Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Demonstratat e vitit 1968 në Kosovë dhe shqiptarët e Plavës e Gucisë


Binak Ulaj

Popullsia shqiptare, e cila jeton në trojet e veta etnike dhe historike në Mal të ZI, asnjëherë s ’ e ka parë fatin  e vet  të ndarë nga fati i popullit që i përket  e, assesi, nga fati i pjesës tjetër të popullit shqiptar nën pushtimin jugosllav, të cilin krerët shtetëror të Beogradit e kishin ndarë në disa republika, me qëllim që ta sundonin sa më lehtë dhe ta  pengojë veprimin e përbashkët të tij në realizimin e të drejtave të veta  politike, kombëtare e kulturore.   Përcaktimin e vet për çështjen e përbashkët kombëtaren popullsia shqiptare e kësaj krahine do ta dëshmojë, ashtu siç e kishte dëshmuar në periudha vendimtare historike, edhe në vitin e ngjarjes madhore historike- në vitin e Demonstratave të rinisë studentore e shkollore të vitit 1968, e më pas. 1*

Pas shpërthimit të demonstratës  së parë në Prizrenin historik, më 6 tetor 1968, të organizuar e drejtuar nga studenti Meriman Braha me shokë, njërit prej veprimtarëve më të dalluar të Lëvizjes për çlirim e bashkim kombëtar, të cilës iu përkushtua  bashkë me anëtarë tjerë të familjes në të gjitha periudhat vendimtare historike, në Therandë, më 8 tetor, të organizuar e drejtuar nga Haxhi Bajraktari, për të vijuar më pas në Pejë, Podujevë, Ferizaj, Gjilan, që  do të kulmojnë më 27 nëntor në Prishtinë, shtrohej çështja:  Po shqiptarët e Plavës e Gucisë, çfarë duhet të bënin, përkatësisht, çka duhej të bëja unë  si anëtar i grupit  që vepronte  në mënyrë të organizuar që nga viti 1967 në fshatin Vrellë të Burimit ( ish-Istogut) me rrethinë, ku punoja në arsim. Ky grup, në të cilin bënin pjesë edhe Idriz Zeqiraj, Xhafer Shatri  dhe Zenel Ulaj, 2*, detyrë parësore kishte ngritjen e vetëdijes kombëtare, veçmas të nxënësve dhe të rinjve, shpërndarjen e literaturës ilegale që vinte nga Tirana,3*,  demaskimin e propagandës së përfaqësuesve të organeve shtetërore, veçmas të Lidhjes Komuniste, të Lidhjes Socialiste të Popullit Punues, të Lidhjes së Luftëtarëve të Jugosllavisë etj.,  që trumbetonin se çështja e shqiptarëve në Jugosllavi ishte zgjidhur drejt dhe përgjithmonë, se shqiptarët  gëzonin liri të plotë dhe të drejta të barabarta si edhe popujt tjerë në Jugosllavi, se kërkesa për përdorimin e lirë të flamurit kombëtar të shqiptarëve është kërkesë armiqësore etj, etj. Se deri në ç’ nivel shkonte kjo propagandë e dëshmon edhe rasti i kryetarit të Lidhjes së Luftëtarëve  i fshatit Vrellë, M.I., i cili  në njërën prej mbledhjeve të organizuara me qytetarë , në të cilën diskutohej për ndryshimet kushtetuese, ku përfshihej  kërkesa  për ngritjen e statusit të Kosovës në republikë, kërkesë kjo nga e cila krerët politikë të Kosovës do të heqin dorë pas presionit të Beogradit, kërkesa për themelimin e universitetit në gjuhën shqipe dhe kërkesa për përdorimin e lirë të flamurit kombëtar, kërkesë kjo që shtrohej anekënd Kosovës, pasi që  dëgjon arsyetimin tonë, i indinjuar dhe tërë mllef, do të shfrejë: ”  Çka po e përmendni atë bisht mini…”  Një krahasim i tillë ,, emblematik,,  tregonte  se çfarë ideologjie dhe çfarë morali mbrohej nga ai dhe soji i tillë.

