Binak ULAJ
Vuthjanët e mërguar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të përkujdesen për prindërit, motrat dhe vëllezërit e tyre, të cilët janë të vendosur të jetojnë në vatrat stërgjyshore dhe të kontribuojnë në zhvillimin e gjithanshëm të tyre e, me këtë, edhe të atdheut që i përkasin. Dëshmi për këtë është edhe hapja e bibliotekës në Vuthaj të Plavës e Gucisë.
Pas rindërtimit dhe përurimit të Shtëpisë së kulturës në Vuthaj vitin e kaluar, për të cilën i kanë dhënë 130. 000 dollarë, këtë vit është pajisur me inventar të nevojshëm edhe biblioteka e saj, përurimi i të cilës u bë më 31 gusht të këtij viti. Hapja e kësaj biblioteke, me mesazhin që jepte, ishte një veprimtari më shumë se kulturore.
Me pjesëmarrjen e tyre, këtë manifestim e nderuan dhe e bënë më kuptimplotë profesori dhe akademiku i shquar Rexhep Qosja, jeta dhe vepra jetësore e të cilit ishte dhe mbetet udhërrëfyese për të gjithë ata të cilët e duan atdheun e lirë dhe të përparuar, babai i dy dëshmorëve të lirisë ende të paplotë të Kosovës, z. Ani Dehari dhe vëllai i tij, Esad Dehari, nga Kumanova, kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Kritikëve Shqiptarë, z. Reshat Sahitaj së bashku me bashkëshorten e tij znj. Behare Rexhepi, shkrimtare dhe ish-themeluese e Byrosë Informative të Reublikës së Kosovës në Bruksel, veprimtari i hershëm i çështjes kombëtare, z. Agush Buja, historiani dhe aktivisti i dalluar, z. Fatmir Arifi nga Presheva, i biri i atdhetarit të shquar, Ajet Haxhisë, z. Reshat Haxhiu nga Prishtina, anëtarja më e përkushtuar e Lëvizjes për Çlirimin e Trojeve Shqiptare të Okupuara dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë shtetërore, znj. Ajshe Gjonbalaj, nismëtari dhe njëri ndër aktivistët më të palodhshëm të Këshillit të Fondit për rindërtimin e Shtëpisë së kulturës, z. Esad Gjonbalaj dhe shumë qytetarë nga Plava e Gucia, diaspore dhe viset tjera.
Pas prerjes së shiritit të kuq nga akademiku Rexhep Qosja dhe z. Avni Dehari ( moment ky të cilin e zbukuroi Abetare Ulaj, e veshur me veshje tradicionale vuthjane), të pranishmëve iu drejtua me fjalë përshëndetëse profesor Qosja.
Duke shprehur gëzimin e tij që merr pjesë në një manifestim të këtillë kulturor, profesor Qosja tha se pjesëmarrja kaq e madhe e qytetarëve tregon për përkushtimin e tyre ndaj kulturës, por edhe për edukatën familjare e qytetare të tyre. Në vazhdim profesor Qosja foli për rëndësinë që ka pasur libri në zhvillimin e shoqërisë njerëzore, për të kaluarën e lavdishme të Plavës e Gucisë dhe rolin e shqiptarëve të kësaj treve në përudha vendimtare historike, veçmas nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e këndej, për numrin e të shkolluarve nga kjo anë, tani të shkolluar edhe në botën e jashtme, të cilët japin kontributin e tyre kudo që jetojnë.
Në përfundim të fjalës së rastit, profesor Qosja tha se Vuthajt janë një katund shembullor, me të kaluarën e vet, me historinë e vet, me adetet e zakonet e veta, me virtytet e veta dhe me të sotmen e tyre, gjë që e dëshmon edhe Shtëpi e kulturës dhe biblioteka e saj.
Gëzon fakti se para një viti, sapo ishte publikuar njoftimi se do të hapet biblioteka në Vuthaj, ishin paraqitur shumë dhurues të librave, jo vetëm nga treva e Plavës e Gucisë, ndër të cilët veçojmë vetëm disa prej tyre.
