, më bën që përmbajtjen e jetës ta kuptoj më së miri kur gjendem në mesin e 38 luleve të mira’. Pra, jeta ime po e merrte kuptimin e saj, duke qenë në mesin e atyre fëmijëve, që donin të mësonin në gjuhën e nënës së tyre”, ka deklaruar mësuesja Dushe.
Ajo është shprehur se kërkesat e saj që i kishte për funksionarët e asaj kohe asnjëherë nuk i kishte mbajtur të fshehura, bile kishte folur për to sa herë që i ishte dhënë mundësia.
Afërdita e Hotit sot kujton se në atë kohë nëpër institucione të ndryshme i kishte bërë disa kërkesa. “Në një takim me referentin e Arsimit dhe të Kulturës së Komunës së Plavës, Salih Haxhajn, kishim gjetur një zgjidhje të pakundërshtueshme, e cila ishte që në vitin shkollor 1974/1975 në Plavë të hapej klasa e pestë shqipe. Në këtë klasë në atë kohë do ta vijonin mësimin nxënësit e Hotit, por edhe të Jesenicës, Vishnjevës dhe Hakajt”, ka kujtuar iniciativën e saj mësuesja Dushe, e cila ka treguar se në atë kohë pro kësaj iniciative në një intervistë për gazetën “Rilindja” kishte dalë edhe sekretari i Komitetit të LK të Komunës së Plavës.
E veçantë tjetër e mësueses Dushe ishte se në atë kohë ajo kishte kërkuar nga shtëpitë botuese, që çmimi i librave të ishte i arsyeshëm dhe i përballueshëm nga prindërit, të cilët dëshironin t’i shkollonin fëmijët e tyre në gjuhën shqipe. Por e dhimbshme për mësuesen Dushe ishte koha kur kjo shkollë kishte ndaluar së funksionuari, meqë familjet shqiptare kishin emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Më pas Afërdita e Hotit ishte kthyer në Kosovë dhe kishte filluar punën si mësuese në Ostrozub të Malishevës për tetë vjet me radhë. Pastaj ajo ka dhënë mësim në Rahovec, në shkollën “Mihajl Grameno” deri më 15.11 2002, kur për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore ishte detyruar ta ndërpriste punën si mësimdhënëse. Ajo menjëherë në atë kohë ishte lajmëruar në Drejtorinë Komunale të Arsimit në Rahovec, në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) dhe në atë të Punës dhe Mirëqenies Sociale (MMPS) që ta realizonte pensionin e të larguarës para kohe prej pune për shkaqe shëndetësore. Por as edhe një herë as edhe një institucion nuk i ishte përgjigjur pozitivisht në kërkesën e saj.
Mësuesja Dushe Gjonbalaj-Krasniqi nderroj jetë para disa ditëve me 13 Prill 2019 në Gjakovë, ku edhe ishte e martuar. Nga martesa e saj ajo i ka tre djem. Ajo i ka thënë gazetës e qe po e ripublikon “Plava e Gucia Sot” se më nuk është e re që të vrapojë pas kërkesave në të mirë të nxënësve dhe mësimdhënësve, po ka një porosi për pushtetarët komunalë dhe ata të nivelit qendror. “Bëni më shumë për arsimin në përgjithësi, në veçanti për ata mësimdhënës të cilët ishin të parët që dritën e dijes në gjuhën shqipe e kishin shpërndarë nëpër të gjitha familjet shqiptare”, kjo ishte porosia e mësuese Dushe Gjonbalaj-Krasniqi, e cila, sipas atyre, që e njohin meriton një mirënjohje të madhe për kontributin e saj nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe nga shqiptarët dhe institucionet e Malit të Zi.