BESIMI NË NDJENJAT DHE GUXIMIN E BASHKËVENDËSVE

Duke njohur nga afër ndjenjat e atdhedashurisë së shqiptarëve të Plavës e Gucisë dhe duke pasur besim të palëkundshëm në guximin dhe qëndresën e tyre, tipar ky themelor i karakterit të tyre nacional, i dëshmuar sa e sa herë me rezistencën e përhershme ndaj dhunës e represionit të vazhdueshëm, pas  bisedave me Zenel Ulajn, me   Xhafer Shatrin e Idriz Zeqirajn, kishim vlerësuar se ngritja e flamurit tonë kombëtar më 12 tetor 1968, ditën e dasmës së Sylejman Ulajt dhe të Emine Dakajt nga Vrella, ishte rasti më i përshtatshëm për shpërfaqjen e vullnetit politik, por edhe të solidaritetit të popullsisë shqiptare të Plavës e Gucisë me demonstratat që kishin filluar e do të vazhdonin të shpërthenin në qendrat kryesore  të Kosovës, por edhe në vise tjera shqiptare. Përveç kësaj, duke pasur parasysh faktin se ndaj popullsisë shqiptare që jetonte pranë kufirit që ndanë trungun e atdheut tonë, zbatoheshin masa të veçanta represioni e dhune për ta detyruar t’ i braktisë trojet e veta, siç do të ndodhë në vazhdimësi, përkatësisht me qëllim që në viset e brezit kufitar, që ishin vazhdimësi territoriale e Shqipërisë, të bëhej spastrim etnik, ngritja e flamurit ishte i vetmi veprim që mund të realizohej, ndonëse jo pa rreziqe. Për shkuarjen me flamur të shpalosur për ta marrë nusen,  ishte pajtuar edhe Sylejmani, vëllai i Zenelit, pavarësisht pasojave që mund të pësonte.

Realizimin me sukses të këtij aksioni e bazonim edhe në faktin se përdorimi i flamurit tonë kombëtar  kishte filluar të përdorej aty-këtu në Kosovë, por jo në viset tjera shqiptare nën Jugosllavi, ngase  ende nuk ishte ligjësuar përdorimi i tij. Me atë rast kishim marrë përsipër detyrat e caktuara. Huazimin e flamurit, sjelljen dhe shpalosjen e tij në Vuthaj, informimin e dasmorëve për gjendjen dhe kushtet e krijuara për ta përdorur atë publikisht , e kisha marrë përsipër unë. Përveç si obligim ndaj atdheut në përgjithësi dhe ndaj bashkëvendësve të mi në veçanti, motive shtesë ishin edhe fakti se ndër organizatorët dhe drejtuesit kryesorë të demonstratave në Prizren e, më pas, të demonstratave në Pejë, ishin shokët e mi të idealit dhe të shkollës, Meriman Braha, Zymer Neziri dhe Isa Demaj, nuk mund t’ i lejoja vetit të mbetesha pas, as unë e as bashkëvendësit e mi të dashur, si dhe në besimin se do të vinte dita kur bashkatdhetarët, kushërinjtë, dajallarët  dhe të afërm tjerë, që jetojnë në krahun tjetër të Atdheut, Shqipërinë shtetërore, do të më pyetnin: ” Po ti vëlla, nip…ku ishe dhe ç’ bëje  kur ndodhnin gjithë ato shpërthime të vrullit rinor në Kosovë… ?”

