Nga Ramiz LUSHAJ
1.
Në mëngjesin e 9 tetorit të vitit 1912, mbi kalanë e Deçiçit, ku para disa muajsh, më 6 prill 1911 kryengritësit trima shqiptarë të prirë nga legjendari Dedë Gjo’ Luli e ngritën Flamurin Kombëtar Shqiptar, djali i mbretit Nikolla, princi 33-vjeçar Mirko, do të qëllonte me tre të shtëna topi, duke shënuar sinjalin e luftës së parë ballkanike. Nga kalaja e Rozafës në Shkodër u dëgjuan tre të shtëna topi të njëpasnjëshme. Diplomacitë e huaja i njoftuan shtetet e tyre të dy blloqeve politiko-ushtarake të kohës se në tokën shqiptare ndaj ushtrive të huaja do të kishte qëndresë përballëse të madhe, të përgjakshme, të gjatë.
Mbreti Nikolla i Malit të Zi më 9 tetor 1912 lëshoi një Proklamatë [1] me thirrje shovene drejtue popullit malazez dhe forcave të tij ushtarake në mësymjen luftarake për pushtimin e spastrimin etnik të trevave veriore shqiptare në dy brigjet e Drinit deri në lartësitë alpine. Ai tregohet hipokrit kur komenton se “prishja e qetësisë europiane” ia kishte godit aq fortë zemrën, pasi iu apelon forcave ushtarake malazeze të “vringëllojnë shpatat pa u tutë” si dikur etërit e tyre në Nikshiq, Tivar, Ulqin.[2] Drejt kazasë së Plavë-Gucisë u nis një nga tri grupimet ushtarake malazeze: Grupimi i Verilindjes, i drejtuar nga gjeneral agjutant, brigadieri serdari, Janko Vukotiç, me rreth 10.000 ushtarë të inkuadruem në Divizionin IV (21 batalione, 6 bateri artilerie, me 28 topa).[3] Njëkohësisht, Mali i Zi i futi në luftë ofensive edhe dy grupime të tjera të mëdha: Grupimi i Qëndres, me dy divizione (i dyti dhe i treti), me rreth 13.000 vetë efektiv (21 batalione, 11 bateri artilerie, 36 topa) në komandë të princit malazez, Danillo, u nis nga fusha e Podgoricës për të pushtue qytetin e Shkodrës në breg të liqenit, lumit e detit – kryeqendren e vilajetit të Shkodrës. Grupimi i Bregdetit (ai i Jugut) me rreth 11.000 vetë të inkuadruem në divizionin e parë (3 brigada kambësorie, 15 batalione, 8 bateri artilerie, 32 topa, 6 mitraloza) vepronte anës së malit Tarabosh për të kaplue në unazë rrethimi kalanë Rozafa e qytetin e Shkodrës dhe të pushtonin e aneksonin portin e Shëngjinit dhe qytetin e Lezhës.
Perandoria Otomane, Komanda e Përgjithshme e saj, hodhi në frontin e luftës forca të Korpusit VII si Divizionin XXIV në Pejë, disa batalione kufini, regjimente rezervistësh e vullnetarësh në Prizren, Pejë, Plavë, Guci.[4] Gjithsej ishin 49 batalione me mbi 53.000 forca ushtarake otomane, të cilat nuk treguan përballje të fortë luftarake, ashtu sikurse kundër malazezëve në kryeqytetin e vilajetit të Shkodrës, kundër serbëve në Kumanovë në vilajetin e Kosovës, etj.
Forcat ushtarake të Grupimit Lindor (me tri brigada kambësorie e një brigadë vullnetare serbe) u dislokuan në tri pika gjeo-strategjike: Zhabjak, Kolashin e në Andrejevicë, me objektiv luftarak gjeo-strategjik të marshonin deri në Sanxhakun e Tregut të Ri për ta ndarë këtë krahinë etnike shqiptare ndërveti me Serbinë dhe, mbasandejna, të kalonin përtej Pejës e Gjakovës, me ëndrren e vjetër e të re të mbretit Nikolla I për ta shpall Prizrenin shqiptar “kryeqytet të Malit të Zi”.