Me rastin e hapjes së Bibliotekës, Instituti Albanologjik i Prishtinës i ka dhuruar botimet e veta dhe kompletin e veprave të akademik Qosjes, z. Avni Dehari ka dhuruar dhjetëra ekzemplarë të trilogjisë ”Gjergjat në drita përkrenaresh” dhe të monografisë kushtuar veteranit të çështjes kombëtare, Ali Aliut, Agim Sylejmani i ka dhuruar disa ekzemplarë të monografisë kushtuar pjesëtarit të parë të gueriles në Kosovë, Rexhep Malajt dhe librin “Rrëfime nga burgu” , ku janë paraqitur përjetimet e ish- të burgosurve politikë shqiptarë në burgjet e Jugosllavisë, tani të ndjerë. Përveç disa ekzemplarëve të librit “ Vrapo pas diellit”, piktorja e dalluar dhe poetja Kaltrina Hoti, bibliotekës ia ka dhuruar edhe një pikturë të saj. Shpresojmë se shembullin e saj do ta ndjekin edhe piktorët tjerë nga Plava e Gucia, si Rexhep Feri, Zake dhe Musë Prelëvukaj, por edhe piktorë tjerë. Përveç librave dhe fotografive të personaliteteve të shquara të historisë sonë kombëtare të Krahinës së Plavës e Gucisë dhe të fotografive të mësuesve që kanë dhënë mësim në shkollën fillore në Vuthaj, të cilat tanimë janë vendosur, këtë Shtëpi kulture do e kompletonin dhe do t’ ia jepnin rëndësinë e duhur edhe pikturat.
Përurimi i bibliotekës u begatua edhe me përurimin e trilogjisë “Gjrgjat në drita përkrenaresh”, e uatorit Avni Dehari, “ Për ty Plavë e Guci”, poezi, e autorit Ramiz Lushaj, dhe “ Vrapo pas diellit”, poezi, shkruar nga Klatrina Hoti.
Referatin për trilogjinë, të përgatitur nga Hydajet Hyseni, i cili për shkak të angazhimeve nuk kishte mundur të vijë, e lexoi studiuesi, Fatmir Arifi.
Pas fjalës së autorit të trilogjisë, drejtuesja e programit të përurimit, Arbenita Vukaj, shprehi respektin e saj dhe të të pranishmëve për z. Avni Deharin, për të cilin tha se përkundër faktit se për lirinë e plotë të Kosovës kanë sakrifikuar jetën dy bijtë e tij të vetëm, ka forcë dhe vullnet për të krijuar dhe për të vazhduar veprimtarinë e tij atdhetare.
Për librin “ Për ty Plavë e Guci” referoi kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Kritikëve Shqiptarë, z. Reshat Sahitaj, ndërsa për librin “ Vrapo pas diellit” referoi Binak Ulaj.
Në fund të këtij manifestimi të pranishmit u njoftuan se 31 korriku do të jetë dita e përurimit të veprave letrare, shkencore e artistike të autorëve nga Plava e Gucia, por edhe të krijuesve tjerë që trajtojnë tema kushtuar kësaj treve. Dita e përurimit do ta begatojë manifestimin e përvitshëm kulturor “Mirë së vini në Alpet Shqiptare.”
Hapja e bibliotekës është edhe një mesazh drejtuar vendasve, veçmas të rinjve, të mos i braktisin këto treva, bukuritë natyrore dhe resurset e të cilave ofrojnë perspektivë të ndritshme për të gjithë, veçmas tani kur kushtet kanë ndryshuar për të mirë. Hapja e kufijve dhe asfaltimi i rrugës Shkodër- Plavë e Guci, ua ka kthyer shpresën njerëzve. Jo pak familje kanë ndërtuar shtëpi pushimi për turistët, të cilëve u ofrojnë ushqime natyrale tradicionale. Vargu i turistëve nga shumë shtete , veçmas nga Shqipëria shtetërore, sa vjen e shtohet. Ky numër do të shumëfishohet me hapjen e rrugës Deçan- Plavë, për çka vendasit kërkojnë nga organet përgjegjëse shtetërore të Tiranës dhe të Prishtinës, të ndikojnë tek Qeveria e Malit të Zi ta vazhdojë ndërtimin e kësaj rruge në territorin e vet ngase, siç është parë deri me tani, kjo qeveri nuk është e interesuar ta bëjë një gjë të tillë. Kështu po ndodhë edhe me vazhdimin rrugës Grabon Kelmend- Tuz- Podgoricë.