PËRMBUSHJA E MISIONIT

Me qenë se ende nuk kishte në shitje, flamurin e kisha huazuar nga Niman Podrimja nga fshati Carrallukë e Burimit. Edhe pse flamuri ishte nga pëlhura e thjeshtë me ngjyrë të kuqe dhe shqiponjën e  vizatuar me tush të zi, simbolika dhe domethënia e tij e përmbushnin për mrekulli qëllimin. Ndonëse nuk kishim pasur rast të njiheshim më gjatë me Nimanin, fakti se ai kishte qenë i burgosur dhe i dënuar politik, mjaftonte të kishim besim te njëri-tjetri. Vlen të theksohet se besimi dhe respekti i ndërsjellë nuk ishte karakteristikë vetëm e të burgosurve politikë dhe e familjarëve të tyre, por një respekt të denjë ata gëzonin  nga të gjitha shtresat atdhedashëse anekënd viseve shqiptare nën Jugosllavi.

Në rrugë e sipër për në Vuthaj, më 12 tetor 1968, isha ndalur në Pejë duke pritur kohën e nisjes së autobusit për në Guci. Me atë rast, në kafenenë e hotelit    “Korzo”, kisha takuar ish profesorët e mi, Rexhep Podrimajn, Sylë Dreshajn dhe bashkëvendësin tim, profesorin Rexhë Gjonbalaj. Duke vlerësuar qëndrimin e tyre dhe ngrohtësinë me të cilën më kishin pranuar në shkollë të mesme, s ’ kishte si të mos ua tregoja planin që kisha për flamurin.4*. Profesorët, Rexhepi dhe Syla, gjykonin se ky veprim ishte i nxituar, sepse përdorimi i tij në Mal të Zi, pa u lejuar me ligj, do të kishte pasoja të shumta. “ Gjendja atje është ndryshe e, përveç kësaj, edhe ashtu keni mbetur pak e një fushatë e re dhune e terrori mund t’ ju dëmtojë shumë “,  arsyetonin ata.

Pas vlerësimeve  që përsëriteshin vazhdimisht, profesori Rexhë Gjonbalaj, duke parë vendosmërinë time, ndër të tjera do të thotë : “ Do të vij edhe unë me ty. Kjo punë nuk të takon vetëm ty. Në asnjë mënyrë nuk do të të lë vetëm”.

Dhe, ishim nisur së bashku me profesor Rexhën. Gjatë rrugës, ai do e përsërisë disa herë : “ Nëse do t’ na del problem me policinë, përgjegjësinë e marr unë ”. Këmbëngulja e tij ma shtonte edhe më besimin në misionin që kisha marrë. Duke biseduar për atë se ç’ do të bëjmë dhe si do të arsyetohemi në rast se na ndalë policia, kishim udhëtuar pa e hetuar lodhjen nga rruga përplot kthesa dhe e pa asfaltuar.

Të shtunën, më 12 tetor 1968, më të arritur në Vuthaj, para derës kryesore të shtëpisë së Shaban Bekë Ulajt, kryefamiljarit të dasmës, e kemi vendosur dhe shpalosur flamurin. Me atë rast, axha Shaban ishte shprehur : “Si të vendosin të gjithë.”

Anasit e shumtë  dhe dasmorët nga Vuthajt, Martinajt, por edhe nga viset tjera përreth, të cilët sipas traditës  mblidheshin një natë para dasmës për të uruar dhe për t’ u marrë vesh për mbarëvajtjen e dasmës, ndaleshin para flamurit,  stepeshin për një çast, ndonjëri e puthte shpejt e shpejt, dhe futeshin brenda.  Në fytyrën e secilit mund të vërehej njëlloj befasie, që s ‘mund të përshkruhet. Në dhomë, biseda merrte zjarr,  herë shuhej për pak. Asnjëri s’ ishte   njoftuar më parë se do të shkohej me flamur për të marrë nusen.  Për shkak të moshës ende të re, arsyetimet e  mia,  shumë herë të përsëritura, shumicës nuk ua mbushnin mendjen. Fatbardhësisht, fjalët e matura dhe bindëse të profesor Rexhës, rrënjoseshin: “ Do të isha njeriu më i lumtur sikur kjo dasmë të bëhej  në shtëpinë time. Pavarësisht kësaj, kjo dasmë është më shumë se dasmë, është dasmë e shumëfishtë, ndaj është e të gjithë neve.” Më në fund, të gjithë kishin rënë dakord: do  të shkohej me flamur kombëtar.

