Për të fituar në kohë ne lidhje me dialogun ne mes Kosovës e Serbisë presidenti serb A.Vuçiq për datën 17 dhjetor ka caktuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Një veprim i tillë ka qenë i imponuar sepse ditë më parë diplomatët euro-amerikanë ia bënë të qartë se zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit e nënkupton njohjen de-facto të Kosovës. Pikërisht në rrethanat e tilla dialogu ne mes Kosovës e Serbisë do mbetet nën hije te paktën për disa muaj, ku rrethanat politike janë në favor të Kosovës andaj këtë moment duhet shfrytëzuar maksimalisht
Nail Draga
Shpallja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare me datën 17 dhjetor nga presidenti serb Aleksandër Vuçiq, praqet sfiden e tij momentale ndaj diplomatëve perëndimorë të cilët në muajin e fundit janë angazhuar për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë.
Ishte ky një veprim taktik i tij qe nuk paraqet befasi, sepse ai vazhdon kursin politik nga koha e S.Millosheviqit, ndonëse tenton të paraqitet si i moderuar ndaj diplomatëve perëndimorë. Mediat kanë njoftuar se ai iu është drejtuar serbëve duke theksuar se nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës.
“Në çdo fushatë elektorale dëgjoni lloj-lloj gjërash. Tash e kanë shpikur se jam gati ta nënshkruaj pavarësinë e Kosovës sapo të kalojnë zgjedhjet. Dua që ju, popull i Serbisë, ta dini se kjo është një gënjeshtër famëkeqe. Dhe si një njeri i nderuar, por jo vetëm kaq, por si një njeri që e respekton Kushtetutën e vendit të tij, ligjet e vendit të tij dhe që e do popullin e tij në Kosovë e Metohi më shumë se çdo gjë – do t’i përmbahem gjithmonë germës së ligjit”, ka thënë Vuçiqi.
Për të përfituar pikë politike në fushatën parazgjedhore këtë deklaratë Vuçiqi e ka bërë disa ditë pasi edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursyla von Der Leyen, theksoi se zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit është de facto njohje e shtetit të Kosovës.
Nuk ka dilemë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi i mundësojnë Vuçiqit të përfitojë në kohë, duke iu shmangur presionit për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Përforcimi i ndërmjetësuesve
Ngjarjet e 24 shtatorit në veri të Kosovës, ku depërtuan grupe të serbëve të armatosur me qasje terroriste me qellim final aneksimin e kësaj pjese të Kosovës, dëshmuan edhe dështimin e dialogut në mes Kosovës e Serbisë, përkatësisht të ndërmjetësve ndërkombëtar(Borell-Lajçak). Andaj, për të fituar në peshë dhe seriozitet në Bruksel me 26 tetor u mbajt një takim i nivelit të lartë, për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët.
Takimi i mbajtur në Bruksel me 26 tetor ku përveç ndërmjetëseve ndërkombëtar, Borell e Lajçak kanë marrë pjesë edhe presidenti francez Macron, kryeministrja e Italisë Meloni dhe kancelari gjerman Sholz, të cilët kanë dalur me një plan të ri për zbatimin e nenit 7 të marrëveshjes, që flet për vetëmenaxhimin e serbëve në Kosovë. Me të nënkuptohet themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, dokument të cilin kryeministri Albin Kurti pranoi ta nënshkruajë, krahas Marrëveshjes bazë dhe aneksit. Por Vuçiqi refuzoi, duke kërkuar riformulimin e neneve të para të marrëveshjes që e obligojnë atë t’ia njohë Kosovës dokumentet shtetërore dhe të mos e pengojë në anëtarësimin në OKB.
Një veprim i tillë dëshmon qartë se presidenti serb A.Vuçiqi nuk është i interesuar për të arritur një marrëveshje ne mes Kosovës dhe Serbisë, por ai dëshiron të përfitojë në kohë, duke gjetur arsyetime të ndryshme. Një qendrim i tillë jo kooperues tash është transparent dhe i qartë edhe për përfaqësuesit ndërkombëtarë, të cilët ishin pjesëmarrës në takimin e Brukselit.
Raportimi në kuvend
Për takimin e fundit në Bruksel në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, kryeministri Albin Kurti me 3 nëntor ka raportuar para deputetëve të Kosovës. Ai ka thënë se në dy vjet qeveri është arritur një marrëveshje që përfshin njohjen de facto të Kosovës nga Serbia. Ka theksuar se draftpropozimi i pesë emisarëve është në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës.
