Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Bashkëvendësi ynë Deli Balidemaj garon për Këshillin e qytetit të Mynihut

Këtyre ditëve gazetari Mal Qorraj nga gazeta ditore  Epoka e Re zhvilloj një intervistë me zt Balidemaj, intervistë të cilën po e publikojmë në portalin tonë Plava e Gucia Sot.

Deli Balidemaj është lindur më 27 korrik të vitit 1967 në Martinaj, Komuna e Gucisë.  Ai është ndër zërat më të dëgjuar dhe më të suksesshëm në politikën gjermane.

Balidemaj aspiron dhe dëshiron të jetë një shembull për brezat e rinj.  Ai me këtë dëshiron të inkurajojë brezat e rinj se politika është jo vetëm reale por edhe e arritshme.

Balidemaj vjen nga Partia e gjelbërt Die Grünen, parti e cila viteve të fundit ka bërë ngritje të vazhdueshme.

“Epoka e re” ka realizuar një intervistë me Ing. Dipl. Deli Balidemaj deputet në Parlamentin e Bavarisë së epërme, i cili kësaj here do të kandidojë për Këshillin e qytetit të Mynihut në zgjedhjet që do të mbahen më 15 mars.

“Epoka e re”: Z. Balidemaj, ju jeni deputet dhe tani keni kandiduar edhe për Këshillin e qytetit të Mynihut, çfarë ju shtyri për një hap të tillë?
Deli Balidemaj: Ky është një nder dhe detyrë e madhe për mua. Të jesh këshilltar i qytetit të Mynihut është një përgjegjësi, nder dhe krenari e papërshkruar. Qyteti i Mynihut ka përafërsisht 1,6 milion banorë dhe ka një Këshill prej 80 këshilltarëve. Në Mynih jetojnë 180 nacionalitete dhe fliten 200 gjuhë. Të jesh pjesë e vendimmarrjes në qytetin ku jeton me familje dhe shoqëri është për mua diçka e veçantë dhe shumë bujare.

“Epoka e re”: Me cilat tema jeni duke bërë fushatën zgjedhore?
Deli Balidemaj: Në fushatën zgjedhore temat kryesore kam diversitetin në shoqëri, arsimi dhe digjitalizimi, arsim më inovativ dhe efektiv, të drejta të barabarta në arsim dhe punësim për të gjithë garantimin e të drejtave të personave të hendikepuar, komunikacioni urban dhe ndërurban, mbrojtja e mjedisit, integrim më të mirë dhe cilësor të të huajve në shoqërinë gjermane. Ajo që sot shqetëson njerëzit në Gjermani dhe Evropë, është se flitet shumë për urrejtje, ka një shtim të gjuhës së urrejtjes. Ne të gjelbërtit dhe unë posaçërisht nuk fokusohem tek kjo. Sigurisht, që ka sfida që duhet t’i trajtojmë me guxim, por ne duhen të ofrojmë zgjidhje dhe ide të zgjuara, jo gjithmonë me ankesa, ngase aq keq edhe nuk janë punët.

“Epoka e re”: Ju jeni edhe përgjegjës për integrime, ku është kufiri mes integrimit dhe asimilimit?
Deli Balidemaj: Të integrohesh është të kesh jetë më të mirë dhe të jesh pjesë aktive e shoqërisë. Këtu ka çdo qytetar të drejtën e pjesëmarrjes, varet nga individi sa merr pjesë në proceset shoqërore dhe çfarë përfitimesh ka. Integrimi/pjesëmarrja nuk do të thotë se duhet të harrohet vendlindj! Përkundrazi, këtë gjë duhet ta kuptojnë dhe ta kenë gjithmonë parasysh bashkëkombësit e mi. Sa më të integruar shoqërisht dhe profesionalisht aq më shumë ka mundësi të ndihmohet vendi i lindjes. Neve nuk duhet dhe nuk mund të mohojmë kurrë prejardhjen tonë. Shqiptarët dhe të huajt e tjerë që jetojnë jashtë vendit dhe janë aktivë në politikë dhe në fushat e tjera, mund të sjellin vetëm gjëra pozitive si eksperienca dhe kultura të reja pune për vendet e prejardhjes me një përkushtim dhe punë të madhe! Së pari, krijohen marrëdhënie mes njerëzve dhe shteteve dhe së dyti fitohen njohuri dhe pikëpamje nga një këndvështrim tjetër se si funksionon Gjermania dhe politika gjermane.

“Epoka e re”: Si e shihni politiken e Kosovës dhe sa keni bashkëpunim me Konsullatat në Mynih?
Deli Balidemaj: Politika Kosovare është rrënjosur thellë në strukturat ekzistuese apo të trashëguara dhe nuk mund ose nuk kanë vullnet të shohin jashtë “rrethit të tyre”. Ajo është në një gjendje kolapsi. Kohë të gjatë janë bërë gabime të njëpasnjëshme dhe tani nëse tentohet të ndryshohen ato praktika dhe të futen standarde të reja, është thuajse e pamundur. Të gjithë ankohen se diçka nuk po funksionon por në anën tjetër nuk përkrahen ndryshimet pozitive. Mjafton të dëgjosh gjithë ata analistë dhe menjëherë ke kokëdhimbje. E tmerrshme, po e mbajnë një popull në ankth. Sa i përket bashkëpunimit me Konsullata nuk kam bashkëpunim ngase nuk kemi gjetur gjuhë të përbashkët.

“Epoka e re”: Para disa ditësh i keni dërguar një letër elektronike shumë komuniteteve në Mynih me dëshirë për t’u takuar dhe biseduar për tema të ndryshme?
Deli Balidemaj: Po, deri tani së bashku me kandidaten për kryebashkiake z. Habenschaden kemi pas takim me komunitetin turk, javën që vjen kemi takim me komunitetin kroat dhe jemi në koordinim për takim me komunitetin italian, rumun dhe të Bosnjës.

“Epoka e re”: Ju jeni shumë aktiv dhe i angazhuar në përfshirjen dhe integrimin e bashkatdhetarëve në Bavari. Cili është mesazhi juaj për bashkatdhetarët?
Deli Balidemaj: Unë jam çdo herë i gatshëm për të biseduar rreth mundësive dhe ideve të reja të cilat do të avanconin pozitën e bashkatdhetarëve në Mynih/Bavari dhe pres gjithashtu reagime, propozime si edhe kritika nga të gjithë bashkëkombësit. Arsimimi, puna e ndershme, respekti dhe mbi të gjitha familja e ngritur janë themelet për një të ardhme të ndritur. Çdo shqiptar që jeton në Gjermani duhet të ketë parasysh që ai nuk prezanton vetëm veten por e përfaqëson edhe vendin e tij nga ka ardhur. Mendimet e ndryshme nuk duhen parë negativisht pasi na bëjnë të reflektojmë! Vetëm të bashkuar do të mundemi të arrijmë qëllimet madhore. I ftojë të gjithë qytetarët e Mynihut me të drejtë vote e posaçërisht bashkëkombësit të më përkrahin me votën e tyre. Unë nuk premtoj mrekullia por premtoj se do të angazhohem maksimalisht për aq sa kam mundësi dhe hapësirë, për temat dhe projektet që do t’i kemi përpara. Ju falënderoj përzemërsisht për mundësinë e dhënë.

Exit mobile version