Dorëzohet Serbia, serbët nga Kosova regjistrohen të votojnë në Kurshumli, Novi Pazar…
Komisioni Zgjedhor i Serbisë sonte, pas ndalimit nga institucionet e Kosovës që të mbahet referendumi në shtetin tonë, ka vendosur që votuesit nga Kosova mund të votojnë në vendvotimit në Kurshumli, Novi Pazar, Rashkë dhe Vranje, transmeton Demokracia.com.
Në gjithsej 45 vendvotime do të shtohen emrat e votuesve nga Kosova dhe ata do të mund të deklarohen në referendumin për ndryshimet Kushtetuese të Serbisë në fushën e drejtësisë.
Me këtë vendim, Serbia përfundimisht dorëzohet nga organizimi i referendumit edhe në Kosovë.
Votuesit nga komunat Viti, Gjilan, Kamenicë dhe Novobërd do të votojnë në Vranje. Votuesit nga komunat Istog, Klinë, Pejë, Dragash, Prizren dhe Rahovec do të votojnë në Novi Pazar.
Votuesit nga Fushë Kosova, Lipjani, Prishtina, Ferizaj, Shtërpca dhe Obiliqi do të votojnë në Kurshumli, kurse ata nga Vushtrria, Zveçani, Zubin Potoku, Mitrovica dhe Leposaviqi në Rashkë.
Sot, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar një rezolutë që shpreh kundërshtimin që në Kosovë të mbahen votime për një referendum të shtetit të Serbisë për ndryshime kushtetuese.
Me 76 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim, Kuvendi miratoi rezolutën gjatë një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga kryeministri, Albin Kurti.
Sipas rezolutës, mbajtja e referendumit të Serbisë në Republikën e Kosovës, “cenon sovranitetin dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, është në kundërshtim me Kushtetutën, ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe me normat e praktikat ndërkombëtare”.
Rezoluta u propozua nga katër grupet parlamentare të Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Grupit Multientik. Partia Demokratike në opozitë nuk mori pjesë në seancë.
Rezolutat e miratuara nga kuvendi nuk janë detyruese, por pasqyrojnë vullnetin politik.