Më 9 tetor 1912, Divizioni Lindor i Malit të Zi sulmoi kufirin turko-malazez në dy krahinat etnike shqiptare: në Bijello Pola dhe në Mojkovac, në afri gjeografike me kazanë e Plavë-Gucisë, të cilat i morën me disa luftime të shkurtëra dhe u vërsulen egërsisht mbi popullsinë e atyshme shqiptare, mbi shqiptarë të asimiluar në boshnjakë, duke kryer krime të rënda, plaçkitje të mëdha, djegie të pasurive të tyne, etj..
Brenda dy ditëve, me vendosjen e diktaturës ushtarako-policore malazeze në dy zonat e pushtuara, Grupimi i Lindjes u nistue drejt Beranës, nga përbërja e të cilit 8 batalione me forca ushtarake në mesditën e 11 tetorit 1912 vijuan përgjatë rrjedhës së Limit për nënshtrimin e Plavë-Gucisë, ndërsa 13 batalionet e tjera më 16 tetor 1912 do të merrnin rrugën e luftës për në Pejë. Ushtrisë malazeze iu shtuan edhe grupe vullnetare serbe, etj., jo vetëm nga Bijello Pola, Mojkovac, Beranë, etj.
2.
Mbi kullën e Bajram Hysit (Hysenit) të Mekulëve të Nokshiqit, në një kodrinë, ngrihej katër katëshe e lartë “Kulla e Nizamit”, nga kryelartja e të cilës shihej Plava me rrethina, krejt Velika deri në Qafën e Çakorrit e në Murinë. Aty rrinin në vrojtim e gadishmëri luftarake 35-40 nizamë otomanë. Në mes tyre kishte edhe ndonjë shqiptarë të punësuar nga trevat përrreth.
I riu atdhetar Mujë Bajrami, djali i madh i luftëtarit hero të Luftës së Nokshiqit, Bajram Hysi, më 9 tetor 1912 pikasi me sy se andej nga “Kulla e Nizamit” pasi kishte lëvizje të pazakonta, ndryshe nga çdo herë tjetër. U ngjit deri atje dhe foli me nizamët. Ata po donin me u çue andej e me hy në kazermë, në përgaditje për me shkue nga kanë ardhë, drejt Stambollit, kryeqytetit të Perandorisë Otomane. Nuk hupi kohë e u rikthye tek kulla e vet, ku i kallxon gjithçka të atit.
Ky luftëtar i sprovuar nuk kishte kohë me mendue e fjalnue gjatë, po thirri vllazninë e vet: Hajdar Hysenin e Selim Hajdarin të Mekulëve, mori përkrah djemtë e vet: Mujën e Balinë, të dy të martuem asaj kohe, dhe iu ngjitën kodrinës me armë në duar tue nxanë pozicione luftarake. I rrethuan nizamët e iu kërkuan me u dorëzue pa astenji rezistencë.
Shtatlarti trupmbushun, 52 vjeçari i mendjes e i pushkës, Bajram Hysi i Mekulëve, iu vikati jehonshëm në shqip e në osmanisht:
– O nizamë, për hajr iu koft rruga juaj tue na lanë vetëm në luftë me shkijet. Po na tradhtoni. Merrni kuaj, ushqime e çka të doni vetëm me i dorëzue pa luftë armët e juaja në derë të “Kullës së Nizamit”.
Pushka e trimave mekulas nuk linte rrugë të dytë. Nizamët panë se nga poshtë fshatit po i ngjiteshin kodrës edhe të tjerë nokshiqas, biles edhe të rinj e të moshuar. Nuk lanë me zgat shumë fjalët e shqiptarëve nga llogoret. I lëshuan përtokë armët, tue i mbështetë me grykë poshtë në murin e “Kullës së Nizamit” dhe morën rrugën për kah Qafa e Diellit e me shkue në Pejë, në qëndren e Korpusit VII të ushtrisë otomane.