Më këmbëngulës për ta marrë flamurin ishin:  Kadri S. Ulaj, Zeqir H. Balidemaj, Halil L. Goçaj, Sadik B. Ulaj.  As bajraktari i Vuthajve, Muzli R. Ahmetaj, për asnjë çast nuk ishte  hamendur. Me këtë tregonte se nuk e mbante rastësisht emrin e bajraktarit. Vlen të përmendet se as shoferi i autobusit, ndonëse boshnjak, nuk kishte kundërshtuar. Për më tepër, dukej sikur e kishte mirëpritur këtë rast. Ku t’ i dihet, gjenet nuk tjetërsohen lehtë.5*

Të vetëdijshëm për pasojat, por edhe të vendosur për t’ u ballafaquar me to, dasmorët nuk ishin  nisur duarthatë. Kjo dëshmon se jo pak prej tyre ishin të gatshëm edhe për sakrifica. Për këtë arsye, babai im nuk do t’ më lejojë të shkoj me dasmorë. ” Ti e ke krye. Tash do të shkoj unë”, ishin fjalët e babait që s’ lejonte të këmbëngulja më tej.

Të nesërmen, më 13 tetor 1968, me flamur të shpalosur, dasmorët do të kalojnë nëpër Guci, Martinaj, Murinë, Çakorr, Pejë. Siç kanë treguar dasmorët, në Pejë ishin ndalur për pak kohë, për arsye se aty ishin takuar me krushqit e një dasme tjetër, po ashtu me flamur kombëtar. Ardhja e dasmorëve me  flamur kombëtar nga  krahina e Plavës e Gucisë, i kishte entuziazmuar. Të shtënat nga të dyja palët kishte krijuar një  atmosferë të paparë gëzimi për një fitore të përbashkët. Në Vrellë, dasmorët do të mirëpriten më së miqësisht, jo vetëm nga babai i nuses, Islam  Dakaj, nga kushëriri, Idriz Dakaj dhe vëllazëria e tyre, por edhe nga shumë vendës tjerë. Kënga dhe vallja kishin dridhur bjeshkën e Podgurit. Edhe në këtë fshat, për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore, valonte flamuri shqiptar.

Kthimi i dasmorëve atë pasdite, më ngjante si kthim triumfues nga beteja. Në fakt, ashtu ishte. Me një përjashtim. Numri i dasmorëve ishte shumë më i madh se kur ishin nisur. Atyre u ishin bashkuar edhe  arsimtarë dhe punonjës të shkollës tetëvjeçare të Vrellës, Isa e Xhafer Bicaj, Muhamet Vuthaj, Idriz Dakaj,  e të tjerë. Përveç flamurit me të cilin ishin nisur, dasmorët ktheheshin edhe më një flamur tjetër kombëtar, nga materiali shumë cilësor, të qepur nga Sabri Novosella, sipas porosisë së Idriz XH. Ulajt, i cili po ashtu u ishte bashkuar dasmorëve.

Qëndrimi i guximshëm që kishte treguar me atë rast kryetari i komunës, Hasan M.Vuçetaj, e përplotësonte këtë akt historik. Me të marrë vesh për rastin, ai nuk kishte alarmuar organet policore. Në Guci do ta presë ardhjen e dasmorëve, do t’  i urojë dhe qerasë me cigare. Për vendin dhe pozitën që kishte, kjo nuk ishte pak.

Që nga 12 tetori 1968, flamuri kombëtar do të vazhdojë të përdoret, ndonëse me shumë probleme. Madje, ka pasur raste kur policia malazeze ua ka konfiskuar flamurin dasmorëve nga Kosova. Edhe tani, pas kaq vitesh, ashtu siç është përcaktuar me ligj, përdorimi i flamurit tonë kombëtar është shumë i kufizuar në Mal të zi.

