Ku është dallimi?
Në historinë e shqiptarëve kemi pasur dhe kemi këto dy lloje asimilimesh, për fatin tonë të keq.
Asimilimi i dhunshëm!
Asimilimi i dhunshëm ndodhur gjatë pushtimeve të ndryshme të etnisë shqiptare në kohë dhe regjione të ndryshme të etnikumit tonë; sot me të madhe dhe me presione të ndryshme shtetërore dhe institucionale, ky asimilim ndodhë në: Greqi, me emigrantët shqiptarë të pas viteve të 90-ta, sikurse edhe në vazhdimësi me shqiptarët-avranitasit autokton, në Maqedoninë e Veriut, në Serbi si dhe në Mal të Zi. Ky asimilim ka ndodhur dhe ndodhë si rezultat i mosafrimit të qëllimshëm të infrastrukturës shkollore për shqiptarët në këto vende.
Greqia nuk do të njohë etninë shqiptare-avranitase edhe pse vet është vend “europian” dhe nga shtetet për rreth e sidomos nga Shqipëria këmbëngul vazhdimisht në njohjen e minoritetit grek, bile edhe në veri të Shqipërisë, për të cilin kërkon edhe shkollë por edhe financon vet për ta.
Të njëjtën gjë ka bërë Maqedonia (e Veriut) deri vonë edhe pse ky fenomen nuk ka përfunduar ende: Kujtojmë këtu deklaratën e kryeministrit Zaev, i cili tha: “Edhe unë jam shqiptar”!!!
Serbia ka mohuar në vazhdimësi ekzistencën shqiptare. Mjafton të kujtojmë shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit dhe presionit që i nënshtrohen ata sot, për të ikur nga vendet e veta. Këtu hyjnë edhe shqiptarët e Sanxhakut i cili është i ndarë në mes të Serbisë dhe Malit të Zi dhe për pasojë terrori e gjencidi brutal, nga këto dy shtete, këta banorë i quajnë “boshnjakë”, Atyre u kanë ndërruar emra dhe identitet, edhe pse po të kthen 100 vjet prapa edhe kur shikon fotografitë e tyre dalin shqiptar me rrënjë e me degë.
Ky asimilim sistematik është provuar të bëhet edhe në Kosovë deri në Vitet e ‘70-ta.
Nuk e kanë pësuar më mirë as pjesa tjetër e shqiptarëve në Mal të Zi edhe pse ka një përparim të vogël, shumë të vogël që kur Mali i Zi u bë shtet dhe u fut në NATO.
Në Turqi është po ashtu një gjendje e mjerë, një pjesë janë turqizuar edhe pse shumë ende e mbajnë gjallë identitetin, por shteti turk sikur nuk iu ka krijuar atyre mundësi shkollimi e përmes kësaj edhe njohje të identitetit.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe me arbëreshët në Itali.
Kjo është pjesa e dhunshme e asimilimit, miqë, dhe këtu duhet të bëhen përpjekje nga shtetet tona që të arrihet një mundësi që këta shqiptarë në këto troje, të cilat na i kanë rrëmbyer fqinjët tanë pas largimit të Mbretërisë Otomane, apo janë larguar shqiptarë me shumicë për shkak të presionit dhe marrëveshjeve për shpërngulje të shqiptarëve, si në Turqi etj., të mund të flasin dhe të shprehen shqip pa frikë si dhe të mund të shkollohen shqip!!!
Asimilimi modern ose “vullnetar”!
Asimilimi modern ose “vullnetar” është një asimilim tjetër që i kanoset qënjes sonë kombëtare.