Tre djemë trima të rrallë, Mujë Bajram Hysi (Mekuli) e dy vllaznit: Selimi e Arifi të Hajdar Mekulit, iu nxorën shpatat nizamëve, të cilët ua dinin trimëritë e tyre në betejat me shpata, pasi iu kishte shkue zani deri përtej Andrejavicës e Kolashinit, Beranës e Rrozhajës, Pejës e Malësisë së Gjakovës. Kur i mblodhën armët burrat e Mekulëve e nokshiqas të tjerë që mbrrinë aty e kuvenduan me i nda ato tek xhamia e vjetër në qendër të fshatit, po veçse paraprakisht banë një përjashtim: ia dhanë Mujë Bajram Hysit një “revole turke” si lajmës i parë, të cilën e mbajke të ngjeshun në brez si kujtim të veçantë. Muja, kur e lëshoi Nokshiqin i përndjekun familiarisht me plumba e zjarr nga malazezët e mshefi shpatën në një qarrishte në vijë të kufinit, e cila nuk u gjet ndonjëherë, pavarësisht se e kanë kërkue njerëzit e tij edhe në vitet e rikthimit, në “Kohën e Shqipnisë”.
Me atë revole Muja qiti për herë të parë kur ranë tek xhamia. E dha sinjalin me u mbledh në log të kuvendit të Nokshiqit nga një mashkull për shtëpi. Aty i ndanë armët e armatimet e nizamëve dhe e caktuan rendin e vrojtimit tek “Kulla e Nizamit”: për çdo vllazni nokshiqase nga dy mashkuj pushke.
Luftëtari me trimni të njoftun, Bajram Hysi Mekuli u caktue si kordinator i tyne, pasi kishte dëshmue aftësi ushtarake, e kishte kullën e tij aty afër, lidhej me çetën që rrinte atyne rrethinave në luftë me malazezët e të përndjekun nga shteti otoman në rënie të pandalshme.
“Kulla e Nizamit” i mbeti Nokshiqit, vllaznive të tij, derisa u dogj pas disa ditësh nga ushtria malazeze, e cila sot ka mbet një gurnajë e haparavtë.
3.
Mbi 3.000 forca vullnetare shqiptare nga bajrakë të vilajetit të Kosovës, kryesisht ata të Kazasë së Gjakovës: Krasniqja (bashkë me Ponarët, me Dragobi, Valbonë e Çerem), Gashi (me hotët e Shkëlzenit), Shipshani (me berishët e Tropojës), Bytyçi (me Berishën e Brigjeve), Mërturi e Nikajt (një pjesë e tyre), Dushkajë, Rekë e Keqe, etj. i ngjeshën armët e kushtrimit e shkuan në ballë të luftës.
Forcave shqiptare iu prinin Bajram Curri e Riza Beg Kryeziu (të dy morën plagë të lehta në këto beteja luftarake) si dhe përfaqësues krahinor si Zeqir Binaku i Krasniqes, Halil Brahim Bajraktari i Gashit, Tahir Bek Bajraktari i Shipshanit, Kadri Zmajli i Dragobisë, etj. Luftime të ashpra u zhvilluan në Visitor, mbi Velikë, Majën e Liqenit të Plavës, etj., Komandanti i Divizionit, gjeneral J. Vukotiç, më 21 tetor 1912, nga Gucia e pushtueme nga malazezët, i raporton mbretit Nikolla i Parë se “3 mijë shqiptarë të nahijës së Gjakovës …ata sulmonin çdo ditë batalionet tona…”.
