ÇMIMI TRADICIONAL I “ART CLUB”-IT I NADAHET PIKTORES MR. PROF. ZAKE PRELVUKAJ

MR. PROF. ZAKE PRELVUKAJ

Çmimi Tradicional i “Art Club”-it për të arritura të jashtëzakonshme në shkencë, kulturë dhe art i është ndarë piktores Mr. prof. Zake Prelvukaj, me rastin e shënimit të 34-vjetorit të kësaj shoqate. 

Në motivacionin e jurisë për ndarjen e Çmimit të “Art Club”-it, të përbërë nga Prof. dr. Tahir Arbneshi (profesor i kimisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”), Gjylie Pelingu (soprano, profesoreshë në shkollën e muzikës dhe baletit – Ulqin) dhe Nikollë Berishaj (shkrimtar dhe përkthyes), thuhet se Zake Prelvukaj “përfaqëson një urë të fuqishme mes artit tradicional dhe qasjeve bashkëkohore, duke kaluar përtej kufijve kombëtarë dhe duke i dhënë zë të denjë Kosovës, Malit të Zi dhe Ballkanit në skenën ndërkombëtare. Ajo simbolizon fuqinë e gruas krijuese dhe rezistente, që përmes artit përçon mesazhe universale të paqes, identitetit dhe vetëdijes njerëzore. Ajo është dëshmi e gjallë se arti mund të jetë një formë e fuqishme dialogu dhe rezistence, edhe në kohërat më të vështira”.

Ndër kontributet e veçanta të piktores nënvizohet se si artiste multidisiplinare ajo ka eksperimentuar në fusha të ndryshme të artit, duke përfshirë pikturën, instalacionet, performancën dhe artin publik; ajo ka ekspozuar në galeri prestigjioze kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë Muzeun Kombëtar të Grave në Art në Washington D.C., duke dëshmuar se arti nga rajoni ynë mund të jetë pjesë e koleksioneve më të njohura në botë; si profesoreshë e rregullt e pikturës në Universitetin e Prishtinës, ajo ka edukuar breza të tërë artistësh të rinj, duke u shndërruar në një figurë frymëzuese dhe udhëheqëse për artin shqiptar.

Siç vëren edhe juria në arsyetimin e vendimit të saj, për herë të parë në historinë e ndarjes së Çmimit të “Art Club”it, ai i jepet një femre, “duke theksuar jo vetëm rëndësinë e përfaqësimit gjinor, por edhe ndriçimin e një treve të veçantë, Plavë-Gucisë, që deri më tani nuk ka pasur laureatë të këtij çmimi”

Çmimi i SHAI “Art Club” është themeluar në vitin 1991 si Shpërblim Vjetor, kurse që nga viti 2009 jepet për çdo tre vjet.Këtë çmim deri tani e kanë fituar: Rudi Goga, Dom Simon Filipaj, Basri Çapriqi, Asllan Bisha dhe redaksia e revistës “Fati”, Këshilli i Simpoziumit “Meshari i Gjon Buzukut – monument i kulturës shqiptare 1555-1995”, Ali Salaj, Nail Draga, Riza Rexha, Emin Halili, Cafo Boga, Bajram Rexha, Ruzhdi Ushaku, Gjelosh Gjokaj, Hajro Ulqinaku, MehmetKraja, Fiqiri Hasanaga (pas vdekjes), Simë Dobreci, Hajrullah Koliqi, Haxhi Shabani, Jusuf Lika dhe Zake Prelvukaj. “Art Club”-i është subjekti i vetëm ndër shqiptarët në Mal të Zi, i cilindan çmim për krijuesit shqiptarë. 

Ceremonia e dorëzimit të Çmimit Tradicional të “Art Club”-it është zhvilluar të shtunën (28 dhjetor 2024) në Librarinë “Ulqini”, me pjesëmarrjen e anëtarëve dhe miqve të Shoqatës “Art Club”. Krahas ndarjes së Çmimit, kryetari i SHAI “Art Club”, Ismet Kallaba, ka prezantuar në mënyrë të përmbledhur veprimtarinë e kësaj shoqate gjatë vitit 2024. 

Ulqin, më 30 dhjetor 2024