Shqiptarët kanë emigruar nga trojet e tyre në tërë botën, kryesisht në botën Perëndimore. Edhe pse ka dallime nga shteti në shtet e këtu duhet përjashtuar shtetet si Greqia, Bullgaria, Rumania, Hungaria e shtetet tjera të Lindjes që janë pjesë e Bashkimit Europian, por që nuk e stimulojnë mbajtjen e mësimit shqip. Megjithatë në shumicën e shteteve të tjera të Bashkimit Evropian, sikurse në Itali, Francë, Gjermani, Austri, Shtetet e Beneluxit, Shtetet Skandinave, apo në Zvicër, e cila nuk është anëtare e Bashkimit Evropian, por edhe në Amerikë, Kanada, Australi, etj, nuk bëjnë presion që shqiptarët të mos shkollohen në gjuhën e tyre, përkundrazi këto shtete stimulojnë edhe me infrastrukturë shkollore që të mësohet sa më mirë gjuha e parë, pra shqipja, në mënyrë që më lehtë të mësohet gjuha e dytë apo e tretë e vendit përkatës ku gjenden shqiptarët e emigruar.
Një qasje e tillë është e bazuar në kërkimet e shumta shkencore, të cilat janë bërë enkas për këtë çështje dhe kanë dalur në përfundimin se përvetësim-mësimi i gjuhës së parë apo gjuhës amtare është bazë për mësimin e gjuhëve të tjera dhe për rrjedhojë fëmijët do të dalin më të suksesshëm.
Po pse vazhdojmë të asimilohemi vullnetarisht në shtetet që stimulojnë prindërit dhe komunitetin shqiptar për t’i dërguar fëmijët të mësojnë në gjuhën e tyre amtare?
Shqiptarët për fat të keq nuk e vlerësojnë se sa e rëndësishme është mësimi i gjuhës shqipe për fëmijët e tyre!
Ata duhet ti dërgojnë fëmijët në shkolla ku mësohet shqip jo për t’u mësuar që të flasin, se për t’a folur ata do ta flasin disi, sikurse për shembull e flasin shqiptarët e Turqisë, ata të Sanxhakut apo Greqisë, apo edhe të Maqedonisë së Veriut nga pjesa ku nuk ka shkolla shqipe atje.
Mërgimtarët duhet t’i dërgojnë fëmijët në shkollimin shqip që të mësojnë të lexojnë, të shkruajnë dhe të kuptojnë shqip. Aty pastaj ata do të mësojnë edhe gjëra, nga kultura, arti, historia, gjeografia dhe vendi prej të cilit vijnë prindërit e tyre.
Mësimi i rregullt në shkollë-pra mësimi i të shkruarit, të lexuarit dhe të kuptuarit shqip-kjo është ideja bartëse e shkollimit të mësimit plotësues për gjuhën shqipe që këtu e 30 vjet, e organizuar, koordinuar dhe e vënë në jetë nga LIDHJA E ARSMITARËVE dhe PRINDËRVE SHQIPTARË “NAIM FRASHËRI”, shkurt LAPSH, si p.sh. në Zvicër. Fëmijët që shkojnë në këtë shkollë njohin edhe fëmijë të tjerë nga trevat e ndryshme shqiptare e që është një përparësi edhe më e madhe për ta! Po pse nuk ndodhë kjo ashtu sikurse do të duhej të ndodhte? Arsyet janë të shumta, por injoranca është ajo që për fat të keq nuk jep mundësinë për një mendim të kualifikuar në lidhje me rëndësinë e madhe që ka mësimi i gjuhës shqipe për fëmijët shqiptarë në mërgatë. Në rrugë e qytet, shtëpi mallrash, restorant, pishinë etj., dëgjon biseda ndërmjet prindërve dhe fëmijëve, të cilat biseda zhvillohen t’a zëmë gjysmë shqip dhe gjysëm gjermanisht, në këtë rast në vendet gjermanëfolëse. Formulimi i tillë i fjalive me disa fjalë nga shqipja dhe disa fjalë nga gjermanishtja, si shembull, krijon huti, dhe ç’orientim të fëmijëve parashkollor, sepse ata me këtë rast nuk dijnë të bëjnë dallimin dhe i mësojnë këto fjalë ashtu si u thuhen nga prindërit. Besojmë se e njëjta gjë ndodhë edhe me shqiptarët në vendet të cilat flasin gjuhë të tjera. Kjo shkakton dëme të pariparueshme në të mësuarit e gjuhës amtare ashtu si duhet.