Në këto luftime mori pjesë edhe Bajram Hysi (Hyseni) i Nokshiqit, djali trim i Ramë Sykut të Mekulëve, luftëtar i rrallë i “Betejës së Nokshiqit” e deri në luftën për çlirimin e Gjakovës nga otomanët (prill 1912) dhe së fundit – pjesmarrës në Kuvendin e Junikut (21-25 maj 1912).
Ky, luftëtari atdhetar Bajram Hysi Mekuli, bashkë më disa nokshiqas të tjerë të vllaznive Mekuli, Selimaj (edhe të Gucisë), Mehaj e Buçaj, në mestetorin 1912 iu bashkangjiten me vullnetin e armatimet e veta forcave të Kazasë së Gjakovës, duke qënë ndihmës në luftime, në udhërrëfime, në ndërtimin e strategjisë së luftës në Plavë-Guci, etj.
Në luftimet mbi Velikë fituan shqiptarët kundër sulmeve të malazezëve, ku një kontribut të djeshëm pati edhe Bajram Hysi i Mekulëve në udhëzimet e tij teorike-praktike për vendosjen e trupave luftarake shqiptare, në topografinë e fshatit Velikë, etj., sepse edhe kullat e veta mekulase në Nokshiq i kishin në kufi me Velikët (shumica shaljanë të asimiluar, serbë, etj.).
Forcat e pakta ushtarake turke, ato të stacionuara në Plavë dhe në Guci, nuk patën ndonjë kontribut luftarak aq të veçantë dhe lëshuan vendin shpejt, qyshse me 18 tetor 1912, të cilat ikën bashkë me Riza Beg Kryeziun e gjithato forca vullnetare shqiptare, tue ndalë në Bogiqe e, prej aty, drejt e në Pejë, po disa prejt tyne shkuan edhe në Gjakovë, ndërsa Bajram Curri me forca të tij shkoi në fshatin Valbonë të Malësisë së Gjakovës (Tropojë).
4.
Në syçelje të ditës së 13 tetorit 1912 forcat malazeze iu turrën pabesisht dhe egërsisht Nokshiqit me zjarr e me hekur, pasi i thirrke urrejtja e përjetshme bio-politike e humbjes në dy betejat e Nokshiqit në fundvitin 1879 e fillimvitin 1880, ku humbja e krajl Nikollës ishte fatale, e pazakontë, që nuk ia mundësoi mbi tri dekada pushtimin e krahinës së Plavë-Gucisë, këtij vendi gjeo-strategjik “çelësi” për të hyrë drejt Malësisë së Gjakovës e krejt Kosovës dardane.
Luftëtari trim Bajram Hysi i Mekulëve kishte dalë tek “Kulla e Nizamit” pasi e thirri njani nga vrojtuesit, që kishte parë të vinin drejt Nokshiqit forca ushtarake malazeze. U ngjit në katin e katërt të saj. Nga maja e kullës e lëshoi kushtrimin:
-O bini burra se shkjau e mësyni Nokshiqin…po ngjitet në kaza të mymlyqetit të Plavës e
të Gucisë…!
Kulla e Nokshiqit, e thirrun ndryshe edhe “Kulla e Qelit” ua përcillke zanin kushtrimtar kullave të tjera të tilla në ato rrethina si Kulla e nizmave mbi Pepaj, Karatobrakut (Kulla e Zezë e Rogave), Kulla e Vogël (Merxhes Kulla), Razdokulla, Kulla e Madhe (Bajram Kulla në Mokën) e kullë mbas kulle fjala shkoi në derë të Stambollit, në kryeqëndren e Portës së Lartë. Ky ishte një komunikim i veçantë i kohës, një lloj telefoni përcjellës i zanit nga kulla në kullë.
Kjo i befasoi ushtrinë malazeze të gjeneralit kriminal, Radomir Veshoviq, pasi ata po synonin të kapnin në befasi njerëzit e pasuritë e tyne. Ata kërkonin t’i arrestonin ose t’i vrisnin luftëtarët trima të Nokshiqit historik ose t’ua ndrronin identitetin etnik e fetar.
