Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Biblioteka në Vuthaj-shembull prijetar

 Binak ULAJ

Vuthjanët e mërguar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës   vazhdojnë  të përkujdesen për prindërit, motrat dhe vëllezërit e tyre,  të cilët janë të vendosur të jetojnë  në vatrat  stërgjyshore dhe të  kontribuojnë  në zhvillimin  e gjithanshëm të  tyre e, me këtë, edhe të  atdheut që i përkasin. Dëshmi për këtë është  edhe hapja e bibliotekës në Vuthaj të Plavës e Gucisë.

 Pas rindërtimit dhe përurimit të Shtëpisë së kulturës në Vuthaj vitin e kaluar, për të cilën i kanë dhënë 130. 000 dollarë, këtë vit është pajisur me inventar të nevojshëm edhe biblioteka e saj, përurimi i të cilës u bë më 31 gusht të këtij viti. Hapja e kësaj biblioteke, me mesazhin që jepte, ishte  një veprimtari më shumë se kulturore.   

Me pjesëmarrjen e tyre, këtë manifestim e nderuan dhe  e bënë më kuptimplotë  profesori dhe akademiku i shquar Rexhep Qosja, jeta dhe vepra jetësore e të cilit ishte dhe mbetet udhërrëfyese për të gjithë ata të cilët e duan atdheun e lirë dhe të përparuar,  babai i dy dëshmorëve të lirisë ende të paplotë të Kosovës, z. Ani Dehari dhe vëllai i tij, Esad Dehari, nga Kumanova, kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Kritikëve Shqiptarë, z. Reshat Sahitaj së bashku me bashkëshorten e tij znj.  Behare Rexhepi, shkrimtare dhe ish-themeluese e Byrosë Informative të Reublikës së Kosovës në Bruksel, veprimtari i hershëm i çështjes kombëtare, z. Agush Buja, historiani dhe aktivisti i dalluar, z. Fatmir Arifi nga Presheva,  i biri i atdhetarit të shquar, Ajet Haxhisë, z. Reshat Haxhiu nga Prishtina,  anëtarja më e përkushtuar e Lëvizjes për Çlirimin e Trojeve Shqiptare të Okupuara dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë shtetërore, znj. Ajshe Gjonbalaj, nismëtari dhe  njëri ndër aktivistët më të palodhshëm të Këshillit të Fondit për rindërtimin e Shtëpisë së kulturës, z. Esad Gjonbalaj dhe shumë qytetarë nga Plava e Gucia, diaspore dhe viset tjera.

Pas prerjes së shiritit të kuq nga akademiku Rexhep Qosja dhe z. Avni Dehari  (  moment ky të cilin e zbukuroi Abetare Ulaj, e veshur me veshje tradicionale vuthjane), të pranishmëve iu drejtua me fjalë përshëndetëse profesor  Qosja. 

Duke shprehur gëzimin e tij që merr pjesë në një manifestim të këtillë kulturor, profesor Qosja tha se pjesëmarrja kaq e madhe e qytetarëve tregon për përkushtimin e tyre ndaj kulturës, por edhe për edukatën  familjare e qytetare të tyre. Në vazhdim  profesor Qosja foli për rëndësinë që ka pasur libri në zhvillimin e shoqërisë njerëzore, për të kaluarën e lavdishme të Plavës e Gucisë dhe rolin e shqiptarëve të kësaj treve në përudha vendimtare historike, veçmas nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e këndej, për numrin e të  shkolluarve nga kjo anë, tani  të shkolluar edhe në botën e jashtme, të cilët japin kontributin e tyre kudo që  jetojnë.

Në përfundim të  fjalës së rastit,  profesor Qosja tha se Vuthajt   janë një katund  shembullor, me të kaluarën e vet, me historinë e vet, me adetet e zakonet e veta, me virtytet e veta dhe me të sotmen e tyre, gjë që e dëshmon edhe   Shtëpi e kulturës dhe biblioteka e saj.

Gëzon fakti se  para një viti,  sapo ishte publikuar  njoftimi se do të hapet biblioteka në Vuthaj,  ishin paraqitur shumë dhurues të librave, jo vetëm nga treva e Plavës e Gucisë, ndër të cilët veçojmë vetëm disa prej tyre.