Shkenca thotë se fëmijëve duhet t’u flitet vetëm në një gjuhë, fillimisht, p.sh në gjuhën e parë apo të nënës. Kur kjo gjuhë është zënë, të tjerat përvetësohen shumë më lehtë.
Po si do ta mësojnë këta fëmijëtë pafajshëm, t’a flasin gjuhën shqipe kur prindërit e tyre për çështje konformiteti, të pavetëdijshëm apo për arsye të tjera, ua pshtjellojnë edhe më shumë duke mos e folur gjuhën si duhet me fëmijët e tyre. Kur u thuhet këtyre prindërve se këtu apo atje ka një shkollë të mësimit plotësues në gjuhën shqipe dhe se atje mund t’i dërgojnë fëmijët, atëherë pasojnë arsyetimet si: “Këta po lodhen shumë në shkollën e vendit”, “kanë me shkue në ushtrime n’futboll”, “kanë me shkue në boks e sporte tjera”- dhe për pasojë arsimimi shqip është prioriteti i fundit. Kur tematizohet me prindër çështja e të shkuarit në mësimin shqip ka edhe arsyetime si: “Nuk duan të shkojnë në shkollën e të mësuarit shqip” ose “me shku me zor nuk shkohet”, etj. Për përgjegjie në këtë qëndrim indiferent mund të japim shembullin e kombeve të tjera, të cilët të organizuar i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollën e gjuhës amtare deri edhe në 100 km larg nga vendbanimi.
Kombet e tjera kujdesen më mirë për këtë çështje dhe këtë për një fakt të vetëm: se prapa qëndrojnë shtetet e tyre, si Italia, Greqia, Bullgaria, Serbia, Rusia, etj nëpërmjet shërbimit të tyre diplomatik, dhe atasheve të tyre të arsimit dhe kulturës të vendosur në këto shërbime në vendet ku kanë emigruar qytetarët e tyre, e të cilët kanë vetëm këtë punë; të identifikojnë qytetarët e tyre dhe t’i orientojnë se ku duhet të shkojnë fëmijët e tyre për të marrur arsimin amtarë.
***
Sivjet është përvjetori i 30-të i veprimtarisë së LAPSH-it në Zvicër në përgjithësi e në kantonin e Cyrihut në veçanti.
LAPSH-i gjatë kësaj periudhe 30 vjeçare ka bërë të mundur funksionimin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe, pikërisht duke pasur për synim evitimin e asimilimit të fëmijëve tanë dhe harresës së gjuhës shqipe, e cila kohëve të fundit, e pas zbulimeve të shumta, po quhet gjuha e parë. Nëpërmjet këtij institucioni arsimor kanë dalur mijëra djemë dhe vajza të pajisur me njohuritë fillestare të shkrim-leximit, kuptimit të asaj që kanë mësuar dhe janë informuar me elementët bazë të kulturës dhe traditës së prindërve dhe të të parëve të tyre. Në Zvicër kemi mjaft të rinjë të cilëve në karrierën e tyre u ka ndihmuar edhe njohja e gjuhës shqipe për t’u sistemuar në vende pune të mira, si në administratë, drejtësi, siguracione, sistemin shëndetësor, etj., dhe neve kjo si LAPSH na bënë të lumtur kur dëgjojmë e kuptojmë për rastet e tilla.
Shumica e nxënësëve shqiptarë në Zvicër vijnë nga Kosova, pastaj Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi, Shqipëria dhe së fundmi edhe nga Greqia.
Shteti i Kosovës për arsye të ndryshme nuk ka mundur t’a marr përsipër tërë këtë proces mësimor në tërë botën, gjë që është e kuptueshme, por sigurisht që ka mundur të bëjë më shumë në këtë drejtim qoftë strukturalisht, qoftë financiarisht e qoftë në formën e organizimit.
LAPSH-i në çdo takim me korin tonë diplomatik si dhe ministrat e dikasterveve përkatëse, e ka ngritur këtë qështje, por kjo gjithmonë deri më sot ka mbetur vetëm në nivelin e premtimeve dhe mbështetjes vetëm morale.