Menjëherë 45 familjet nokshiqase [5] po largoheshin nga fshati i tyne drejt kodrinave e maleve përrreth për mos me ra në dorë të malazezëve e të serbëve gjakatarë e plaçkitës.
Atdhetari i sakrificave kombëtare, Bajram Hysi i Mekulëve, pasi i nisi familjen e tij, Mujën e Balinë me gratë e tyne dhe Brahimin e Halilin beqarë, u drejtue rrugës me kuaj me ushqime dimnore e veshje të leshta për me ua çue vullnetarëve shqiptarë të kazasë së Gjakovës, të primë nga Bajram Beg Curri, Riza Beg Kryeziu e të tjerë në krye të 3.000 malësorëve luftëtarëve që kishin ardhë me e mbrojt Plavë-Gucinë nga sulmet e ushtrisë malazeze.
Kuajt hingëllinin e rrihnin me shkelma tokën. Nuk banin hap përpara. Me kambë e gërryenin dheun. U shkrehën armë në ajër. Njani prej tyne e tundtte shpatën. E futën në mes. Bajram Hysi e çoj shpejtas dorën tek arma e brezit, po e ndjeu në rranxë të veshit tytën e një arme. Dikush tjetër i doli përballë.
-Ky është Bajram Hysi i Nokshiqit i Urës së Limit. Mos e lëshoni të gjallë!… – klithte
me tërbim njani prej tyne, që thonë se ishte velikas, po ndokush dijenonte se ai folës mund të ishte edhe nga vasojeviçët e Adrijevicës. Po, gjithësesi ishte kundërshqiptar.
-Fundi juaj, o shkije, do t’iu vijnë edhe nga nokshiqasi ma i fundit që të mbetet i gjallë.
Ju i patë tek Lufta e Nokshiqit dhe keni me ia ndie krismën kësaj pune edhe kësaj here – iu tha Bajram Hysi teksa ecte i lidhun forcat nga malazezët shovenë, që ia rrëmbyen pakthim edhe tetë kuajt e Mekulëve me ushqime për luftëtarët e lirisë kombëtare shqiptare.
Malazezët po kërkonin luftëtarët fitimtarë të Luftës së Nokshiqit, pasi edhe Bajram Hysin e Mekulëve e shihnin si një nga triumfalët e saj, sepse ishte pjestar i atij grupit që e shkatërroi “Urën e Nokshiqit” pranë trojeve të kullave të tij. Asokohe ai ishte djalë i ri, 20 vjeçar i fuqishëm, që pjesmarrja në prishjen e asaj ure i dukej pak, pasi ia hovte në ato çaste mendja sikur ta merrte atë urë historike mbi shpinën e tij kockëfortë.
Serbët e kanë ngrit në mit “Betejën e Fushë-Dardanisë” (1389), ashtu sikurse malazezët “Luftën e Nokshiqit” (1879-1880) dhe të dy palët sllave kundërshqiptare kërkojnë hakmarrje të përjetshme në emën humbjes së tyne në këto beteja. Miladin Popoviçit iu vra mixha në Luftën e Nokshiqit dhe gjeti rastin politik të hakmerrej gjithanshmërisht ndaj shqiptarëve, kur erdhi si bashkthemelues i Partisë Komuniste Shqiptare dhe bashkdrejtues i LANÇ, që i lau duart e tij dhe tokat në viset etnike shqiptare në Ballkan me gjakun e shqiptarëve. Sot, drejtues të lartë të shtetit të Malit të Zi, e ushqejnë këtë hakmarrje edhe pas tre shekujve kalendarik, pasi shumë prej tyre i kanë eshtrat e të parëve të vet në rrafshalumin e Limit e kodrinat e tij në të dy anët e rrjedhës së tij.
5.
