Ambasadori i Kosovës në SHBA, z. Reka, mori pjesë në eventin kremtues në Senatin dhe Asamblenë e Shtetit të Nju Jorkut

Në Senatin dhe Asamblenë e Shtetit të Nju Jorkut, në kryeqytetin Albany, u mbajt një event kremtues në vigjilje të shënimit të 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Në këtë ngjarje solemne, pas fjalimeve të senatores Jessica Scarcella-Spanton dhe asambleistit Charles D. Fall, të pranishmëve iu drejtua me një fjalim rasti edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, z. Reka.

Gjatë fjalës së tij, Ambasadori Reka ritheksoi se Republika e Kosovës, 18 vite pas shpalljes së pavarësisë dhe 27 vite nga çlirimi, përfaqëson një rrëfim suksesi të shtet-ndërtimit demokratik, duke nënvizuar përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës ndaj vlerave demokratike, paqes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.