Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” po merr pjesë në Panairin mbarëkombëtar tē librit akademik dhe shkencor, i cili është hapur sot në mjediset e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në Tiranë.
Në Panair janë prezantuar disa nga botimet më përfaqësuese të viteve të fundit të “Art Club”-it.
Panairi i parë kushtuar librit akademik dhe shkencor zhvillohet në kuadër të Vitit të Akademizmit Shqiptar, shpallur në nderim të 50-vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, si nismë e përbashkët e saj dhe e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Përpos dy akademive të shkencave, pjesëmarrës në Panair janë edhe institucione të arsimit të lartë, institute dhe qendra shkencore (publike), ente botuese jopublike.
SHAI “Art Club” është i vetmi botues në Panair nga shqiptarët në Malin e Zi.
Gjatë tri ditëve të Panairit (22-24 prill 2022) do të ketë rreth 50 aktivitete promovuese të botimeve akademike shkencore dhe universitare.
Ulqin, më 22 prill 2022 SHAI “Art Club”