Nga Keze Kozeta Zylo
“Dhe nuk gaboj po të them se pa ndihmën e kontributit të pakursyer financiar të bashkatdhetarëve tanë në Evropën Perëndimore e SHBA, lufta e UÇK-së nuk do të mund ta kryente detyrën e saj.”
Jakup Krasniqi
Gjatë përvojës jetësore takojmë njerëz që ndërtojnë biznese, disa ndërtojnë ura miqësie, ndërsa disa të tjerë lënë gjurmë në historinë e kombit. Bruno Selimaj, ky shqiptar i madh e atdhetar, i bashkoi të tria!
Shumë shqiptarë në botë u larguan nga vendlindja për të kërkuar një jetë më të mirë, por kurrë nuk u larguan shpirtërisht nga Atdheu. Një prej tyre është Bruno Selimaj, biznesmeni i suksesshëm shqiptaro-amerikan, njeriu që e ktheu restorantin “Club A Steakhouse”, të themeluar 48 vjet më parë, në një Ambasadë Kombëtare, duke e vënë në shërbim të çështjes së Kosovës dhe asaj kombëtare përmes punës, mikpritjes dhe përkushtimit të tij të çmuar.
Ky restorant u kthye në një vatër shqiptarie, ku takoheshin politikanë, diplomatë, shkrimtarë, akademikë, veprimtarë dhe personalitete të njohura amerikane. Aty Shqipëria dhe Kosova kishin zërin e tyre, aty organizoheshin takime, mblidheshin ndihma dhe ndërtoheshin ura të rëndësishme me institucionet amerikane.
Frymëzim për këtë shkrim, që po sjell me penën time kushtuar Bruno Selimajt, u bë i burgosuri politik i të gjitha kohërave, Jakup Krasniqi, me letrën që i kishte dërguar Bruno Selimajt në vitin 1999.
Z. Jakup Krasniqi, zëdhënësi i UÇK-së dhe i Lirisë së Kosovës, vuajti më shumë se 15 vjet në burgjet e Serbisë. Tani është dënuar me 25 vjet burgim për luftën e tij për Lirinë e Kosovës.
Teksa shoh pamjet trishtuese në ekran gjatë vizitës së Bacës në shtëpinë e tij, kombit i hapet një plagë tjetër që rrjedh gjak shqiptari! Çfarë pamjesh tragjike po luhen mu para syve tanë!
Ja çfarë thotë letra e ish-Kryekuvendarit të Kosovës, z. Jakup Krasniqi, drejtuar z. Bruno Selimaj në vitin 1999:
“Pas disa vizitave në SHBA, Pentagon e OKB, delegacioni i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës pati një darkë pune me komunitetin shqiptar në Nju Jork, në restorantin e Bruno Selimit.
Nga ajo që kam pasur rast të mësoj e të dëgjoj për Bruno Selimin, kjo darkë në restorantin e tij nuk është një rastësi, por kjo është dhe tregon angazhimin e tij të kahmotshëm, të ndërgjegjshëm e të vendosur për t’i shërbyer luftës për liri, pavarësi e demokraci.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës, te Bruno Selimi dhe i gjithë brezi i bashkëkombësve të tij në SHBA, ka gjetur dhe pasur një krah të fortë të mbështetjes e të shtytjes në realizimin e realitetit të ri që kemi në Kosovë. Dhe nuk gaboj po të them se pa ndihmën e kontributit të pakursyer financiar të bashkatdhetarëve tanë në Evropën Perëndimore e SHBA, lufta e UÇK-së nuk do të mund ta kryente detyrën e saj.
Do të dëshiroja që komuniteti shqiptar në SHBA të mos ndahet mbi baza partiake, por të organizohet në bashkësi kombëtare, se edhe detyrat e obligimet e tij (të komunitetit) ndaj Atdheut janë për rindërtimin dhe ndërtimin e Kosovës së lirë, të pavarur e demokratike.
Falënderoj Brunon dhe gjithë ata që vihen me vendosmëri në shërbim të ardhmërisë.”
Jakup Krasniqi
NGA NOKSHIQI NË MANHATTAN – NJË UDHË ME SAKRIFICA DHE TE NDRITUR
Bruno Selimaj vjen nga Nokshiqi i Plavë-Gucisë. Ai emigroi në Amerikë në vitin 1971, me një ëndërr modeste: të punonte dhe të siguronte një shtëpi për familjen e tij në vendlindje.
Me punë, sakrificë dhe këmbëngulje, ai ndërtoi një sipërmarrje të suksesshme.
Në tetor të vitit 1978 u përurua restoranti “Bruno”, i cili, me kalimin e viteve, u shndërrua në një prej pikëtakimeve më të rëndësishme të shqiptarëve në Manhattan.
Por ajo që e bëri të veçantë Brunon nuk ishte vetëm suksesi ekonomik. Ishte zemra e tij e lidhur me fatin e kombit.
