Akademik Rexhep Qosja nderohet me Çmimin për Letërsi nga MKRS

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka njoftuar se në ceremoninë vjetore për çmimet në fushën e letërsisë, ka nderuar akademikun Rexhep Qosja me Çmimin për Letërsi.

“Në ceremoninë vjetore për çmimet në fushën e letërsisë, sivjet Ministria e Kulturës, ka nderuar Akademik Rexhep Qosjen me një çmim të veçantë për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në letërsinë dhe kulturën shqiptare. Ai u nderua me Çmimin për Letërsi”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Ndërkaq, në një postim në Facebook, Kryeministri Albin Kurti i ka kushtuar një artikull të gjatë ndarjes së çmimit për Akademik Rexhep Qosjen nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS).

Ngjitja në mendim është thellim. Kështu e kam përshtypjen kur eci përpjetë shkallëve të mbushura me libra. Ky nuk është trillim. Në një shtëpi në Velani, shkallët e kateve brenda, nuk kanë mbajtëse normale. Në vend të parmakëve, ka libra. Nëpër shkallë, mali i librave krijon bibliotekën. Muret nëpër shkallë të mbushura me piktura. I rrëmbyer nga to, duke i ngjitur dy katet, në fund, të shfaqet një tjetër bibliotekë. Nga antikiteti deri te më bashkëkohorët. Nga veprat e humbura të Eskilit deri te gërmat e fundit që një poet i ri, diku në botë sa i bëri varg. Letërsi e histori, filozofi e art, sociologji e shkencë. I humbur në atë hapësirë të mbuluar me libra rreth e përqark, në qoshe të dhomës, përballë dritares, një makinë shkrimi. Në të, ulur një burrë me mjekër të bardhë, syzet e trasha dhe që po shkruan ende. I shtyrë në moshë, ai sërish vazhdon të krijoj tingullin e bukur kur prek shkronjën e re për të krijuar fjalën e fjalisë së fundit. Ky është Akademik Rexhep Qosja, veprimtar e politikan, historian letërsie e kritik letrar, shkrimtar e publicist, kandidati për Çmimin Nobel për Letërsi, e, sot i nderuar me çmimin e veçantë të vendit tonë, “Letërsia Shqipe”, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Në gjuhën tonë, këto janë veprat që Akademik Qosja i ka shkruar ndër vite:

