Asnjë të papritur në Podgoricë; shumica e Parlamentit të vendit ka rrëzuar rendin e ditës që kishte përpiluar qeveria proserbe për të shkarkuar zv.kryeministrin e saj, shqiptarin Dritan Abazoviq.
Seanca parlamentare zgjati vetëm disa minuta dhe vetëm 20 deputetë kanë votuar për ta shkarkuar Dritan Abazoviqin, ndërsa 46 kanë abstenuar, ndërkohë që 11 deputetë kanë qenë kundër.
Me një fjalë; mazhoranca proserbe ka rënë politikisht dhe nesër pritet të bjerë edhe formalisht.
Ka ndodhur një zhvillim shumë i rëndësishëm që politikë, pasi Dritan Abazoviq ka çarë në dysh aleancën proserbe dhe sot është gati të ndërojë një qeveri të re pa qenë i shantazhuar nga Milo Gjukanoviç.
Nga 39 deputetë që ka mazhoranca e tre koalicioneve që kanë fituar më 30 gusht 2020, vetëm 20 kanë votuar për shkarkimin e Dritan Abazoviçit. Që do të thotë, 19 deputetë, kreu i URA i ka me vete, dhe i duhen vetëm 22 deputetë për të bërë një qeveri të re. E që sipas gjasave do të ndodhë shumë shpejt, prej nesër kur në program është votimi i mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë së Zdravko Krivokapiçit.
Nga numrat e sotëm del që situata është e qartë, aq e qartë sa vetë kryeministri i Malit të Zi, inxhinieri serb nga Nikshiqi është dorëzuar.
Pra 46 deputetë kanë abstenuar ndaj votimit për shkarkimin e Abazoviqit, 11 kanë votuar kundër, që do të thotë një shumicë prej 57 deputetësh që i bie gati dy të tretat e Parlamentit. Çdo të thotë kjo: shumë shpejt pritet të ngrihet një qeveri ekspertësh me praninë e serbëve në qeveri.
Dritan Abazoviq ka bërë të ditur se pa partitë serbe nuk do të kishte një Mal të Zi të paqtuar. Kreu i URA ka marrë me vete dy parti të rëndësishme të botës proserbe: Partinë Socialiste Popullore që e ka themeluar Momir Bullatoviç dhe Demosi i Miodrak Lekiqit.
Nga ana tjetër, DPS e Gjukanoviçit do të qëndrojë në opozitë, vetëm do të japë një mbështetje të jashtme për “qeverinë e pakicës”.
Sipas gazetës ‘Pobjeda’ të Podgoricës, Dritan Abazoviq, me ndërmjetësimin e Gabriel Escobar, ka siguruar që Milo Gjukanoviç do të largohet nga politika sapo t’i mbarojë mandati presidencial, pra në fund të këtij viti, ndërkohë që duhet të zgjidhet një drejtues i ri i DPS sa më shpejt.
Sipas ‘Pobjeda’, njeriu që pritet të zëvendësojë Gjukanoviçin është Ivan Vukoviç, kryetari i bashkisë së Podgoricës, i cili ka qenë në vitin 2006 dhe kreu i lëvizjes për Pavarësinë e Malit të Zi.
Propozimin për shkarkimin e Abazoviçit e ka dërguar Krivokapiqi pasi Ura, me mbështetjen e deputetëve të opozitës, ka paraqitur iniciativën për mosbesimin e Qeverisë.
Abazoviç më herët gjatë ditës së sotme në Kuvend, tha se nuk priste asgjë spektakolare nga seanca e sotme parlamentare, në të cilën është paraparë debati për shkarkimin e tij.
“Gjëja më e rëndësishme është që Mali i Zi të ketë një qeveri evropiane”, tha ai.
Ndërkaq, kryeministri Zdravko Krivokapiç deklaroi se ishte koshient se tani nuk ishte më kryeministër, madje priste shkarkimin që nesër dhe ka hyrë menjëherë në fushatë kundër Dritan Abazoviqit.
“Tani po i drejtohem vetëm popullit, është spekuluar se do të jap dorëheqjen, disa më kanë bindur, më kanë thënë se kjo është mënyra më e mirë. Nuk largohem, le të shkojmë në zgjedhje”, tha ai, duke shtuar:
“Kam hyrë në politikë vetëm për shkak të Ligjit për lirinë e fesë, i kam plotësuar një testament një njeriu të cilit i kam premtuar se përveç ligjit do të rriten edhe pagat e qytetarëve dhe sot jam i pastër para jush, të dashur njerëz”, tha Krivokapiç. I cili vijoi me ironinë: “Tani pres që ne do të ulim importet dhe se pjesa avangarde e udhëhequr nga Abazovic do ta kthejë Malin e Zi në një plantacion bananesh”, duke ironizuar si sasinë e madhe e kokainës, kapur kohët e fundit në ngarkesa bananesh por edhe akuzën se vendi është kthyer në një “Republikë Bananesh” e SHBA.