Pa mohuar meritën e ideatorëve dhe të organizatorëve të këtij akti me rëndësi të shumëfishtë,  merita kryesore u takon dasmorëve vendës të Plavës e Gucisë, të cilët me guxim dhe dinjitet, bartën flamurin tonë  kombëtar në një periudhë  kthese të madhe historike – periudhën e demonstratave të vitit 1968.

Në kushtet  e sotme politike, ngritja e flamurit shumëkujt mund t’ i duket si diç e parëndësishme. Por, kur të kihet parasysh  gjendje ekzistuese e shqiptarëve në Mal të Zi disa dekada më parë, ku çdo ndjenjë kombëtare e shfaqur publikisht konsiderohej vepër e rëndë penale, ngritja e flamurit që ende ndalohej, ishte akt më peshë dhe domethënie të shumëfishtë. Me këtë akt u tregohej pushtetarëve të  Jugosllavisë, tani të ndjerë, se ne jemi shqiptarë, se jetojmë në trojet tona, se nuk ishim pajtuar e as nuk do të pajtoheshim kurrë me nënshtrimin, se dhuna dhe terrori i zbatuar në vazhdimësi që nga pushtimi i kësaj krahine në vitin 1912 dhe ripushtimi i saj  pas mashtrimit më të rëndë që shtetarët jugosllavë ua kanë bërë shqiptarëve, në vitin 1944, nuk kishin arritur t’ i shuajnë lidhjet shpirtërore ndërmjet popullit shqiptar të ndarë e, aq më pak, ta shuajë vullnetin e tij për të qenë i lirë dhe i pavarur. Përveç kësaj, rëndësinë e këtij veprimi e shtonte edhe më fakti se ky akt, me idetë dhe qëllimet që reflektonte, përputhej  me synimet dhe idealet e brezave të shumtë, edhe të kësaj treve, që janë flijuar dha kanë sakrifikuar për çlirimin e trojeve tona etnike dhe historike të mbetura nën okupim dhe bashkimin e tyre me pjesën e lirë të Atdheut, Shqipërinë shtetërore.