Ka ardhur koha dhe bile e fundit që sektorët përkatës të Republikës sonë, nëse jo në tërësi, atëherë parcialisht, e sidomos aty ku koncentrimi i shqiptarëve në Europë është i madh të shikojnë mundësinë se si patjetër të stimulohet, dhe kultivohet dashuria tek prindërit dhe fëmijët për të shkuar në mësimin shqip, ku ai lejohet dhe stimulohet edhe nga vendet e pritjes, sikurse në këtë rast Zvicra, dhe të vë në dispozicion mbështetje së paku të pjesëshme financiare për infrastrukturë koordinim dhe organizim të këtij mësimi.
***
Mërgata Shqiptare vërtetë ballafaqohet me sfidat e emigrimit. Këto sfida janë të tipologjive të ndryshme; gjenerata e parë ka sfida që dallohen nga sfidat e gjeneratës së dytë, e ky dallim vazhdon edhe te gjenerata e tretë, që ka dallim nga gjenerata e dytë, e kështu me radhë, sikurse:
Sfida e identitetit si: Kush jemi ne?
Sfida e integrimit në vendin mikpritës: Si të sillemi ne?
Sfida ndaj asimilimit (humbjes së gjuhës dhe kulturës).
Sfida ndaj globalizmit.
Sfida ndaj teknologjisë informative; bota e internetit etj.
Njeriu ynë, për fat të keq është i detyruar të ballafaqohet me sfidat dhe jo për të gjitha sfidat ka një zgjidhje të shpejtë, apo është në dorën e tij se si duhet të veprohet!
Me gjithë vështirësitë, një gjë mërgimtarët tanë në Perëndim e kanë thuajse në dorën e vet. Sfida me identitetin (gjuhën, kulturën) deri diku mund të zbutet nga gjenerata e parë, duke e përcjellë te gjenerata e dytë, e diku-diku edhe te gjenerata e tretë.
Cila është kjo gjë?
Kjo është mundësia për të dërguar fëmijët (gjeneratën e dytë dhe, edhe të tretën) në mësimin plotësues në gjuhën shqipe– aty ku ai është i organizuar. E aty, ku nuk është i organizuar, të bëhen përpjekje për t’u organizuar, sepse kjo është një e drejtë elementare e njeriut (fëmijëve), e cila në vendet perëndimore promovohet në parim. Mjafton të organizohen prindërit në vendin ku jetojnë, të kontaktojnë LAPSH-in kantonal apo atë qendror në Zvicër dhe për një kohë të shkurtë, klasa është gati për nxënësit e rinjë. Vetëm kaq është kjo punë!
E thamë edhe më lart se fëmijët duhet të dërgohen në mësimin shqip dhe atë jo për të mësuar të flasin, se ata disi do të mësojnë të flasin, por DUHET TË DËRGOHEN ATJE TË MËSOJNË TË SHKRUAJNË, TË LEXOJNË DHE TË KUPTOJNË SHQIP. Paralelisht me këtë, ata do të marrin njohuri të çmueshme për të ardhmen e tyre, sepse do të mësojnë çështje nga kultura, historia dhe gjeografia e vendeve prej nga vijnë, e ku flitet shqip, me çka përforcohet vetëbesimi dhe identiteti i tyre. Po kështu ata në klasën ku mësohet shqip do të njihen me njëri-tjetrin, pra do të zgjerojnë rrethin e njohjeve, e kjo është një vlerë e çmuar në jetën e njeriut.
Këtë të drejtë, të dashur prindër, e kemi në dorë vetë dhe duhet ta shfrytëzojmë patjetër aty ku mundësitë ekzistojnë.
E tëra kjo duhet bërë që të mos na përfshijë asimilimi “vullnetar” modern, sepse është vonë kur gjyshi e nipi nuk mund ta kuptojnë më njëri tjetrin në gjuhën shqipe.
LAPSH, Cyrih
Gëzim KASUMAJ
Nënkryetar
Paraqitja e fëmijëve për të mësuar shqip nga klasa e parë:
https://www.lapsh-zh.ch/index.html