Rrezet e diellit ia lëshuan pak ngrohtësi vjeshte tokës së pushtuar të Nokshiqit historik në atë ditë tragjike të 13 tetorit 1912, pasi shqiptarët etnik të atyshëm po e ndjenin dimnin e egër malazez deri në palcë e kockat e tyne. Hakmarrja malazeze ia kishte mbrri në prag të shtëpive, në jetën e secilit nokshiqas.
Banorët e Nokshiqit, ata që i nxunë në kullat e veta, malazezët po i tubonin me detyrim në qendër të fshatit, aty tek xhamia e vjetër, tek logu i kuvendeve historike të nokshiqasve.
Nga poshtë fshatit po vinin malazezët e armatosun, sytë iu shkëndijonin nga urrejtja ndaj shqiptarëve. Ata ishin gjaksorë e plaçkitës. Komandanti malazez në Plavë, gjeneral Radomir Veshoviqi, në letrën e 28 tetorit 1912 që ia çon komandantit të Divizionit, Vukotiçit, i ban me dije se “ushtria ime është krejtësisht e zbathur dhe e uritur”.
Në Nokshiq, në gjithë paraditen e 13 tetorit 1912, ushtria malazeze u lëshue në plaçkitje të gjithçkaje që gjenin në kullat malësore, duke ngarkuar kuajt, çantat, xhepat. Disa prej tyne, nga uria e tepërt, kishin hangër aq shumë mjaltë e bylmetna në vatrat nokshiqase saqë ishin ma shumë se të trullosur në qëndrim e në ecje, villnin rrugës e në burimet ujore, etj.
Komandanti malazez Milija Nikoliq ishte i çakërdisun. Dukej se e kishte nxanë gjaku i pafajshëm i shqiptarëve të Bijello Pole, Beranës, të fshatnave kryerrjedhës së Limit, si në Arzhanicë – kryeqëndren e bajrakut të zonës, Pepaj e Murinë. Masakrimet e malazezëve e serbëve nuk do të kenë të ndalun deri në fund të pranverës 1913, që njihen në histori si “Masakra e Previsë” me rreth 700 të vrarë në mënyra kriminale nga shovenët sllavë.
Forcat vullnetare shqiptare të Gjakovës e malësive të saj u përqëndruan në vijën e frontit Vizitor – Qafë Xhami (Pepaj) -Arzhanicë-Çakorr, ku më 15 tetor 1912 ua krisën luftën me sulme strategjike guerilase e frontale që zgjatën mbi tre ditë. Një pjesë e këtyne forcave vullnetare, bashkë me dy grupe të vogla të garnizionit turk në Plavë e Guci (që po banin jetë kazerme e në përgaditje për ikje) ishte përqëndrue në vijën Vermosh-Greben-Zeletinë-Vizitor.
Burri i fortë mekulas, Bajram Hysi, duarlidhun, aty në qendër të Nokshiqit, qëndronte i pathyeshëm, dinjitar, heroik. Ishte i futun në një darë rrethimi nga shovenët jetëmarrës malazez. Banorët nokshiqas po e shihnin me dhimbje e dashuri dhe ndiheshin krenarë për qëndrimin e tij.
Ai e mbante kryet lart. Shihte nga malet. Atje i kishte bashkëluftëtarët e vet nokshiqas, plavë-gucias, të ardhun nga kazaja e Gjakovës, etj. Me ata po kuvendonte në distancë, sepse ata i kishte në zemrën, mendjen e në vizionet e tij, ata i jepnin forcë për qëndresë sfidante, e bënin sfinks të rrallë.
Ai po qëndronte si mal, biles teksa shihte ashtu tej horizonteve dukej sikur po matej me malet. Ai është epik, ai krijon epopenë e tij, përmasohet e lartësohet në kohën shqiptare e vargjet popullore:
“ Çka Nokshiqi që po dridhet?!
Bajram Hyseni gjallë nuk lidhet.
Çka Nokshiqi që gjëmon?!
Bajram Hyseni po lufton.
