Nga Prof.Dr.Naser Ferri
Para 141 vjetësh në krahinën e Plavë Gucisë, respektivisht ne fshatin Nokshiq e rreth tij u zhvillua Beteja legjendare apo me mire te thuhet mitologjike e Nokshiqit.
Kjo betejë ishte kulmi i mbrojtjës heroike e shqiptarisë të vullnetarëve nga të gjitha trojet etnike shqiptare nën organizimin e Lidhjes Shqiptare te Prizrenit e nën udhëheqjen e Ali Pashë Gucisë, Jakup Ferrit dhe krerëve të tjerë shqiptarë.
Rëndësia kryesore e kësaj beteje ishte që patriotet shqiptarë iu kundërvuan me vendosmëri vendimeve te fuqive të mëdha, dhe “ia kthyen pushkën” malaziasëve dhe përkrahësve të tyre dhe me një numër modest vullnetarësh dobët të armatosur e pak të pajisur, të cilët i udhëhiqte dëshira për mbrojtjën e trojeve etnike historike shqiptare, arritën një ndër fitoret më madhështore në historinë e popullit shqiptar, madje EKSKLUZIVISHT me forca vetanake e pa përkrahje nga jasht.
Vlen të përmendet që ndër të parët kushtrimit për mbrojtjen e Plavë Gucisë iu ishin përgjigjur burrat nga Hoti i Plavës, të cilët pa u hamendur fare ia kishin mësyrë Plavës ne beteje drejt Nokshiqit duke u mbështetur vetëm në thënien mitike te Hotjanve “N’ima e Zotit e pushka e Hotit”.
Përkundër faktit që shqiptarët u ballafaquan me një ushtri të rregullt të organizuar mirë e të armatosur me armë më moderne të kohës, ky sukses ushtarak i vullnetarëve shqiptarë nuk ishte “fitore e Pirros” meqë vullnetarët shqiptarë kishin pasur shumë më pak viktima sesa ushtria e rregulltë, mirë e armatosur dhe e pajisur malaziase.
Ne këtë betejë, pos të tjerëve, rëndë ishte plagosur edhe kryekomandanti Jakup Ferri, i cili luftoi në fushëbetejë krahë për krahë me trimat e vet. Sipas disa të dhënave ishin pikërisht luftëtarët nga Vuthajt ata që me luftë të përgjakshme “fyt a fyt” e nxorën Jakupin e plagosur nga fushëbeteja, ndërsa gjogu i tij i përgjakur e kishte sjellë haberin e trishtueshëm të kullat e Ferrajve (në kershullaja, ne krye të shehrit) në Plavë.
Jakup Ferri kishte ndërruar jetë në fillim të janarit 1880 si pasojë e plagëve të shumta të marra në këtë betejë, por bijtë e Jakupit: Hasani, Omeri, Mehmedi, Agani e Emini kishin vazhduar rrugën e të jatit, e pas tyre edhe nipërit : Ramazani, Shemsi, Rizai, Hilmi dhe mjaft Ferraj të tjerë e bashkëluftëtarë të tyre vazhduan luftën kundër malaziasve, turqëve, sllavëve e madje edhe kundër austriakëve kur cënoheshin interesat kombëtare deri në vitin 1945.
Meqë asnjë institucion shtetëror as i Republikës së Shqipërisë e as i Republikës së Kosovës nuk e kishte pa të arsyeshme ta shenojë vitin e kaluar 140 vjetorin jubilar e as sivjet 141 vjetorin dhe ti dekorojë ose së paku ti nderojë burrat që u sakrifikuan për mbrojtje të atdheut, na mbetet vetëm ti përkujtojmë NE më mënyra joinstitucionale. Dhe, më e vogla qe sot mund të themi është: LAVDI E PËRJETSHME TRIMAVE TË NOKSHIQIT!
Se ata me gjakun e tyre i krijuan themelet e shtetësisë shqiptare dhe për këtë e gjithë shqiptaria duhet të jete mirënjohëse e krenare.
Dhjetor 2020