Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Asdren Çelaj: E vërteta për largimin e bustit të Isuf Kamer Çelajt

Portali ynë publikon më poshtë deklaratën publike të z. Asdren Çelaj, anëtar i familjes Çelaj dhe nënkryetar i Komunës së Gucisë.

Ky reagim është marrë nga profili personal i Asdren Çelajt në Facebook, ku ai adreson debatin e ditëve të fundit rreth figurës së Isuf (Kamer) Çelaj dhe sqarimet për largimin e bustit.

Qëllimi i publikimit është t’u ofrojmë lexuesve versionin e plotë të qëndrimit të tij, si dhe të kontribuojmë në informim të saktë e të paanshëm të opinionit publik.

Më poshtë, postimi i plotë siç është bërë nga autori në rrjetin social.

DEKLARATË PUBLIKE KUNDËR PROPAGANDËS DHE KEQPËRDORIMIT TË FIGURËS SË ISUF (KAMER) ÇELAJ

Nga Asdren ÇELAJ

Duke u bazuar në deklaratat shpifëse e tendencioze të Forumit Shqiptar dhe disa “patriotëve të facebookut”, ndiej detyrim moral, familjar, kombëtar e njerëzor që të sqaroj publikisht të vërtetën për largimin e bustit të heroit Isuf (Kamer) Çelaj. 

Urdhëri për largimin e bustit nuk është vendim i marrur nga Komuna as nga kushdo qoftë tjetër në Komunë. 

Ky urdhër është i deleguar drejtpërdrejt nga Qeveria e shtetit- Ministria e Kulturës, në të cilin përcaktohet afat 3 ditor (pra ultimatum) për largimin e përmendorës me arsyetimin se nuk posedon leje ndërtimi. 

Për këtë vendim (urdhër apo ultimatum) është njoftuar edhe familja e ngushtë e Isuf Kamer Çelaj, të cilët e kanë kuptuar qartë se bëhet fjalë për një vendim të pushtetit qendror, para të cilit as familja e as Komuna nuk kanë mundësi ligjore apo çfarëdo qoftë tjetër që ti dalin përpara. 

Habit fakti se si kanë fytyrë të flasin nga Forumi Shqiptar, të cilët deri sa u largua busti nuk dhanë asnjë reagim, asnjë dinstancim nga deklarata e Ministres së tyre të kulturës, por u shfaqen tani pas tastierës duke hedhur akuza të pabaza ndaj meje e kolegëve të mi, sikurse ky ultimatum të ishte dhënë nga ne!

Hipokrizia arrinë kulmin kur dihet botërisht se po ky Forum është në bashkëqeverisje me shoqen e tyre, Ministren e lartë-përmendur. 

Për më tepër, për t’i hedhur pluhur syve të gjithë komunitetit por edhe familjes së Isuf Kamer Çelaj, publikojnë një UTU (Kushte tekniko- urbanistike) të Komunës së Plavës të vitit 2013 duke e paraqitur në mënyrë mashtruese si “leje ndërtimi”. 

Por e vërteta është e thjeshtë, UTU nuk është leje ndërtimi por vetëm një kusht teknik për hartimin e projektit. Madje vet në fund të kësaj UTU thuhet qartë se ky dokument ka vlerë 1 vjeçare, dhe nëse brenda kësaj periudhe nuk bëhet leja e ndërtimit, kjo UTU e humb vlerën. 

Pas pak kohësh, i njëjti organ që ka lëshuar këtë UTU ka marrë dy vendime tjera që të ndalohen punimet. 

E çuditshme?! 

Pra, për më tepër se një dekadë, këta që sot mashtrojnë opinionin kinse përmendorja ka leje ndërtimi, nuk kanë bërë asgjë për ta siguruar të njëjtën edhe pse vet asokohe kanë qenë në Komunën e Plavës (kohë kur janë marrë edhe vendime të tjera në dëm të popullit shqiptar si deponia në Martinaj etj.) dhe se në emër të kësaj “leje ndërtimi” janë përfituar fonde jo të vogla. 

Logjikisht lind pyetja: Pse nuk ia treguan këtë “leje ndërtimi” koleges së tyre- ministres? 

Pse lejuan që të vijë ultimatumi nga qeveria e tyre?

Pse heshten pasi që erdhi urdhëri, u zhduken?

Pse u aktivizuan nëpër facebook vetëm pas largimit të bustit?

A nuk e pyesin vet veten se çfarë kërkojnë në atë Qeveri me Frontin Demokratik, Qeveri e cila nënçmon figurën e Isuf Kamerit dhe të gjithë shqiptarëve? 

Si e lejojnë ministren e vet që të lëshoj deklarata të tilla ofenduese ndaj figurës së Isuf Kamer Çelaj? 

Pse heshten?

Çfarë po fshehin?

A kanë frikë nga shkarkimet?

Apo ndoshta kanë bërë ndonjë pazar politik?

Ironia është e dhimbshme: këta të njëjtit “patriotë” që sot mbajnë poste të larta shtetërore deri në zv. Kryeministër, Ministra, zv. Ministra, sekretar shtetëror, antarë bordesh etj., në vitin 2020 patën filluar fushatën zgjedhore pikërisht tek busti i Isuf Kamer Çelaj. Asokohe, paskan qenë duke e përdorur figurën e tij si dekor për të kërkuar vota e sot bëjnë të njëjtën gjë duke e përdorur figurën e tij për lojëra politike, derisa vet kanë përgjegjësi. 

Tani, nga frustrimi i mbetjes së tyre në opozitë në Guci, po tentojnë të mbulojnë dështimet e veta duke hedhur baltë mbi të tjerët. 

Sot këta guxojnë të kërkojnë dorëheqjen time, të kolegëve të mi apo të kujtdo qoftë nga qeverisja lokale, në një kohë kur vet janë përgjegjës dhe nëse pak i vret ndërgjegja, ata duhet  të tërhiqen nga pushteti qendror i cili ka revoltuar të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë trojeve shqiptare. 

Fatkeqësisht, e gjithë kjo situatë është shembull i qartë i keqpërdorimit të figurës së Isuf Kamer Çelaj për përfitime të ngushta politike nga disa përfaqësues të Forumit Shqiptar e të Lidhjes Demokratike Shqiptare- Guci. 

Por le ta dijnë të gjithë: nuk pranoj të bëhem shënjestër e lojërave politike që synojnë përçarjen e komunitetit dhe ndjenjave të popullit. 

Të gjithë ata që mendojnë se mund ta mbulojnë të vërtetën me baltë, le ta dijnë një gjë: baltën mund ta hedhin, por ajo baltë do të bie mbi kokën e vet atyre, sepse e vërteta del në shesh herët a vonë. 

Figura e Isuf Kamer Çelaj është e shenjtë për ne dhe nuk do të lejojmë që të përdoret si mjet për intriga politike. 

Ai nuk i përket vetëm familjes, por është hero i popullit të Plavës e Gucisë, është dëshmor i kombit i dekoruar nga shteti shqiptar dhe meriton respekt, nderim e dinjitet nga të gjithë shqiptarët!

Exit mobile version