Ish kryetari i Unionit Demokratik të Shqiptarëve dhe njëherësh ish ambasador i Malit të Zi në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën e Kosovës, Ferhat Dinosha ka njoftuar se është larguar nga Unioni Demokratik i Shqiptarëve (UDSH).
KUMTESË
Dëshiroj ta njoftoj opinionin se nuk jam më Kryetar Nderi as anëtar i Unionit Demokratik të Shqiptarëve.
Pauza disavjeçare, gjatë të cilës kam qenë ambasador i Malit të Zi në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën e Kosovës , ka bërë që të bjerë dukshëm potenca politike e partisë dhe të ftohen marrëdhëniet me kryetarin aktual të saj , z. Mehmet Zenka . Veç kësaj, partia ka përjetuar përçarje në Degën e Malësisë , duke përgjysmuar votat dhe duke krijuar dy grupime politike
Me t’u kthyer në vendlindje, para një muaji, jam interesuar shumë per t’i ribashkuar dy grupimet, përkatësisht për ta rikthyer në Degë grupin e përjashtuar nga partia , të profilizuar tashmë , si Unioni i Tuzit.
Ky grup ka pranuar të rikthehet në Degë dhe të bëhet sërish pjesë e Kryesisë së saj , me kusht që unë, si koordinator, të marr përsipër udhëheqjen e Degës , kurse nga posti i kryetarit të saj , të tërhiqet z. Enis Gjokaj , deri në riorganizimin e strukturës së re të Degës, përmes ndonjë vendimi të organeve partiake ose kuvendit të ri zgjedhor lokal.
Këtë ia kam përcjellë kryetarit të Degës dhe disa bashkëpunëtorëve të tij , duke u thënë që ta informojnë edhe kryetarin e partisë dhe të më kthejnë gjegje. I kam thënë kryetarit të Degës se do t’ia vlente të sakrifikonim ne të dy , ai me tërheqjen e une me marrjen e perkohëshme të të parit të Degës , por nuk kam marrë përgjigjen e pritur.
Kjo dhe shumë çështje të tjera të metabolizmit partiak të partisë më të fortë të pakicave në Mal të Zi , në fazën e përgatitjeve dhe të vetë mbajtjes së Referendumit të Pavarësisë , më bëjnë të ndërmarr këtë hap, që mund të jetë më i vështiri e më i padëshirueshmi në karrierën time politike.
Kurrë nuk do t’i harroj dhe do t’i falenderoj përjetë me respekt të gjithë anëtarët, simpatizantët dhe votuesit e UDSH-së dhe u premtoj se , në dhashtë Zoti shëndet e jetë , do të vazhdoj , në një fomë a tjetër , të jap kontribut për të mirën e shqiptarëve dhe të proceseve demokratike në Mal të Zi .
Ky që jam , jam falë tyre . Në e kanë mirë aty ku janë , u vazhdoftë e mira ! Në e paçin ngushtë , i pres në bashkëudhëtim të ri , me sjellje e mirëkuptim të vjetër.
Ferhat Dinosha