Bajram Hyseni burrë shqiptar,
Ju del shkijeve ballë për ballë…”
6.
Kur gjeneral Radomir Veshoviqi po vinte drejt qëndres së fshatit, aty tek xhamia, në mes të malazezëve jehoi një kangë e hershme e kasnecuar nga krajl Nikolla I qysh në shek. XIX, e cila ishte kthye tashma në një hymn të popullit e çetnikëve të Malit të Zi. Atë kangë e këndonin masivisht të rinj e të reja, pleq, gra e fëmijë, edhe në rrugët e Çetinës në ditët e para të tetorit 1912 për të marshue drejt Alpeve Shqiptare, kundër shqiptarëve, për pushtimin e aneksimin e trevave etnike shqiptare:
Atje, atje, përtej atyre maleve!
Xhamia ishte mbush me nokshiqas të sjellun aty forcërisht. Aty kishte ardhë edhe një prift ortodoks. Një ushtar malazez, përjashta, në oborrin e xhamisë, po skuqte një kryq hekuri në zjarrin prush e flakë.
Përballë tyne rrinte si sfinks, Bajram Hysi Mekuli, ky luftëtar i rrallë, që në shpatull të majtë mbante një plagë shpate në luftë me malazezët.
Komandanti malazez Milija Nikoliq i hakërrehej mekulasi trim:
– Bajram Hysi ndrroje fenë! Ktheju në ortodoks! Bëhu malazezë!…
– Feja ime është Shqiptaria, si e ka thanë Pashko Vasa i Shkodrës… – iu përgjigjej trimnisht Bajram Hysi i Mekulëve.
Atëherë malazezët kriminelë e rilidhin në duar e kambë dhe për mesit të trupit në një shtyllë të drunjtë . Ai ngjante ashtu si Jezu Krishti.
Veshoviqi e thirri malazezin “farkëtar” përjashta, që të vinte me hekurin e skuqur dhe ia kapi nga dora kryqin e skuqur. Ia vuni në ballë Bajram Hysit të Nokshiqit, ku i mbetën gjurmët e tij. Prapë kundërshtoi me tanë forcën e shpirtit të tij të pamposhtun.
Malazezi Nikoliq, komandant batalioni, nuk donte me mbet mbrapa komandantit të brigadës së tij. I thirri dy ushtarë malazezë dhe i urdhnoi t’ia çveshin trupin në mes e nelt, për pa ia dit’ aspak se aty kishte edhe çika e gra, fëmijë të vegjël e pleq të moshuar.
Thirri prapë malazezin “farkëtar” me kryqin e skuqur dhe e merr e ia vnon Bajram Hysit në të djathtë të krahnorit të tij muskuloz. Gjurmët e këtij krimi makabër i mbesin në trup, e damtojnë, e lodhin fizikisht.
-Le ta dijnë edhe Nikolla i Çetinës, mësojeni edhe ju o bijtë e shkinës, se Bajram Hysi e pret vdekjen në kambë po nuk mundet kurrkush me më ba malazez me kapicë të zezë mbi krye në vend të shallës së bardhë. Kam gjak shqiptari në brezni. Jetoj si shqiptar. Kam me vdek si shqip…
Dy ushtarakët malazezë nuk e mbajtën veten. E thirrën prapë malazezin “farkëtar me kryqin e skuqun. E kapën të dy për duarsh mashën e iu çuan në të majtë të krahrorit. Bash tek zemra e tij e zjarrtë në atdhedashuri kombëtare. Prapë i mbeti gjurma e tretë e kryqit ortodoks.
Ata kryenin krimin e pashembullt e Bajram Hysi tregonte qëndresë të pashoqe.
Tek fjala “shqip” i pushoi zemra. Ai nuk mujti me thanë: “Kam me vdek si shqip…tar”/
Sot, pas 101 viteve, dua të them se “Bajram Hysi ka vdek si shqipe”. Jeta e qëndresa e tij janë emblematike edhe në kohënat e sotme moderne.