Me rastin e hapjes së Bibliotekës, Instituti Albanologjik i Prishtinës i ka dhuruar botimet e veta dhe kompletin e veprave të akademik Qosjes, z. Avni Dehari ka dhuruar dhjetëra ekzemplarë  të trilogjisë  ”Gjergjat në drita përkrenaresh” dhe të monografisë kushtuar veteranit të çështjes kombëtare, Ali Aliut,  Agim Sylejmani  i ka dhuruar  disa ekzemplarë të monografisë kushtuar pjesëtarit të parë të gueriles në Kosovë, Rexhep Malajt dhe librin  “Rrëfime nga burgu” , ku janë paraqitur përjetimet e  ish- të burgosurve politikë shqiptarë në burgjet e Jugosllavisë, tani të ndjerë. Përveç disa ekzemplarëve të librit “ Vrapo pas diellit”, piktorja e dalluar dhe poetja Kaltrina Hoti, bibliotekës ia ka dhuruar edhe një pikturë të saj. Shpresojmë se shembullin e saj do ta ndjekin  edhe piktorët tjerë nga Plava e Gucia, si Rexhep Feri, Zake dhe Musë Prelëvukaj, por edhe piktorë  tjerë. Përveç librave dhe  fotografive të personaliteteve të shquara të historisë sonë kombëtare të Krahinës së Plavës e Gucisë dhe të fotografive të mësuesve që kanë dhënë mësim në shkollën fillore në Vuthaj, të cilat tanimë janë vendosur, këtë Shtëpi kulture do e kompletonin dhe do t’ ia jepnin rëndësinë e duhur edhe pikturat.

Përurimi i bibliotekës u begatua edhe me përurimin e trilogjisë “Gjrgjat në drita përkrenaresh”, e uatorit Avni Dehari, “ Për ty Plavë e Guci”, poezi, e autorit Ramiz Lushaj, dhe “ Vrapo pas diellit”, poezi, shkruar nga Klatrina Hoti.

 Referatin  për trilogjinë, të përgatitur nga Hydajet Hyseni, i cili për shkak të angazhimeve nuk kishte mundur të vijë, e lexoi studiuesi, Fatmir Arifi.

Pas fjalës së autorit të trilogjisë, drejtuesja e programit të përurimit, Arbenita Vukaj, shprehi respektin e saj dhe të të pranishmëve për z. Avni Deharin, për të cilin tha se përkundër faktit se për lirinë  e plotë të Kosovës kanë sakrifikuar jetën dy bijtë e tij të vetëm, ka forcë dhe vullnet për të krijuar dhe për të vazhduar veprimtarinë e tij atdhetare.

Për librin Për ty Plavë e Guci” referoi kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Kritikëve Shqiptarë, z. Reshat Sahitaj, ndërsa për librin “ Vrapo pas diellit” referoi Binak Ulaj.

Në fund të këtij manifestimi të pranishmit u njoftuan se 31 korriku do të jetë dita e përurimit të veprave letrare, shkencore e artistike  të autorëve nga Plava e Gucia, por edhe të krijuesve tjerë që trajtojnë tema kushtuar  kësaj treve. Dita e përurimit do ta begatojë manifestimin e përvitshëm kulturor “Mirë së vini në Alpet Shqiptare.”

 Hapja e bibliotekës është edhe një mesazh drejtuar vendasve, veçmas të rinjve, të mos i braktisin këto treva, bukuritë natyrore dhe resurset e të cilave ofrojnë perspektivë të ndritshme për të gjithë, veçmas tani kur kushtet kanë ndryshuar për të mirë. Hapja e kufijve dhe asfaltimi i rrugës Shkodër- Plavë e Guci, ua ka kthyer shpresën njerëzve. Jo pak familje kanë ndërtuar shtëpi pushimi për turistët,  të cilëve u ofrojnë ushqime natyrale tradicionale.  Vargu i turistëve nga shumë shtete , veçmas nga Shqipëria shtetërore, sa vjen e shtohet. Ky numër do të shumëfishohet me hapjen e rrugës Deçan- Plavë, për çka vendasit kërkojnë nga organet përgjegjëse shtetërore të Tiranës dhe të Prishtinës, të  ndikojnë tek  Qeveria e Malit të Zi ta vazhdojë ndërtimin e kësaj rruge në territorin e vet ngase, siç është parë deri me tani, kjo qeveri nuk është e interesuar ta bëjë një gjë të tillë. Kështu po ndodhë edhe me vazhdimin rrugës Grabon  Kelmend- Tuz- Podgoricë.    

Exit mobile version