Aksioni i Njësisë Speciale të Kosovës kundër bandave kriminale serbe në veri të Mitrovicës

E plotësuar:  

Përfundon aksioni i policisë në veri të Mitrovicës (Foto/Video)

Aksioni i Njësisë Speciale në veri të Mitrovicës i nisur në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, ka përfunduar rreth orës 11:30.

Këtë e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi i policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Kelani nuk ka dhënë detaje tjera duke thënë se të gjitha zhvillimet rreth aksionit të sotëm do të bëhen të ditura në konferencë për media në orën 14:00.

Ndryshe gjatë këtij aksioni janë arrestuar dhjetëra persona në mesin e tyre zyrtarë policor, qytetarë nga komunitete të ndryshme. Në mesin e të arrestuarve është edhe një shtetas rus.

Po ashtu gjatë këtij aksioni janë lënduar edhe katër polic, njëri prej tyre ka qenë i plagosur me armë zjarri ndërkaq gjendja e tyre shëndetësore është jashtë rrezikut për jetë.

Policia gjatë këtij aksioni u përball me rezistencë të armatosur në Zubin Potok. /Telegrafi/

Policia e Kosovës ndërkohë ka njoftuar se operacionit policor i ka paraprirë një hetim disamujor i IPK-së dhe PK-së i udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Kosovës, i cili ka rezultuar me dyshimin e bazuar të përfshirjes së disa zyrtarëve policorë dhe të disa qytetarëve në veprimtari kriminale ‘pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal’ dhe vepra tjera të specifikuara.

Po ashtu gjatë operacionit, siç është bërë e ditur, Policia ka konfiskuar gjësende të ndryshme përfshirë edhe disa armë.

Ndërkohë një medium serb tvmost.info, ka publikuar disa pamje në të cilat thuhet se shihet momenti i zbarkimit të policëve të Kosovës, si dhe pamje nga arrestimet.

Lidhur me këtë aksion të Policisë së Kosovës, përveçse nga Kosova, ka pasur reagime edhe nga Serbia dhe KFOR-i.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në orët e para të mëngjesit ka mbledhur të gjitha strukturat e sigurisë në Kosovë

Policia e Kosovës, nëpërmjet një komunikate për media ka demantuar mediat serbe se operacioni policor i ndërmarrë në veri lidhet me vrasjen e policit, Enver Zymer dhe ish-politikanit Oliver Invanoviq.

Njoftimi i plotë i Policisë së Kosovës.

—————-

E plotësuar: Telegrafi tashmë ka mësuar edhe identitetin e policit të plagosur gjatë aksionit të Njësisë Speciale së Kosovës në veri të Mitrovicës, ai është Hysen Ademi.

—————-

E plotësuar: Gjatë aksionit që po zhvillohet në veri të vendit, sipas burimeve, është arrestuar edhe komandanti i Policisë së Kosovës në Zubin Potok, i cili është i nacionalitetit serb.

—————-

E plotësuar: Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka folur rreth aksionit të sotëm në veri të Mitrovicës.

Haradinaj ka thënë se me urdhër të Prokurorit, në gjithë Kosovën aktualisht është duke ndodhur një operacion policorë, i drejtuar ndaj individëve të përfshirë në kontrabandë, krim të organizuar dhe vepra të tjera kriminale.

—————-

E plotësuar: Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri ka vizituar policin e plagosur gjatë aksionit policorë në veri të Mitrovicës.

Bahtiri në një prononcim për Telegrafin ka thënë se gjendja shëndetësore e tij është jashtë rrezikut për jetë, pasi siç tha ai polici ka marr një plagë të lehtë në kukë.

—————-

E plotësuar: Njësitë e ROSU-s kanë ndërmarrë një aksion në komunat veriore të Kosovës, ku me këtë rast kanë arrestuar disa pjesëtarë të policisë.

Kjo ka bërë që të reagojë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili urdhëroi që të gjitha njësitë ushtarake të jenë në gjendje gatishmërie të plotë.

—————-

E plotësua: Nga aksioni i cili është duke ndodhur në veri të Mitrovicës, një zyrtarë i policisë ka mbetur i plagosur i cili është duke u trajtuar në spitalin në jug të Mitrovicës.

—————–

E plotësuar: Sipas informacioneve të para, ky aksion lidhet edhe me vrasjen e policit Enver Zymberi dhe atë të ish-politikanit serb Oliver Ivanoviq si dhe për krim të organizuar.

Ndërkaq, edhe sirenat që simbolizojnë situata të jashtëzakonshme në veri të Kosovës janë lëshuar.

——————

E plotësuar: Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media ka konfirmuar aksionin e sotëm të Njësisë Speciale në Mitrovicën e Veriut.

Në njoftim thuhet se edhe përkundër hasjes në rezistencë të armatosur në Veri të Mitrovicës, operacioni policor është duke vazhduar, përfshirë arrestimin dhe kontrollin e disa lokacioneve të cilat kanë rezultuar me konfiskimin e dëshmive relevante përfshirë edhe armë të gjata.