Degradimi i ambientit në Vuthaj dëmton perspektiven për turizëm dhe pamjen e fshatit

Vuthajt dhe vuthjanet gjithnjë janë shquar për vlera të mirëfillta ne çdo lëmi të jetës, por është e dhimbshme për kohën në të cilën jetojmë qe të behet kaq shumë për te keq dhe të ndotet dhe shëmtohet ambienti ne fshatin tim të lindjës e të fëmijërisë.

Në kohët kur unë isha fëmijë Vuthajt kishin shumë banorë të cilët në pronësi të tyre mbanin shumë bagëti. Megjithatë, Vuthajt ishin një fshat shumē i pastër dhe oazë e jetesës bio dhe të ruajtjes së mjedisit natyror .

Ambientit i kushtohej rëndësi e madhe nga të gjithë. Edhe pse mirëqenia ekonomike e popullatës ne atë kohe nuk ishte e kënaqshme, fshati ishte shumë i pastër pa pikë mëdyshje, por edhe vuthjanet e asaj kohe kanë reaguar fuqishëm dhe nuk kanë lejuar degradimin e ambientit .

Sot ndërkaq, kemi ndërtuar dhe jemi duke ndërtuar shtëpi të bukura, por janë disa pika irituese në Vuthaj që janë katandisur me degradim dhe shkatërrim brutal dhe pa kurrfarë konsideratash ndaj ambientit.

Pamjet e tilla në pronë publike (jashtë oborreve të shtëpive individuale ) të fshatit janë për keqardhje dhe i gjasojnë më shumë pamjeve nga Bangladeshi sesa atyre nga Alpet Shqiptare. Mendojmë që nuk ka nevojë të publikojmë foto, sepse këto pamje vuthjanët i shohin çdo ditë, por i shohim edhe ne që nuk jetojmë aty kur shkojmë ne vizita ne vendlindje për pushime .

Me veprime të tilla me vetëdije apo pa të, vetë ne po i dëmtojmë ambiciet e mundin e atyre vuthjanëve që synojnë zhvillimin e turizmit në mënyrë që në sajë të turizmit të mbijetojnë në trojet stërgjyshore .

Për këtë aspekt rol primar duhet të kenë vetë vuthjanet të cilët duhet të vetëdijësohën lidhur me ruajtjen dhe kujdesin ndaj ambientit, por edhe organet kompetente dhe institucionet gjegjëse të komunës se Gucisë sepse natyra e virgjër e Vuthajve ka predispozita të jashtëzakonshme për zhvillimin e llojeve të ndryshme të turizmit dhe për ngritjen e tij në veprimtari fitimprurëse, gjë që do të ndikon në ngritjen e nivelit të jetesës dhe në pengimin e emigrimit të rinisë nga ky rajon.

Esad GJONBALAJ