LETRA E Z. JAKUP KRASNIQIT, 1999 – NJË DËSHMI HISTORIKE
Një dokument me vlera të veçanta, që meriton të ruhet në arkivin e historisë së diasporës shqiptare, është edhe letra e Kryekuvendarit, e viti 1999, drejtuar Bruno Selimajt.
Kjo letër e shkruar me dorë vjen nga një periudhë tepër e vështirë për shqiptarët e Kosovës.
Në rreshtat e saj shprehet vlerësimi për Bruno Selimajn dhe veprimtarinë e tij, si dhe rëndësia e ndihmës dhe solidaritetit të bashkatdhetarëve.
Një mesazh veçanërisht domethënës i letrës është thirrja që komuniteti shqiptar në SHBA të mos ndahet mbi baza partiake, por të organizohet rreth bashkimit kombëtar, lirisë dhe pavarësisë.
Kjo letër nuk është thjesht një komunikim personal. Ajo është dëshmi e kohës, e marrëdhënieve njerëzore dhe e përgjegjësisë kombëtare.
Sa aktuale mbetet edhe sot thirrja për bashkim, përtej ndasive partiake!
Dokumente të tilla kanë vlerë historike, sepse tregojnë se pas çdo veprimtarie kombëtare qëndrojnë njerëz, sakrifica, miqësi dhe besim te një e ardhme më e mirë.
1.6 MILIONË DOLLARË PËR USHTRINË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS
Një nga dëshmitë më të fuqishme të veprimtarisë së Bruno Selimajt është kontributi i tij për Kosovën gjatë luftës.
Sipas rrëfimit të gazetarit të shquar dhe botuesit të Gazetës “Illyria”, z. Vehbi Bajrami, në një mbrëmje të organizuar në restorantin e tij u mblodhën 1 milion e 600 mijë dollarë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Vetë Bruno dha gjithsej 130 mijë dollarë atë mbrëmje, duke përfshirë edhe një shumë që e siguroi hua, vetëm që të ndihmonte më shumë luftëtarët e lirisë.
Ai nuk u mjaftua me fjalë. Mori pjesë në demonstratat për Kosovën në Nju Jork dhe Uashington, mbështeti delegacionet shqiptare dhe ndihmoi në organizimin e lobimit pranë institucioneve amerikane.
Në vitin 1990 dha 57 mijë dollarë për shpenzimet e delegacionit të intelektualëve shqiptarë që dëshmuan në Kongresin Amerikan.
Në restorantin e tij u zhvilluan takime të rëndësishme të aktivistëve shqiptarë dhe u hodhën hapa për organizimin e lobit shqiptaro-amerikan.
Vlerësimet e personaliteteve që kanë vizituar restorantin e tij janë dëshmi e një respekti të veçantë. Ndër ta përmendim: Ismail Kadarenë, Rexhep Qosjen, Richard Holbrooke, Mark Krasniqin, Adem Demaçin, Dom Rrok Mirditën, Lulzim Jasharin, Jim Xhemën, Bob Dole, Ekrem Bardhën, si dhe shumë politikanë nga nivelet më të larta të politikës amerikane dhe të kombit tonë.
RICHARD HOLBROOKE, diplomati i njohur amerikan, shkruante:
“Bruno kombinon ushqimin e mrekullueshëm me një agjendë sfiduese politike. Ky restorant është i mrekullueshëm. Angazhimi i pronarit për çështjen e popullit shqiptar është i admirueshëm dhe tërësor.”
AKADEMIK REXHEP QOSJA shkruante:
“Restoranti ‘Bruno’ është më shumë se restorant: është institucion kombëtar.”
Në ditarin e tij gjenden mendime, përshëndetje dhe mirënjohje nga personalitete të shumta.
Prandaj, kur shkruaj se restoranti i tij ishte një ambasadë kombëtare shqiptare, kjo nuk është thjesht një metaforë e bukur. Është një vlerësim i asaj që ai përfaqësoi për dekada.
Respekt për Bruno Selimajn, bashkëshorten e tij fisnike e zemërmadhe, znj. Kumrie, për familjen e tij të mrekullueshme dhe për të gjithë ata shqiptarë që, larg Atdheut, nuk e harruan kurrë vendin e tyre, sepse Atdheu nuk është vetëm toka ku lindim, është edhe ajo që bëjmë për të, kudo që jetojmë!
Autorja e shkrimit mban titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, akorduar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë; Medaljen e Meritës Presidenciale, dhënë nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani; si dhe mirënjohjen nga ish-Presidentja në detyrë, znj. Albulena Haxhiu.
Është publiciste, shkrimtare, autore e tetë librave, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe “Alba Life”, Ambasador i Kombit, në Nju Jork.
Është vlerësuar me titullin “Gruaja e Vitit 2022, NY”, dhënë nga shoqata “Motrat Qiriazi”.
23 Nëntor 2026
Manhattan, New York
https://www.facebook.com/share/p/14xnTaxPvMh/?mibextid=wwXIfr