“Dialogu ka nisur më 2011 një dekadë solli një sërë dokumentesh po ajo që veçohet është ajo për asociacionin të cilën mes kundërshtimesh të mëdha nga LVV e pati kaluar ky kuvend. Për ne suksesi demokratik kontribuon edhe integrimi i veriut. Sundimi i ligjit na ka sjelle shpesh përballë kriminelëve por ai do të vazhdojë ky është dallim i madh me më herët. Marrëveshja siç edhe është thënë është për njohje de facto. Kemi arritur vetëm një marrëveshje qe sjell njohjen defacto dhe ky është rezultati i dy vjetëve dialog. Marrëveshja bazike dhe aneksi e ka njohjen defacto nga Serbia. Vetëm një nen ndërlidhet me trashëgiminë e dialogut. Pa nenin 7 do të përfundonim vetëm në nenin 10 për marrëveshjet e kaluara. Në ketë drejtim në tetor kemi pritur 5 emisarët që sollën një plan për ecjen përpara që përfshin dhe një propozim për nenin 7-10 të marrëveshjes. Draftpropozimi është sjellë duke u shkruar me kujdes me germën e Kushtetutës. Draft propozimi parasheh që do të trajtohet nga Gjykata Kushtetuese”, ka thënë ai.
Kurti ka deklaruar se ka ofruar ta nënshkruajë marrëveshjen bazë të 27 shkurtit, por se presidenti serb ka refuzuar.“Para krerëve evropianë ne ofruam të nënshkruajmë marrëveshjen bazë të 27 shkurtit me gjithë aneksin zbatues të Ohrit të 18 marsit dhe propozimin për zbatimin e nenit 7 të marrëveshjes në lidhje me nenin 10, pra për idenë e vetëmenaxhimit. Nënshkrimi do të nënkuptonte pranim e për rrjedhojë zbatim, por pranimi do të thotë nënshkrim e vetëm nënshkrimi do të thotë pranim dhe garanci për zbatim”.
Po ashtu ka theksuar se “Drafti e bën të qartë që çfarëdo ndryshimi i statutit bëhet vetëm pasi të jetë pajtuar Ministria për Administrimin e Pushtetit Lokal dhe t’i ketë dhënë aktgjykim lejues Kushtetuesja. Kjo e përmbys atë që e bënin marrëveshjet e viteve 2013 e 2015”, është shprehur Kurti.
Nënshkrimi refuzohet nga Serbia
Para deputetëve, ai ka thënë se nuk e kupton pse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka qenë i gatshëm ta nënshkruaj Asociacionin me dy ish-kryeministra të Kosovës, e nuk po është i gatshëm ta nënshkruajë me të. “Unë nuk e kuptoj presidentin e Serbisë që ka qenë i gatshëm të nënshkruaj Asociacionin me dy kryeministra të Kosovës pse nuk e bën të njëjtin gjë tash me mua. Serbia ose ta pranojë nënshkrimin ose të pranojë që nuk është e interesuar për një Asociacion. Më 26 tetor ka treguar se nuk është e interesuar për një Asociacion”, ka theksuar Kurti. Ndërsa duke iu përgjigjur kritikave në lidhje me këtë çështje nga ana e opozitës(PDK, LDK, AAK) ai ka theksuar se Vuçiqi “ ka nënshkruar edhe me LDK-në edhe me PDK-në, aman tregomëni qysh ia keni bërë ju që ai nënshkruante me juve. Me mua po ik s’po nënshkruan. Me dialogun e juaj ai ishte konstant, e në Kosovë mbaheshin zgjedhje, e tash ne jemi konstant e në Serbi mbahen zgjedhje”, është shprehur Kurti.
Të shfrytëzohet momenti politik
Ndërsa në sajë te rrethanave aktuale pasi me 17 dhjetor ne Serbi do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk ka dilemë se dialogu ne mes Kosovës e Serbisë do mbetet nën hije te paktën për disa muaj, por momenti politik është në favor të Kosovës andaj duhet shfrytëzuar maksimalisht. Nga ana tjetër i mbetet BE-së të planifikoj ecurin e metutjeshme të dialogut, për nga forma dhe përmbajtja, me formatin përkatës apo me përforcues të tjerë për të qenë i pranueshëm për të dy palët. Çdo veprim tjetër nuk është zgjidhje por është në favor të Serbisë e cila vazhdon të mbesë faktori destabilizues në Ballkan.