Prof.Dr.Naser Ferri, Instituti Albanologjik Prishtinë
Carl Patsch(1864-1945) ishte arkeolog, historian, ilirolog, folklorist dhe albanolog.
Si shkencëtar austro-hungarez kishte bërë gërmime dhe studime n Bosnjë e Hercegovinë, Dalmaci, Mal te Zi dhe Shqipëri.
Veprimtaria e Patschit në Shqipëri kishte filluar në vitin 1904 kur ai kishte marrë pjesë në kërkime arkeologjike në lokalitetin Triport në Gjirin e Vlorës, ndërsa në vitin 1907 kishte participuar në kërkimet arkeologjike në kishën e Shën Sergjit dhe Shën Bakut në Shirgji të bregut të Bunës, afër Shkodrës, e cila në popull njihej si Kisha e Sh’na Prendës.Rezultatet e këtyre kërkimeve i kishte botuar pastaj në revisten “Saznanja”-“Njohuri”(Sarajevë 1907).
Pos si arkeolog dhe zbërthyes i mbishkrimeve latine në të cilët paraqiteshin antroponimet (emrat vetanake) apo teonimet (të hyjnive ilire), Patschi gjatë viteve 1904 deri 1926 ishte dëshmuar edhe si udhëpërshkrues dhe njohës i gjeografisë së viseve të banuara me shqiptarë.Në vitin 1904 Patschi kishte botuar një vepër kapitale lidhur me karaktersitikat gjeografike dhe gjeomorfologjike por edhe ato etnolkuturore të vendit(ku zihën në gojë Malcija e Djakovs, Babaj Boks, Djakova, Mitrovica, Ferizović, Rugova, Ura e Fshejte, Hasi, Prizren, Shar, Sharska rjeka, Gora, Opoja, Ipek, Uesküb, Tetovo, Brodec, pastaj fiset: Krasniqi, Bitüč, Gaši; prijësit e fiseve: Bajraktar i Krasniqčs Shaban Binaku e tj.). Studimet e veta në fushën e gjeografisë së Shqipërisë Patsch i kishte vazhduar edhe gjatë viteve në vijim dhe rezultatet e këtyre studimeve i kishte publikuar në Vjenë në vitin 1926.
Është i madh kontributi i Patschit edhe si studjues e promovues i folklorit shqiptar meqë në vitin 1904 e kishte publikuar studimin mbi sanxhakun e Beratit, pastaj në vitin 1911 në Sarajevë e kishte publikuar veprën mbi folklorin shqiptar, ku ishin të përmbledhura një numër këngësh të mbledhura në Shqipërinë Veriore dhe të prezantuara në dialektin gegnisht, ndërsa në vitin 1917 e kishte botuar vëllimin me poezi popullore nga viset e ndryshme të banuara me shqiptarë.
Kontribut i rëndësishëm për studimin e etnografisë shqiptare është edhe vepra e tij “Gjendja ekonomike e kulturore e Shqipnisë në kohën e kaluar” e botuar në vitin 1925. Në këtë vepër Patsch përshkruan rrethanat shoqërore dhe ekonomike në Shqipëri gjatë periudhave të caktuara historike të para me syrin e një shkencëtari të huaj.
Studimet e veta që i kishte bërë për shumë vite në fushën e etnografisë dhe të zakoneve popullore të viseve të ndryshme shqiptare Patsch i kishte publikuar në disa vëllime të veprave të veta.
Si shkencëtar i pasionuar në vlerat e qytetërimit ilir dhe të kulturës shqiptare Patschi kishte dhënë kontributin e vet duke i ndihmuar shkencëtarët shqiptarë në aspekte të ndryshme pa i kursyer forcat dhe mundësitë e veta.
Kështu në vitin 1911 dijetari shqiptar Eqrem Vlora me ndihmën e Patschit kishte botuar në Sarajevë një vepër të vetën në formë ditari ku i kishte përshkruar udhëtimet e veta nga Berati (Vlora E., Aus Berat und vom Tomor: Tagebuchblätter (‘From Berat and Tomorr: Pages of a Diary’, Albanian: Nga Berati në Tomorr dhe kthim : ditar , Sarajevo 1911).Në vitin 1934, ndërkaq, Patschi përmendet si relator i dr.Rexhep Krasniqit në cilësi të kryetarit të Instititut für Balkanologie(Instituitit Balkanologjik) pranë Universitetit të Vjenës.
Sipas disa të dhënave Patsch e kishte përgatitur për botim edhe veprën: “Kolonit greke në Shqipni tu u dhanë një randësi të posaçme qyteteve Dyrrachium e Apollonia”, por për fat të keq nuk kishte arritur ta botojë këtë vepër interesante si dhe një varg studimesh që kanë mbetur në dorëshkrim.
Pos studimeve dhe gërmimeve të bëra arkeologjike Patschi kishte dhënë kontributin e vet edhe në themelimin e disa institucione kulturore kombëtare siç ishte rasti me, bie fjala, me Muzeun Kombëtar (Muzeu Komtar) në Tiranë gjë të cilën e dëshmon pos tjerash edhe gazeta: ”Shtypi” e Tiranës, e datës 3 qershor 1923 në të cilën ishte botuar një intervistë me profesorin Patsch.
Nga opusi i pasur i Patschit dallohet libri “Ilirët” i cili ishte botuar në vitin 1923 në Tiranë drejtpërdrejt në gjuhën shqipe në përkthim të Karl Gurakuqit dhe në fakt edhe ishte libri i parë në gjuhën shqipe i kushtuar ekskluzivisht ilirëve.
Në këtë vepër për herë të parë ishin prezantuar në gjuhën shqipe fiset ilire, shtrirja e tyre gjeografike, doket e zakonet, besimet religjioze dhe mjaft elemente të tjera relevante të kulturës së tyre autoktone.