Komandanti Milija Nikoliq doli nga xhamia e kapi unën e ndezun të zjarrit duke ia fut flakën xhamisë së Nokshiqit. Shqiptarët vrapuan përjashta. Disa prej tyne e morën me vete trupin e pajetë të martirit Bajram Hysi Mekuli dhe e çuan tek varrezat e vjetra pranë xhamisë. Ia hapën shpejt vorrin dhe ia kryen me nderime të larta të rastit varrimin, ndërkohë që vendin përreth e kishte mbulue flaka e tymi i kullave shqiptare.
Ushtarët malazezë ishin shpërndarë me shpëjtësi të jashtëzakonshme nëpër fshatin e trimave legjendarë e të betejave legjendare, dhe, siç lajmnon me telegram gjenerali Veshoviq në ditën e nesërme (14 tetor 1912) komandatin e Grupimit Lindor, gjeneralin Vukotiq: “Me rastin e pushtimit të djeshëm të fshatit Nokshiq komandanti Milija Nikoliq ua vuri zjarrin të gjitha shtëpive të fshatit në ç’mënyrë më solli kokëçarje të madhe dhe ndoshta u bë shkaktar që nokshiqasit nuk erdhën të dorëzohen”.
Nuk ishte hera e parë që trima mekulas të Nokshiqit jepnin jetën si me le, ishin sfinksa qëndrestarë, ishin heronj të rrallë, si legjendari emblematik Bajram Hysi dhe breznitë e tij: djali i tij, Bali Bajram Nokshiqi në luftë me sllavët në Shekullar më 1944 dhe djali i djalit, Islam Bali Bajram Nokshiqi në betejë me sllavët në Molliq të Gjakovës në vitin 1947.
Malazezët, pas pushtimit (18-20 tetor 1912) të kazasë së Plavë-Gucinë e kthyen në një “Kapiteni” (rreth) me pesë komuna politike me kryeqendër Gucinë, duke vendos qeveritarët e vet dhe nga janari 1913 u fut në juridiksionin e Pejës së bashku me Gjakovën. Kapiten të parë ishin antishqiptarët Milutin Radonjiq, Milivoje Dragoviq, Gjuro Vujosheviq. Ndërkohë, në “Kapiteni të Gucisë” vijnë kriminelë si Avro Cemoviq (Avro Cemi) me brigadën e tij terroriste të pashembullt (me të beranas – vasoviq të poshtëm), që kishte kryer masakra edhe në Sanxhak (Rozhajë, Tutin) dhe në Pejë e Istog. Komuna e re e Brezovicës përfshinte Nokshiqin me 45 shtëpi, Arzhanicën e Epërme (88), Pepaj (15), Brezovicë (118), Martinaj (60), Rudo Pole (66 shtëpi).
Në kushtet e rrethanat kur Plavë-Gucia nuk ishte “kaza turke” po “kapiteni malazeze”, ndërkohë që administratën e kishte të veten sipas interesave politike-ushtarake-fetare malazeze, kur nga vendasit nuk kishte revolta apo atentate ndaj tyre, Mali i Zi nisi hakmarrjet ndaj shqiptarëve myslimanë e katolikë dhe ndaj shqiptarëve të (vet)kthyem në boshnjakë, duke kryer masakra nga ma të egrat në historinë e njerëzimit, e njoftun në histori si “Masakra e Previsë” (tetor 1912 – maj 1913) me rreth 700 të vrarë. Ky ishte një genocid e terrorizëm klasik, sepse kryhej për shkak të etnisë (shqiptare) e të fesë (jo ortodokse), nga “kapiten të Parë” – zyrtarë të krahinës dhe nga brigada terroriste, si në shembullin kriminal sllav të martirizimit të jashtëzakonshëm të Bajram Hysit të Mekulëve të Nokshiqit historik. —