Vepra historiko-letrare

1. Episode letrare, Prishtinë 1967

2. Dialogë me shkrimtarët, Prishtinë 1968

3. Kritika letrare, Prishtinë 1969

4. Kontinuitete, Prishtinë 1972

5. Asdreni – jeta dhe vepra e tij, Prishtinë 1972

6. Panteoni i rralluar, Prishtinë 1973

7. Shkrimtarë dhe periudha, Prishtinë 1975

8. Anatomia e kulturës, Prishtinë 1976

9. Prej tipologjisë deri te periodizimi, Prishtinë1979

10. Nocione të reja albanologjike, Prishtinë 1983

11. Historia e letërsisë shqipe I, Prishtinë 1984

12. Historia e letërsisë shqipe II, Prishtinë 1984

13. Historia e letërsisë shqipe III, Prishtinë 1986

14. Porosia e madhe, Prishtinë 1986

15. Tri mënyra të shkrimit shqip, Prishtinë 2004

16. Semantika e ndryshimeve historiko-letrare, Prishtinë 2009

Vepra letrare

17. Antologjia e lirikës shqipe, Prishtinë 1970

18. Vdekja më vjen prej syve të tillë, roman, Prishtinë 1974

19. Mite të zhveshura, drama, Prishtinë 1978

20. Antologjia historike e letërsisë shqipe. Poezia dhe proza, Prishtinë 1985

21. I ringjalluri i penduar,  tregim, Tiranë 2002

22. Një dashuri dhe shtatë faje, roman, Tiranë 2003

23. Nata është dita jonë,  roman, Tiranë 2007

24. Bijtë e askujt I, II, roman, Prishtinë 2010

Vepra historike dhe historiko-dokumentare

25. Strategjia e bashkimit shqiptar, Prishtinë 1992

26. Çështja shqiptare – historia dhe politika, Prishtinë 1994

27. Paqja e përgjakshme, Tiranë 1999

28. Tronditja e shekullit I, Tiranë 2001

29. Tronditja e shekullit II, Tiranë 2001

30. Shpërngulja e shqiptarëve sipas programeve kombëtare serbe, Tiranë 2005

31. Rilindja e dytë, Tiranë 2007

32. Shqipëria dhe Kosova – Si janë dhe si do të duhej të jenë, Tiranë 2013

33. Dëshmitarë në kohë historike I, Tiranë, 2014

34. Dëshmitarë në kohë historike II, Tiranë 2014

35. Dëshmitarë në kohë historike III, Tiranë 2014

36. Dëshmitarë në kohë historike IV, Tiranë 2014

37. Dëshmitarë në kohë historike V, Tiranë 2015

38. Dëshmitarë në kohë historike VI, Tiranë 2015

39. Dëshmitarë në kohë historike VII, Tiranë 2016

40. Dëshmitarë në kohë historike VIII, Tiranë 2019

41. Dëshmitarë në kohë historike IX, Tiranë 2023

Vepra publicistike

42. Populli i ndaluar, Prishtinë 1990

43. Ligjërime paravajtëse, Prishtinë 1996

44. Fjalor demokratik, Tiranë 1997

45. Demokracia e shpërdorur, Tiranë 2005

46. Ideologjia e shpërbërjes, Tiranë 2006

47. Për lirinë, të vërtetën dhe të drejtën, Tiranë 2024

Vepra polemike

48. Morfologjia e një fushate, Prishtinë 1980

49. Ideologjia e shpërbërjes, Tiranë 2006

50. Realiteti i shpërfillur, Tiranë 2006

51. Të vërtetat e vonuara, Tiranë 2006

Vepra të përkthyera në gjuhë të huaja (gjuha orgjinale e përkthimit)

1. Smrt vreba iz očiju. Serbokroatisht. Roman, Vdekja më vjen prej syve të tillë, Prosveta, Narodna knjiga, Beograd 1976. Për botuesin: Vidak Perić.

2. Živa sfinga. Serbokroatisht. Dramë, Sfinga e gjallë. Jedinstvo, Prishtinë 1976, Përktheu Esat Mekuli.

3. Smrt prezi vočeh. Sllovenisht. Roman, Vdekja më vjen prej syve të tillë, “Mladinska knjiga”, Lubjana 1979. Përktheu Milan Jesih.

4. Književnost i kritika, Serbokroatisht. Përmbledhje studimesh dhe trajtesash. Letërsia dhe kritika, Prosveta, Beograd 1979. Përktheu Hasan Mekuli.

5. Smrtta mi ide ot takiva oči, Bullgarisht. Roman. Vdekja më vjen prej syve të tillë, Plovdiv 1982. Përktheu Marina Marinova.

6. Sfinga e gjallë. Dramë. Arabisht. Kuvajt 1986. Përktheu Muhamet Mufaku.

7. Nezaštićena sudbina. Kroatisht. Trajtesa, ese dhe artikuj, KSLS, Zagreb 1990. Përktheu autori.

8. La mort me vient de ces yeux-la. Frëngjisht. Roman, Vdekja më vjen prej syve të tillë, Gallimard, Paris 1994. Përktheu Christian Gut.

9. La question albanaise. Frëngjisht. Studim historik. Çështja shqiptare – historia dhe politika. Fayard, Paris 1995. Përktheu Christian Gut.

10. In solchen augen liegt der tod. Gjermanisht. Roman. Vdekja më vjen prej syve të tillë, Haymon, Innsbruck 1995. Përktheu Joachim Röhm.

11. Die ogen en de dood. Holandisht. Roman. Vdekja më vjen prej syve të tillë, Van Gennep-Novib-Neos, Amsterdam 1997. Përktheu Roel Schuyt.

12. Ο θάνατος μov έρχεται από τέτοια μάτια . Greqisht. Roman. Vdekja më vjen prej syve të tillë, Botimet Kastanjotis, Athinë 1999. Përktheu Kostas Natsias.

13. La morte mi viene da occhi cosi. Italisht. Roman. Vdekja më vjen prej syve të tillë, Egnatia Narrativa, Gjenova 2019. Përktheu Anila Alhasa.

14. Noć je naš dan. Roman. Nata është dita jonë. Shoqata Teuta, Podgoricë 2021. Përktheu Nikollë Berisha.

Nuk është çudi që ky çmim i rrallë, i ndahet këtij kolosi të letërsisë shqipe. Ne, i urojmë shëndet të gjatë dhe e falënderojmë për nderin që na e bën me veprat e tij.