Dom Pjetër Popaj, Meshtari i Kombit – Gjekë Gjonlekaj me një fjalim të paharruar

Në kuadër të kremtimit të 40-vjetorit të shugurimit meshtarak të Dom Pjetër Popajt, publicisti dhe intelektuali i njohur Gjekë Gjonlekaj mbajti një fjalim të veçantë, të mbushur me reflektime historike, fetare dhe kulturore. Me një gjuhë të pastër, të thellë dhe simbolike, ai e vendos figurën e Dom Pjetrit në një hark të gjerë vlerash që nis nga antikiteti grek e deri te personalitetet më të ndritura të kombit shqiptar.

Ky fjalim është një homazh i denjë për një meshtar që ka kontribuar për dekada në jetën shpirtërore, kombëtare dhe kulturore të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

FJALIMI I PLOTË I Z. GJEKË GJONLEKAJ

“Epiku dhe tragjiku i Greqisë antike Eskili në një prej vargjeve të tij thotë: ‘Për mendime e punë të mëdha, fjalë të madhërishme të kërkojmë’. Pra, sonte në këtë darkë solemne për të nderuar meshtarin tonë Dom Pjetër Popaj duhet t’i zgjedhim fjalët më të mira.

Fjala e urtë latine thotë: ‘Pluribus Unum’, të gjithë për një e një për të gjithë. Sot kremtojmë 40-vjetorin e shugurimit meshtar të Dom Pjetrit tonë të dashur. Ky është një përvjetor jubilar i shërbimeve për të gjithë, ndërsa ne sonte në këtë përvjetor po festojmë të gjithë për një – me fjalë të tjera, të gjithë për Dom Pjetrin.”

Gjonlekaj vijon duke rrëfyer se ndërsa lexonte librin e Papës Gjon Pali II, “Të kapërcehet Pragu i Shpresës”, kishte mësuar se Jezu Krishti e nderonte shumë apostullin Pjetër, të cilit i përsëriste porosinë: “Mos ki frikë.” Pas shumë udhëtimesh të gjata e të vështira, Shën Pjetri arriti në Romë, ku në një nga shtatë kodrat ndërtoi kishën e parë, që më vonë u quajt Kisha, Katedraja dhe Bazilika e Shën Pjetrit.

Emri Pjetër, thotë ai, është i dashur për shqiptarët dhe i lidhur me figura madhore të fesë e kombit tonë:

Imzot Pjetër Budi, të cilin Ismail Kadare e quante “Shekspiri shqiptar”;

Imzot Pjetër Bogdani, Pjetër Mëshkalla – martirë, prelatë dhe patriotë të shquar;

dhe i kohëve më të reja, Pjetër Arbnori.

Më pas, Gjonlekaj ndalet te figura e Dom Pjetër Popajt, i cili një çerek shekulli më parë ndërtoi kishën e mrekullueshme shqiptare në Hartsdale, në një prej kodrave ku kishte qëndruar dikur edhe George Washingtoni. “Kjo qytezë në kodër,” thotë ai, “është shndërruar në një qendër të madhe fetare dhe kombëtare.”

Dom Pjetri lindi në familjen fisnike Popaj të Shën Gjergjit të Ulqinit dhe në fillim të viteve ’70 u vendos në SHBA. Ishte nxënës i shkëlqyeshëm, shumë i sjellshëm, elegant e pedant, dhe u dallua herët në shërbimet fetare të kishës së vendlindjes. Atje i shërbeu me përkushtim të jashtëzakonshëm Monsinjor Simon Filipaj, të cilin e kishte si yll drite për të ardhmen e tij fetare e kombëtare.

Pas shkollimit të gjatë në kolegjet amerikane, Dom Pjetri filloi studimet e larta në Seminarin “St. Joseph” në Dunwoodie, Yonkers, ku mbaroi me sukses Fakultetin e Teologjisë dhe Filozofisë.

Para 40 vjetësh filloi punën si meshtar i rregullt në kishat amerikane, derisa vendosi t’i vihej plotësisht në shërbim Kishës Katolike Shqiptare në Bronx, New York. Mesha e parë solemne u mbajt në kishën shqiptare të qytetit, me pjesëmarrjen e shumë klerikëve, përfshirë At Arthur Liolini të Bostonit, Imam Isa Hoxhën e New Yorkut dhe, mbi të gjitha, Dom Simon Filipajn, i cili mbërriti posaçërisht për të celebruar këtë meshë historike.

Darka solemne u zhvillua në Hotel Imperial, ku morën pjesë rreth 1300 shqiptarë nga e gjithë Amerika.

Gjonlekaj kujton se Dom Pjetri ka udhëhequr qindra shqiptarë në pelegrinazhe në Romë, Gjenocano dhe Lindjen e Mesme. Pikërisht ditën kur pelegrinët shqiptarë vizituan Varrin e Krishtit, në Shqipëri u njoftua se feja shpallej e lirë — një koincidencë që ai e quan “mistike dhe historike”.

Gjatë pandemisë COVID-19, Dom Pjetri kreu shërbime që mund të quhen heroike: shkoi në spitale, funerale, kishë e varreza, duke i shërbyer komunitetit shqiptar që humbi mbi 100 anëtarë nga kjo epidemi.

Në mbyllje, Gjekë Gjonlekaj theksoi:

“Për të folur për Dom Pjetër Popaj duhen ditë të tëra, por kësaj radhe vetëm kaq. I urojmë jetë të gjatë, shëndet dhe lumturi të përditshme.”