Shënime

  1. Bijtë më të mirë të kësaj treve, nga vendi dhe diaspora, veçmas nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropa Perëndimore, do inkuadrohen në radhët e UÇK-së. Numri i tyre, krahasuar me numrin e popullsisë, meriton çdo respekt. Me këtë rast vlen të  theksohen dy-tri raste të shembullit të tyre individual. Ismet  Dedushaj, kur ishte nisur me Batalionin Atlantiku, bashkëshortes së prekur nga sëmundja malinje, ia kishte lënë këtë amanet: ” Nëse vritem, ti dhe fëmijët kthehuni në Atdhe”. Kur Hysen Bruçajn nuk kishin dashur ta merrnin atlantikasit për shkak të moshës, u ishte përgjigjur: ” Mu pse jam në moshë, nuk do të kem rast më të mirë për të vdekur për Atdhe”. Dhe, s’ e kishin ndalur dot. Bruno Selimaj, një biznesmen i suksesshëm, kishte ndihmuar aq shumë materialisht, sa kishte falimentuar. Tek pas shumë vitesh  do ta merr të mbaren.
  2. Kadri Osmani, Xhafer Shatri, Mehmet Hajrizi, Jashar Alia, Binak Ulaj, në fund të shtatorit të vitit 1973, do ta themelojnë organizatën klandestine Grupi Revolucionar i Kosovës. Ky grup do të nxjerrë organin e vet të shtypit “Zërin e Kosovës”. Falë organizimit sipas të ashtuquajturit “Organizim në treshe”,  dhe respektimit rigoroz të rregullave të konspiracionit, do të ketë veprimtari të vazhdueshme, pavarësisht arrestimit të herëpashershëm të disave prej anëtarëve. Ndaj, ky grup, fal themelimit të degëve në shumë qendra të Kosovës, por edhe në  vise tjera shqiptare, ndër to edhe në Plavë e Guci, fal   numrit të konsiderueshëm të anëtarëve, ku bënin pjesë edhe Kadri Zeka,  i vrarë së bashku me Jusuf e Bardhosh Gërvallen, në një atentat, në Gjermani, më17 janar 1982, promotorët e Lëvizjes ilegale, Rexhep Mala e Nuhi Berisha, paraprijës të gueriles urbane në Kosovë, të vrarë duke luftuar kundër forcave policore, natën ndërmjet 11 e 12 janarit 1984,  Zija Shemsiu, i mbytur me tortura në burgun e Beogradit, më 5 maj 1985, veprimtarët e paepur, Hydajet Hyseni, Jakup Krasniqi, Jashar Aliaj e shumë të tjerë, me  jetëgjatësinë e veprimit, është grupi paraprijës i Pranverës së Madhe- Demonstratave të vitit 1981, që do të kurorëzohet me themelimin  e Ushtrisë  Çlirimtare të Kosovës.
  3. Për ne, veprimtarët e Lëvizjes ilegale për çlirimin e trojeve shqiptare nën Jugosllavi dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë e lirë shtetërore dhe të gjithë atdhedashësit, kishim besim të palëkundshëm në mbështetjen e Shqipërisë, mbështetje që s’ ka munguar asnjëherë. Për këtë arsye , në shtator të vitit 1968, Idriz Zeqirajn do e përcjell ilegalisht për Shqipëri, me qëllim që prej andej t’ na dërgojë literaturë dhe udhëzime për veprimtari të mëtejme. Këtë detyrë ai do e kryejë me shumë përkushtim. Literaturën e shumtë do t’ ia dërgojë axhës, Rexhepit, në Francë, dhe vëllait, Seferit, në Gjermani, të cilët do ta sjellin dhe do t’ ia dorëzojnë vëllait tjetër, Tafës, në Kosovë. Kjo literaturë shpërndahej anekënd Kosovës dhe më gjerë. Për këtë veprimtari, Rexhepi do të dënohet me disa vite burg, ndërsa Seferi nuk do të guxojë të kthehet në Kosovë për vite me radhë.

Edhe sot, si kurdoherë më parë, me të drejtë është konstatuar, se pa ndihmën e  Shqipërisë,  Kosova nuk do të ishte e lirë dhe e pavarur. Ndaj, ata që e mohojnë rolin konstruktiv të Shqipërisë në përpjekjet dhe luftën për çlirimin e Kosovës, përpiqen të rehabilitojnë vetën e, në fakt, e demaskojnë vetën, duke dëshmuar se n’ ç’ anë ishin.

  1. Në shkollat e mesme të Kosovës e, më pas, edhe në shkollat e larta dhe fakultete, nxënësit shqiptarë nga Mali i Zi, por edhe nga vise tjera jashtë Kosove, do të jenë, jo vetëm të mirëpritur, por edhe të privilegjuar. Falë kësaj përkrahjeje, vetëm nga treva e Plavës e Gucisë, sot janë disa qindra të diplomuar në fakultete, disa doktorë shkencash, ndërsa emrat e akademik Esat Mekulit e Rexhep Qosjes, i bëjnë nder shkencës shqiptare. Këta intelektualë të arsimuar në Kosovë, do e sjellin dhe forcojnë frymën e lirisë edhe në vendlindjen e vet.
  2. Në fakt, boshnjakët e Plavës e Gucisë, janë shqiptarë të boshnjakizuar, ashtu siç janë të boshnjakizuar edhe një numër jo i vogël i popullsisë së  Rozhajës, Novi- Pazarit, Tutinit dhe Sjenicës. Këtë e dëshmojnë mbiemrat e tyre si, Hoti, Gruda, Berisha, Kastarti, etj.
Exit mobile version