Publicisti Milazim Krasniqi ka reaguar në lidhje shpalljen e datës 13 nëntor si festë shtetërore, ditën kur ka lindur shkrimtari dhe politikani Petar Petroviq Njegosh.
Përmes një postimi në rrjetet socile Krasniqi shkruan se si ka mundësi që ky vendim u miratua dhe nga deputetët shqiptarë, duke ditur që Petar Petroviq Njegosh ka qenë një shqiptarurrejtës.
Ai shton se ky qëndrim i mbajtur tregon fshirjen e kujtesës kombëtarë.
“Kuvendi i Malit të Zi ka shpall festë shtetërore 13 nëntorin, ditën kur ka lindur shkrimtari dhe politikani Petar Petroviç Njegosh
. Vetëm tre deputet boshnjak kanë votuar kundër. Duket e pabesueshme dhe është e palogjikshme që në favor të këtij vendimi kanë votuar deputetë shqiptarë. Sikundër dihet botërisht, Njegoshi ka qenë një shqiptarurrejtës i shfrenuar. Bile ka raste kur u është mburrë të huajve që e kanë vizituar në Cetinë, me kafkat e ngulura të hunj, duke u treguar se ishin kokat e prera të shqiptarëve.
Studiuesi kroat Branimir Anzulloviq e ka cilësuar poemën e tij “Kunora e maleve:” si vepër “e glorifikimit të gjenocidit.”
Deputetëve shqiptarë në Mal të Zi mund t’u bëhet vërejtje pse janë pajtuar, por problem edhe më i madh është pse nuk ka pasur ndonjë reagim nga bota albanologjike, veçmas Shqipëria e Fishtës? Mosreagimi adekuat i shqiptarëve, jo vetëm në Malin e Zi, po në gjithë hapësirat tona, është dëshmi e krizës së mendimit shqiptar, e fshirjes së kujtesës kombëtare, e shfytyrimit dhe tjetërsimit. Më vjen të vjellë nga ky degradim, ku e kemi ulë veten vullnetarisht!”, shkruan ai.