Dorëheqja e Nimanbegut vlerësohet nga qytetarët : Është një ndër vendimet e rralla të politikanëve shqiptarë në Mal të Zi


Para dy ditëve tashmë ish deputeti shqiptar në Parlamentin e Malit të Zi, z. Genci Nimanbegu dha dorëheqja nga pozita e deputeti duke mos u pajtuar me vendimin e subjektit politik të tij ku ai është kryetar, shkruan Ulqini Online.

Vendimi i Nimanbegut duket se ka gjetur mbështetje tek qytetarët e Ulqinit. Pothuajse tash dy ditë qytetarë të shumtë shprehen se ky është një ndër vendimet e rralla të politikanëve shqiptarë në Mal të Zi duke treguar në rend të parë integritetin e tij personal por edhe një kulturë të veçantë politike. Diçka të tillë nuk jemi mësuar ta shohim nga protagonistat politik të subjekteve politike shqiptare në Mal të Zi, edhe pse për diçka të tillë kishte momente politike.

Po sot, në Parlamentin e Malit të Zi u votua kryetari i Kuvendit, Andrija Mandiq i cili njihet si politikan me pikëpamje të theksuar proruse dhe preserbe. Për Mandiqin votuan deputetët tjerë shqiptarë të cilët do të jenë edhe pjesë e qeverisë

Presidenti i Forcës, Genci Nimanbegu, ka dhënë dorëheqje nga posti i deputetit në Kuvendin e Malit të Zi.

Në zgjedhjet parlamentare ai ishte mbajtësi i listës së Aleancës Shqiptare.

Nimanbegu u zgjodh deputet në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, dhe më pas në zgjedhjet e vitit 2012 dhe 2016. Ai ka shërbyer edhe si nënkryetar i Kuvendit. Ka qenë anëtar i Komisionit për Turizëm, Bujqësi, Ekologji dhe Planifikim Hapësinor, në Komisionin për Ekonomi, Financa dhe Buxhet dhe anëtar i Delegacionit të Përhershëm të Parlamentit të Malit të Zi në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.

Gjatë mbledhjes së 27-të të Kuvendit ka qenë: kryetar i Klubit të Deputetëve Shqiptarë; Zëvendëskryetari i Komisionit për Turizëm, Bujqësi, Ekologji dhe Planifikim Hapësinor; anëtar i Komisionit për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, Komisionit për Monitorimin dhe Kontrollin e Procedurës së Privatizimit, Komisionit për Reformë Gjithëpërfshirëse Zgjedhore dhe Grupit Punues për Hartimin e Ligjit për Parlamentin e Malit të Zi.